Nga Dr. Bled KOMINI: Sistemi në zgrip?

Prej ekonomistëve më të njohur gjithnjë kemi dëgjuar se ne jetojmë në një botë ku kërkesa për mallra dhe lëndë të parë vjen gjithnjë e në rritje, ndërsa oferta për ato vjen gjithnjë e në zbritje. Është thënë shpesh se kërkesa e botës në zhvillim për lëndë të para dhe mallra, posaçërisht në Kinë, Indi, Afrikë dhe Amerikën Latine, është duke u përballur me ofertën e kufizuar fizike të burimeve globale. Natyrisht është e ditur se mund të prodhohet më shumë naftë, gaz, hekur apo bakër, mirëpo vetëm me një kosto më të madhe margjinale. Por, problemi shkon përtej kufizimeve në ofertë. Rritja ekonomike globale është duke shkaktuar në të njëjtën kohë edhe krizë ambientale. Çmimet e ushqimit dhe mallrave parësore që ne konsumojmë, janë të larta sot pjesërisht për shkak se rajonet ku prodhohet ushqimi janë duke përjetuar efektet anësore të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu (si thatësira, ndotja e ajrit, gazrat e paabsorbueshëm që shkarkohen në atmosferë etj.). Të gjithë këta komponentë ndikojnë drejtpërdrejtë në uljen e prodhimit dhe shfaqin barriera sfiduese për botën e shekullit që sapo kemi hyrë.

Historia shpeshherë ndërron drejtim dhe kjo ka të bëjë me atë se kush i shërben më mirë shkencës dhe zhvillimit ekonomik. Disa vjet më parë, do të kishte qenë e vështirë dhe e pamundur të imagjinoheshin liderët evropianë duke kërkuar nga Kina shpëtim financiar. Po ashtu, pak do të kishin parashikuar se udhëheqësit kinezë që vizitojnë Uashingtonin, do të shanin publikisht politikë-bërësit amerikanë për keqmenaxhimin e ekonomisë më të madhe botërore. Por, bota ka ndryshuar, kolapsi i vitit 2008 i sistemit financiar në SHBA dhe Evropë, si dhe kriza evropiane e borxheve, e kanë përshpejtuar zhvendosjen e vrullit ekonomik tek Azia. Ose mund të themi se vetëm Azia përjetoi rritje ekonomike gjatë krizës së pjesës tjetër të botës. Gjatë gjithë kësaj periudhe, SHBA-ja dhe Evropa flirtuan me recesionin për shumicën e kohës.

Prej kohësh, institute të ndryshme ndërkombëtare, por dhe vet qeveritë e shteteve të fuqishme janë përpjekur për të “parashikuar”  fatin e tyre në një projeksion kohor, që mund të quhet i matshëm kur bashkohen për t’u studiuar faktorë të tillë si: të dhënat statistikore dhe ato të projektuara financiare, njerëzore, natyrore dhe kapitale. Por shumica e parashikimeve mbi tendencën e ardhshme, në lidhje se cilat do jenë fuqitë botërore gjatë dekadave që do vijnë, dështojnë, pikërisht kur nuk arrijnë të vlerësojnë rëndësinë e tre faktorëve kryesorë: (1) konsumin e parigjenerueshëm të burimeve energjetike (2) rëndësinë e kapitalit njerëzor në rritjen ekonomike, veçanërisht në përpjekjet e vendeve në zhvillim për të “arritur” botën e përparuar; dhe (3) ndikimet e ndryshimeve klimatike.

Mospërfillja e këtyre tendencave sjell parashikime të tilla si argumenti i George Friedman se “Meksika – një vend me kapital njerëzor të pakualifikuar dhe që po përjeton rënie të prodhimit të naftës dhe rritje të stresit për furnizimin me ujë të pijshëm – do të bëhet një superfuqi deri më 2100”. Natyrisht që kjo nuk është një shaka nga Fridmani, por le të themi se analiza e tij nuk ja ka qëlluar të jetë e saktë. Kjo dhe për shkak të mosmarrjes parasysh të “faktorëve të papritur” apo  “mjelmave të zeza”, gjë që i bën disa projektime të duken të sakta në letër, por siç shprehet dhe Nassim Taleb, se ekzistojnë edhe ndërprerje të papritura, të cilat e bëjnë zhvillimin të ndalet, ndërkaq që probabiliteti i tyre për t’u zbuluar është shumë i vogël.

Ekonomia globale është duke përjetuar një krizë paqëndrueshmërie, në të cilën kufizimet e ofertës dhe presionet ambientale janë duke shkaktuar destabilizime dhe “ndotje ekologjike” me pasoja të pariparueshme për njerëzimin. Arritjet e mëdha në teknologji dhe zhvillim ekonomik duhet që menjëherë të konvertohen në zhvillim të qëndrueshëm, duke e përshtatur teknologjinë dhe stilet e jetës, në mënyrë që të ulet presioni mbi ekosistemet e Tokës. Pikërisht për këto arsye duhet bashkëpunimi global, që nuk po shihet askund. Takimet e përvitshme të FMN-së dhe Bankës Botërore na përkujtojnë një të vërtetë: bota jonë e ndërlidhur dhe e madhe është bërë objekt tejet i komplikuar. Poqese duam të ecim përpara thotë Jeffrey Sachs (drejtues i institutit “Earth” në Universitetin e Columbias), duhet të lëvizim drejt, madje edhe pa e pasur ndihmën e kapitenit.

Në vitin 2010, katër nga pesë ekonomitë më të mira në botë ishin pjesë e Perëndimit. Në vitin 2050, sipas Goldman Sachs, Shtetet e Bashkuara do të jenë fuqia e vetme perëndimore ndër pesë të parat. Edhe pse Shtetet e Bashkuara do të jenë numri dy në vitin 2050, ekonomia e saj do të jetë shumë më e vogël se ajo e Kinës. Goldman Sachs parashikon që PBB-ja e Kinës do të barazohet me Amerikën deri në vitin 2027, dhe pastaj të vazhdojë ngjitjen e shkëputur dhe e vetme. PBB-ja kolektive e katër vendeve kryesore në zhvillim (Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës) ka të ngjarë të përputhet (barazohet) me atë të vendeve kryesore perëndimore të sotme deri në vitin 2032. Nga ana tjetër, Banka Botërore parashikon që dollari amerikan do të humbasë dominimin e vet global nga 2025.

Kina tashmë e ka tejkaluar Japoninë për t’u bërë ekonomia e dytë më e madhe në botë. Shtetet e Bashkuara në vitin 2010 shënuan një deficit të llogarisë korente prej 470 miliardë dollarësh, duke kontribuar në pabarazitë globale që kërcënojnë rritjen e ardhshme të SHBA. Ndërkohë, Kina në vitin 2010 grumbulloi një tepricë prej 305 miliardë dollarësh. Norma mesatare e konsumit të Amerikës gjatë dekadës së fundit ishte shtatëdhjetë për qind e GDP-së dhe shkalla e kursimeve të saj ishte rreth 3.5 për qind. Në të kundërt, norma mesatare e konsumit e Kinës gjatë dekadës së kaluar ishte tridhjetë e pesë për qind e GDP-së dhe vlerësimet e shkallës së kursimeve të saj ishin të larta, pothuajse sa dyzet për qind e GDP.

Nga një retrospektivë dhe parashikim ekonomik në të njëjtën kohë, del sipas të dhënave të fundit të FMN-së, se shtetet anëtare të Bashkimit Evropiane paraqisnin 31 për qind të ekonomisë botërore më 1980 (e matur me GDP-në e secilit shtet, të përshtatur me fuqinë blerëse). Nga viti 2011, pjesëmarrja e BE-së ra në 20 përqind dhe Fondi projekton se ajo do të bjerë më tej, deri në 17 për qind, në fund të vitit 2017. Kjo rënie pasqyron rritjen e ngadalshme të Evropës, si në aspektin e popullsisë, ashtu edhe atë të produktit për person. Ndërkohë që pjesëmarrja e SHBA-së në GDP-në globale ka qenë rreth 25 për qind më 1980, ka rënë në 19 për qind më 2011 dhe pritet që të bjerë më tej në 18 për qind në fund të këtij viti, pikë në të cilën FMN-ja pret që Kina ta tejkalojë ekonominë amerikane në madhësinë absolute (të përshtatur me fuqinë blerëse).

Në anën tjetër, GDP e shteteve aziatike në lulëzim, përfshirë Kinën dhe Indinë, ka shënuar rritje, nga rreth tetë përqind më 1980, në 25 përqind më 2011 dhe pritet të arrijë në 31 përqind në 2017. Siç duket, rritja ekonomike e Kinës dhe Indisë do të jetë pothuajse e barabartë dhe madje do t’ia kalojë BE dhe SHBA andej nga fundi i viteve ’20. Kjo gjë na tregon se brenda kësaj dekade nuk do të kemi më një botë një polare por do të kemi një botë multipolare, e reflektuar fillimisht në ekonomi dhe më pas e përkthyer në politikë.

Pas kaq shumë ligjëratave dhe leksioneve mbi ekonominë nga Perëndimi, aziatikët mund të përjetojnë pak kënaqësi nga sikleti amerikan dhe evropian. Po e vërteta është se asnjë vend aziatik nuk ka dalë me një model më të mirë. Ekonomia e vetme më e madhe aziatike që mund të krahasohet me standardet e jetesës amerikane është Japonia. Kina ka ndërtuar një makineri për të prodhuar rritje të shpejtë në vendin e varfër. Por, nuk ka garanci se sistemi i saj do të jetë në gjendje të përputhet me standardet e jetesës perëndimore, pa ndonjë rishikim radikal. Në mungesë të diçkaje më të mirë, qeveritë e Azisë që duan të rrisin të ardhurat e njerëzve të tyre do të duhet t’u nënshtrohen sërish shijeve të kapitalizmit. Sigurisht, brenda përkufizimit të gjerë të kapitalizmit, shteti mund të jetë më i madh ose më i vogël, mund të ndërhyjë më shumë ose të planifikojë më pak. Këto alternativa të politikave janë çështje diskutimi në shumë shtete të Azisë. Por, kur vjen puna për të ecur përpara, shumica janë të bindur dhe drejtohen nga alternativa e vetme, që është kapitalizmi. Për ta, kapitalizmi mbetet sistemi më i keq i mundshëm ekonomik, por i vetmi që jep rendiment, ndër shumë të tjerë edhe më të këqij se ai. /tesheshi.com/