Nga Enkel DEMI: Gozhda e televizorit

Preç Zogaj e kërcënon Andrea Stefanin se ka një vendim gjykate që do ia ngulë me gozhdë në lule të ballit. Më parë Andrea i ka thënë shkrimtarit se është spiun i Sigurimit. Kjo skenë e dhunshme, që të shtie krupën, zhvillohet në emisionin e Blendi Fevziut, le të themi piazza më e rëndësishme e debatit politik në Shqipëri. Ky është emisioni që gëzon popullaritetin më të madh, i cili në shifra përkthehet në audiencë.

Gazetari që drejton bisedën është gati i pafuqishëm për ta ndalur histerinë që i ka përfshirë mysafirët e tij. Ka çaste tek bëhet lutës që ata mos ta marrin personale, por tashmë zgjidhja e vetme e konfliktit është marria e grushtave. Kjo për fat nuk ndodh, dhe biseda tërhiqet tek çështja e CEZ-it. Emisioni ia del dhe shkon deri në fund. Qëllimi i programit është skandali i CEZ-it, por të nesërmen mbahet mend vetëm kërleshja e të ftuarve dhe ajo gozhda në ballë, e cila shoqërohej me refrenin “maskara”. Në fakt, duhej të flisnim për punën e CEZ-it, por këtë e harroi tollovia e studios, e cila në talk show-un shqiptar është kthyer qëllim në vetvete. Madje, edhe kur intervistat janë sy më sy, gazetari kërcen si i pickuar prej mizës së kalit dhe ndërpret, bën oponencën, ka nevojë ta thotë ashiqare që po bën kundërshtinë, nuk e lë bashkëbiseduesin ta çojë në mbarim fjalinë, dhe në fund del një bisedë tip alfabeti mors, pikë, vizë, pikë.

Në televizor, kudo ku ka biseda në grup, sheh njerëz që përpiqen t’u dalë e tyrja jo vetëm në politikë, por edhe tek temat e modës, sportit, kuzhinës, shijuesve të verës, kronikës rozë. Gjithandej ka bujtës që grinden, që janë harbutë, me gozhdë e dëshmi me vete.

Për vite të tëra më qëllon të shoh Vespën në RAI 1. Besoj se formati i tij është tëpkë si i Blendit. Të dy moderatorët e mirënjohur ngjajnë shumë në mënyrën si drejtojnë, në thellësinë e taruar të trajtimit të temës, madje edhe në mënyrën si përpiqen të bëjnë P.R.-në e librave të tyre. Por, mysafirët e Vespës janë më të duruar, dëgjojnë shoqi-shoqin; janë të ashpër shumë shpesh, ama nuk bien a çohen nga kolltuku që të marrin fjalën. Rrallë, shumë rrallë, ndodh që të ketë prishje të një rregulli të artë të komunikimit: “në fillim dëgjoj, pastaj flas”. Nëse kjo ndodh, mikpritësi ndërhyn, tërheq vëmendjen, e pse jo, përcjell reklamat derisa të qetohen gjakrat. Kjo, sepse duhet patur një fije respekt për atë anonimin që të sheh.

Kam frikë se çka po them tingëllon skolastike, sepse, në fakt, e tillë është. Debatet televizive të një peshe të lartë, si ato të Fevziut, ndërtohen në bazë të këtij rregulli, dhe jo të ligjit të xhunglës, ngase i zoti i shtëpisë, moderator, ndërton një bisedë për një qëllim më të lartë se sherri, i cili herën e fundit ishte CEZ-i. Në këtë këndvështrim, emisioni dështon, ndërsa në pikëpamjen e audiencës fiton, sepse kur kërcet karrigia kokës ka përherë shikueshmëri. Jerry Springer e bënte një talk show të tillë në SHBA, por nuk besoj se gëzonte respektin popullor, kurse shikueshmërinë, pa dyshim.

Në fund mysafirët zgjidhen. Për një fjali tek një libër i Ismail Kadaresë, Mitrush Kutelin po dëshirojmë ta vëmë në diskutim, ta fshijmë nga historia e letërsisë shqipe, se ndoshta ka qenë i mobilizuar në ushtrinë naziste. Po ky tjetri, me këtë vendimin e gjykatës, pse paska gozhdë që ta ngul në lule të ballit? Dhe të mendosh se është i njëjti që do emisione të mëparshme nuk kishte besim tek gjykatat dhe drejtësia shqiptare!

Në këtë rast ka gjasa të shkojë një shprehje e psikologut amerikan, Abraham Maslow-it, të cilën e gjeta në faqen Gegnishtja: “Kur në dorë të ka ngelë vetëm çekiçi, atëherë çdo gjâ që sheh të duket si gozhdë.” /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts