Auto Dak
Auto Dak

Nga Enkel DEMI: Burra që u gafurren grave

Nëse do të bënim një bilanc të këtyre dy vjetëve e ca të Partisë Demokratike në opozitë, mund të veçonim vetëm dy aksione të saj të mirëndërtuara dhe të mirëpritura nga publiku. Aksioni i parë është pa dyshim dekriminalizimi, dhe i dyti, denoncimi i punëve të dyshimta në sektorin e shëndetësisë.

Të dy aksionet ndryshojnë nga njëri-tjetri. I pari është një punë mirëfilli skuadre, ku u përfshi e gjithë piramida e re e Partisë Demokratike. Konferencat denoncuese të shtypit për emërimet e të gjitha niveleve kanë qenë tejet efikase, të shoqëruara me dorëheqje, dhe e vunë shumicën në një pozitë qesharake.

Kurse aksioni i dytë është krejt individual, dhe i takon për meritë Albana Vokshit. Ajo ka mundur të mbledhë material të hollësishëm, ka arritur ta përcjellë me një gjuhë të rrokshme nga publiku i gjerë, dhe ka qenë e vendosur në betejën e saj politike çdo ditë. Ndryshe nga opozitarët e tjerë, nuk është nxituar, nuk është përfshirë nga entuziazmi i çastit, por ka pritur që të mbledhë sa më shumë fakte, në mënyrë që të jetë e besueshme.

Një nga krizat e sotme të mëdha të opozitës është të qenit jo e besueshme, madje edhe kur ajo ka nxjerrë në dukje skandale të përmasave të mëdha; administrimi i keq i marrëdhënieve publike, shoqërimi i fakteve me metafora, krahasime bajate, çjerrje dhe veprime fizike, e kanë bërë opozitën të qëndronte larg sinoreve të besimit. Ky madje është shërbimi më i mirë që Partia Demokratike mund t’u bëjë kundërshtarëve të saj: u jep alibinë e mosbesimit.

Tek Vokshi kjo nuk ka ndodhur. Ndryshe nga shumë kolegë të saj, ajo nuk ka nxituar të zërë foltoren e konferencave të shtypit, por ka konsumuar më parë të gjitha mjetet politike në Komisionin e Shëndetësisë dhe në foltoren e Kuvendit. Konferencat e shtypit dhe intervistat i ka bërë në fund, pasi ka gjykuar se materiali që dispononte kishte nevojë për një qasje më të madhe publike.

Prokuroria e shtetit ka reaguar si përherë në fundjavë dhe në ditë pushimi, ndërsa deputetja është kërcënuar. Ky lajm i fundit, që një grua kërcënohet për hir të detyrës, nuk bën përshtypje në Shqipërinë tonë. Kuptohet, nëse Albana Vokshi do të ishte e pranishme në listat glamour të Fevziut, në programet e mbrëmjes së dytë, me siguri do ishte bërë nami. Gjithsesi, ajo është kërcënuar, dhe derisa e ka bërë vetë publike, ka diçka serioze. Para se të hynte në studio tek “Shih Programin” në TVSH, më tha se kishte patur mesazhe aspak dashamire, por nuk ishte e trembur, sepse ndoshta në këtë vend shumë më shpesh janë trime gratë dhe zdromsa ata që gafurren.

Ndoshta Albana Vokshi nuk ka të drejtë, megjithëse përballja e saj tek Ylli Rakipi me ministrin e Shëndetësisë rrëfen tjetër gjë, por gjersa e kërcënojnë, ajo pa dyshim ka shkelur në kallo. Ata që e bëjnë këtë punë kuptohet se janë në dëshpërimin e zullumit, dhe duket u ka mbetur vetëm mjeti i forcës, por derisa çështja është bërë publike, edhe ky mjet tash është bërë i squllët, nuk ngjit.

E vetmja gjë që duhet të ndodhë tani është që kreu i qeverisë të solidarizohet me ligjvënësen e opozitës, në mënyrë që mos të përfshihet në skuadrën e kërcënimit. Edi Rama sot ka shansin të çmojë gratë që merren me politikë para se t’i tërheqë vëmendjen qeverisë çeke se nuk ka aq shumë zonja në kabinet sa ka ai. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts