Nga Elsa SKENDERI RAKIPLLARI: Gjuha (jo)parlamentare

Kur flitet për origjinën e gjuhës, ka një ide sipas së cilës në Zanafillë fjalët qenë të përkryera, nuk kishte dykuptimësi dhe një fjalë quante vetëm dhe vetëm një gjësend, ndaj edhe raporti i fjalëve me realitetin ishte i qashtër, i pandërlikuar, i përkryer si vetë Kopshti i Edenit… Kjo lidhje e përkryer izomorfike mes fjalës dhe objektit u prish pasi Eva hëngri mollën e mëkatit. Krahas një mijë vështirësive që i ranë përsipër Evës e gjinisë së saj, ndoshta dhe më keq se dhimbjet e lindjes, ishte se dhe fjalët nisën të bëheshin ‘të djallëzuara’. Ndonëse në thelb, fjala si varg tingujsh që bëhen bashkë e që shenjon në mënyrë arbitrare të shënjuarin është fare e pafajshme. Të djallëzuarit jemi ne, folësit.
Se sa të pafajshme janë fjalët e sa me ‘djallëzi’ vishen ato mjafton të shohim fjalimet e “kafshëve politike” par excellence në kuvend. Në këto fjalime banalja është shndërruar në kategori estetike dhe e has që te niveli i disa parlamentarëve e deri te fjalët fyese apo të ndyra që përdoren pa pikë etike a droje në debate. Rast pas rasti në fjalime ndërkallen, veç fjalëve të shqipes edhe fjalë të huaja që huazohen për t’i dhënë diskutimit nuanca fyese dhe që i lënë dëgjuesit gojë-e-syçapëlyer për shkak të asociacioneve të këtyre fjalëve me fjalë të ndyra të leksikut të shqipes. Të gjithëve mund të na vijnë lehtësisht në mendje shembuj për ilustrim, syresh edhe këto:
-“Sali Efendi, zotrote mua më heq mallin e Albert Vërrisë në filmin “Koncert në vitin ‘36”. A e mban mend Sali Efendi?”
– “Je ulur në atë vend i bërë synet politikë. Nuk kam dashur të ta them këtë, por le ta mësojnë shqiptarët dhe bota se ata që të bënë synet politik, ata të hoqën e dhe forcën e fundit të burrit ty.”
-“Sali Efendi! Unë nuk e dija që je marrë me synete, e dija që je marrë me zemrën. Kjo ishte një suprizë për mua!”.
-“Efendi, efendëm! Unë të thashë synet politikse për atë tjetrin dihet”…
-“Ai raport thotë 100% të kundërtën e asaj që thua ti Z.Vangjeli, qirje Saliu dhe që thotë PD dje në Himarë dhe qirjet e tjera atje matanë…Ju vazhdoni bjerini gajdes, ja ku e keni gramafonin. Ai përpara, ju mbrapa, kërceni atë palikarin si quhet ajo dhe do e shikoni”
– “Ai për 7 minuta mbajti palikarin në gojë dhe ju nuk ia hoqët, respektoni rregulloren, këtë kuvend e ndjekin edhe fëmijë, fjalori i Ramës është i papranueshëm”
Turqizmat dhe greqizmat[1] si në replikat e mësipërme ‘shpërdorojnë’ fjalë “të pafajshme” që janë të pangjyrosura me kuptime negative në gjuhët respektive, të cilat fitojnë kuptime përkeqësuese të nëntëshme, prej simbolizmit vokalik ose prej ndërkalljes së tyre në thënie ‘të djallëzuara’. Huazimet janë vetëm njëra formë e paradigmës së gjerë e të larmishme të fyerjeve, por e veçanta është se ato farkëtohen si fyerje në një medium që mendohet se duhet të jetë tempull i demokracisë e qytetarisë, jo skenë ku luhen retorika e dialogë vulgaro-banalë.
Përtej parimeve të etikës dhe qytetarisë që duhet t’u përmbahet gjithkush, brenda apo jashtë Kuvendit, shkarjet në fyerje apo deri edhe te fjalët e ndyra janë, për hir të së vërtetës, jo vetëm dukuri e parlamentit tonë. Kjo gjuhë e papërshtatshme për një parlament cilësohet si gjuhë joparlamentare dhe përveçse rregullohet nga rregullore të posaçme të institucionit, ekzistojnë edhe lista preskriptive fjalësh dhe shprehjesh që nuk mund të thuhen, ngase janë joparlamentare. Të këtilla, për shembull, në Kanada konsiderohen fjalët si: “histerik, i nderuar veç për kortezi, mashtroj, mashtrues, i pandershëm, deklaratë e fabrikuar, të ndenjurat, gënjeshtër, gënjen, nuk tregon të vërtetën (e plotë), arsye idiote, hajdutëri” e të tjera. Mënyra se si fjalë e shprehje të caktuara përfshihen në listën e zezë të gjuhës joparlamentare ka të bëjë me precedentin. Mjafton që fjala fyese apo e ndyrë të përdoret një herë që ajo të përfshihet në këtë fjalës të gjuhës joparlamentare.
Tash, le të imagjinojmë se si do të ishte diçka e tillë në Shqipëri. Listë e stërgjatë fjalësh e shprehjesh, diskutime nëse fjala u tha me apo pa mikrofon, debate të ethshme për kuptimin e saj të parë, të dytë e të figurshëm, akuza dhe kundërakuza për mungesë etike. Që pas ngjarjes fatlume të fitimit të së drejtës së lirisë së fjalës, politikanët tanë më shumë se kushdo e kanë keqpërdorur atë duke thyer jo vetëm të drejtat e të tjerëve, por edhe kodin etik, përmes rrahjes së argumenteve zhurmëmëdha, po thelbvogla të zbërdhylëta e plot lëtyrë banaliteti, veçanërisht sa herë përligjjet e arsyeshme kanë munguar apo sa herë është dashur që publikut t’i zhvendoset vëmendja nga të vërtetat.
Mes të qenit “kafshë politike” dhe “kafshë simbolike” (term i filozofit Ernst Cassirer), gjuha (jo)parlamentare e Kuvendit tonë dëshmon se politikanët priren kah kjo e dyta, pasi duan shfaqin me të madhe pasurinë e tyre ideore me anë të do fjalëve krejt “të pafajshme” në thënie e shprehje “të djallëzuara” duke përpunuar semantisht e krijuar forma gjuhësore. Retorika parlamentare është po ashtu e mbushur me fjalë si: “idiotësi, gënjeshtër, gënjeshtar, kriminel, mafioz, prostitutë, rrugaç, karagjoz, vagabond” etj, etj. deri edhe te shprehje të ndyra, ku kuptimi ose ngjyrimi emocionues negativ është krejt eksplicit.
Për fat të keq banaliteti është shndërruar në predikat të retorikës dhe gëlon deri në neveri në seancat e Kuvendit të Shqipërisë, pavarësisht legjislaturës apo krahut politik. Gjuha joparlamentare i ngjan shpesh një lëtyre që u vishet fjalimeve e diskursit politik dhe që na shpie të gjithëve në një qerthull marrie. Politikani, deputeti që zë me orë ekranet, transmetimet e drejtpërdrejta, edicionet e lajmeve dhe emisionet politike e jopolitike shndërrohet vetvetiu në folës model. Me këtë lloj ligjërimi mendoni se çfarë modelesh të foluri e sjelljeje po u mëkohen fëmijëve, të rinjve, publikut të gjerë. Të tilla sa të gjitha tekstet për edukatën qytetare dhe etikën nuk mund ta shlyejnë kumtin banal të gjuhës (jo)parlamentare. /tesheshi.com/