Nga Edmond ARIZAJ: Antikomunizmi i ndryshkur i PD-së

Partia Demokratike vazhdon me një kokëfortësi të çuditshme të përdorë si sfond opozitarizmi komunizmin; edhe pse përgjatë katër viteve të para të qeverisjes së Ramës nuk solli asnjë rezultat. Madje PS nuk lëvizi asnjë votë nga thesi i saj.

Jo vetëm kaq. Në sondazhe, studime e takime të shumëllojshme, partiake dhe sociale ka një anim nga e kaluara apo nga qeverisja me “dorë të hekurt”. A është rast për studim, a jemi ende si popullatë të bllokuar në vitet e para ’90, a jemi nën pushtetin e sindromit të Stokholmit, me këtë le të merren sociologët.

Realiteti është ky: antikomunizmi, së paku ky i PD-së, nuk i sjellë asgjë, vetë PD-së jo e jo, e aq më pak shoqërisë. A është ngritur ndokush në PD dhe të kërkojë shqyrtimin e mbështjetjes ende pas 25 vjetësh tek antikomunizmi ndërsa nuk u zgjidh çështja e pronave, nuk u zgjidh cështja e dosjeve, nuk u zgjidh çështja e të persekutuarve, nuk u dënua asnjë persekutor etj.?

PD në pushtet ka bërë pak, ose aspak për shtresat antikomuniste, ndaj vajtimet e sotme për Ruçin, Xhafën etj., janë më shumë se hipokrite. Aty kanë qenë, deputetë prej s’mbahet mend. Apo “dëshpërimi” se erdhën në pushtet fëmijët e komunistëve.

Por pas 20 vjetësh kush do jetë sfondi opozitar: erdhën në pushtet nipërit e komunistëve?! Ndoshta edhe situata e brendshme në PD, apo prurjet e reja ende të pakolaudura, nuk po i lënë mundësi kësaj partie dhe lidershipit të saj të krijojë një platformë opozitare e cila nuk ka lidhje me foton e diktatorit që e mbajnë herë pas here nëpër duar ca pleq që nuk ndryshojnë më, apo me fëmijët e ish-ëve, prindërit e të cilëve as janë dënuar, madje as janë akuzuar për ndonjë krim, përveç llafeve.

Duket se sa herë nga PD flasin për komunizmin, aq më shumë antikomunistë largohen prej saj. Ndoshta pse u kujtohet se sado kjo parti mbajti flamurin e antikomunizmit, nuk bëri pothuajse asgjë për të ndrequr diçka nga dëmet morale, shpirtërore dhe materiale që la ai sistem, ajo ideologji.

Prandaj duken kaq fallso edhe gjithë betejat e tanishme të eksponentëve të PD-së dhe mbështetësve mediatikë me komunistë e antikomunistë, ku e fundit është dhe ajo e Prek Calit, çështje që duhet t’i përkasin tashmë historisë, por që vazhdojnë e bëhet politikë dite me to. Imagjino: akuzohet Rama se ka urdhëruar shembjen e ndërtimit. Këta që e bëjnë këtë akuzë e dinë ku është shtëpia e Prek Calit?

Lulzim Basha, për aq pak kohë sa pati për fushatë, paraqiti synime ambicioze në platformën e tij. Nuk e di sa të studiuara ishin, a ishin të gatshme apo u formuluan shpejt e shpejt. Gjithsesi, kjo është një alternativë e cila nuk duhet të lihet në harresë dhe të myket deri në zgjedhjet e radhës. Betejën e antikomunizmit nuk e bën dot askush më mirë se Berisha. Madje ai edhe mund të japë shpjegime herë pas here pse ish-antikomunistët janë në situata më të koklavituara se sa ish-komunistët.

Shqiptarëve u duhet një alternativë për ekonominë dhe financat e tyre, dhe gjithë të tjerat me radhë. Beteja boshe e antikomunizmit, 25 vjet pasi të lënduarit e të grabiturit nga komunizmi po vdesin më keq se ç’ishin, nuk duket se i sjell ndonjë plus PD-së.

Sa më shpejt ta kuptojnë në PD që me këtë politikë veç sa u shtrëngojnë rradhët socialistëve, aq më mirë është. E në kohën kur një pjesë e saj po kthehet në jetën private, një pjesë do të vazhdojë të luftojë këtë lidership, e një pjesë mund edhe të dalë në një forcë të re, PD nuk ka asnjë interes e asnjë fuqi, të tërheqë edhe karron pa rrota e plot ndryshk të antikomunizmit. /tesheshi.com/