Nga Enkel DEMI: Kënga normale: “Grek o maskara”

Jetojmë në një kohë, kur Greqia është duke mbajtur lart flamurin e vlerave të solidaritetit në Europë, e cila sipas shumë komentatorëve edhe shqiptarë po sillet si një kolonialiste. Jetojmë në kohët, kur Merkel konsiderohet pushtuese, ndërsa kërkohet më shumë oksigjen për një vend në krizë. Ne jemi shumë të interesuar për këtë situatë, sepse së bashku me qytetarët grekë ndajnë fatin e tyre gati një milionë emigrantë të këtij çerek shekulli, diaspora e arvanitasëve, çamëve orthodoksë e plot bashkëatdhetarëve të tjerë.

Në vendin fqinj pushtetin e kanë marrë komunistët e natyrisht sfida me Europën është edhe një përballje ideologjike. Komunistët shquhen për ndjenjat e tyre të solidaritetit, internacionalizmës dhe dëshirën për të vënë shkrepësen e revolucionit. Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias është një politikan marksist-lelinist, është profesor i shkencave politike e filozofike, i cili është parë me simpati në Tiranë, veçanërisht nga ithtarët e së majtës anarkiste. Duke u nisur nga formimi i tij, por edhe organizata politike ku militon është e vështirë që të gjesh tek ky personalitet nacionalistin klasik. Vizita e tij në Kosovë mund të shihet si një pikë kthese, e cila u shoqërua me një notë proteste të Beogradit, kurse vizita në Tiranë një déjà vu, e cila thjesht rihapi polemikat e vjetra.

Gjatë një interviste për “Vizion +” Kotzias u ndal edhe tek pronat e shqiptarëve në Greqi. Ai i ndau këta të fundit në dy kategori: shqiptarë normalë e shqiptarë jo normalë. Të parët mund t’i drejtoheshin të gjitha shkallëve të drejtësisë greke dhe më pas Strasburgut, të dytët, anormalët, të cilët janë kriminelë, nuk duhet të bëzajnë, sepse e kanë humbur të drejtën e pronës qysh në vitet ‘40.

Një dasi e këtillë mbi baza raciale ka ngjarë vetëm ndaj hebrenjve në Gjermaninë naziste, të cilën ai vetë dhe partia e tij e evokon shpesh, tash që i kanë të ndenjurat në ujë. Me gjithë studimet në Harvard dhe Oksford, ky “grek i mirë” është i indoktrinuar si të gjithë strategët e teorive nacionaliste dhe konsipirative të Vorio Epirit. Është e kotë me përsërit batalionin “Çamëria” apo “Ali Demi”, është e kotë të kujtohet lufta italo-greke dhe qëndrimi i çamëve, është e kotë të kujtohet rezistenca në Luftën e Dytë Botërore, kontributi i shqiptarëve të Çamërisë dhe jo vetëm në formacionet e rezistencës greke, të rënët. Shumë shpesh rrëfehet kjo anë e medaljes. Tani duhet të mësohemi me faktin që jemi anormalë dhe kriminelë. Babai im lindi në Filat në vitin 1940 dhe ka qenë me siguri bashkëpunëtor i gjermanëve, kur ishte plot tre-katër vjeç. Gjyshi dhe gjyshja ime ishin pjesë e formacioneve të rezistencës antifashiste (gjyshja u plagos në luftë), por po të ishin gjallë do i thonin se ishin kolaboracionistë, kriminelë, anormalë. Edhe me teoritë e Darvinit që duhet të besojë Kotzias si ateist që është, evolucioni ka ndalur veç për çamët dhe i la ata çyrykë, anormalë, përjashtim të rregullit që të bën normal dhe të ndershëm si gjithë të tjerët.

Nuk është se ushqeja ndonjë iluzion që qeveria e Tsipras, ku bën pjesë dhe Kotzias, do kishte vullnet për të parë këtë çështje në sy, por nuk besoja kurrë që në vitin 2015 nga vendi më drobitur i Europës do të gjeja një nacional-komunist, i cili me siguri do ishte në garë me Gëbelsin për një vend pune në qeverinë e Adolf Hitlerit. Gjithsesi më mirë se unë opinionin për klasën politike greke e ka shprehur një këngëtar vendas me emrin Giannis Miliokas tek kënga “Grek o maskara”. /tesheshi.com/

Related posts