Nga Dr. Bled KOMINI: Identitete të “plasaritura” fetaro-nacionaliste

Që identiteti përbën një formë dallimi e më pas vetëdijeje, kjo është sqaruar prej politologëve, sociologëve, historianëve apo filozofëve që janë marrë me këtë koncept prej kohësh. Në rastin shqiptar, që identiteti ynë modern është shprehur që në fillim si dallim prej fqinjëve tanë, ashtu si dhe vetëdije për ndryshimin që mbart populli ynë, si një popull i lashtë e shumë i ndryshëm në histori prej popujve të tjerë, edhe kjo është sqaruar gjerësisht në literaturën historike e sociologjike. Por ajo që mbetet e keqkuptuar dhe ndonjëherë e keqpërdorur është raporti që identiteti krijon me fenë dhe nacionalizmin. Pikërisht këtu, e përmes këtyre koncepteve janë krijuar me ose pa dashje disa keqkuptime, të cilat nuk i interesojnë askujt, përveç atyre që duan të godasin identitetin tonë kombëtar.

Duke qenë se identiteti i popullit shqiptar ka pothuajse një shekull e gjysmë që është lëvruar prej rilindasve tanë dhe pothuajse ka po aq kohë që është përcaktuar e qartësuar dhe vijon të mbetet i njëjtë teorikisht, realiteti tregon se herë pas here disa plasaritje të vogla janë munduar të kthehen në ndarje skizmatike e të dëmshme për të. Në këtë opus, trajtimi i identitetit të popullit shqiptar sikur të ishte një identiteti i papërcaktuar qartë (apo amorf), ka ndikuar në humbjen e vetëdijes kombëtare hera-herës dhe në mos korrigjim të veprimeve të pamatura. Veprime këto të kryera herë prej qarqeve politike dhe aty-këtu edhe prej disa qarqeve radikaliste fetare.

Në një popull të vogël si Shqipëria, që nuk ka njohur kurrë luftë fetare, nxitja e elementëve të caktuar që cysin e përçojnë ndasinë fetare, përbën një krim të paprecedentë ndaj shtetit shqiptar. Jo vetëm sepse cënohen parimet themelore të identitetit kombëtar, por dhe për faktin se ndikojnë në dobësimin e njërës prej shtyllave kryesore të vet identitetit tonë: shqiptarisë. Që nga mesi i shekullit XIX, “shqiptaria” si koncept, përbënte kalimin tranzitor nga identifikimi fetar i popullit shqiptar drejt identifikimit nacional. E për këtë arsye, ky koncept, që duhet thënë se qe shumë i brishtë, u përpunua dhe u mirëkuptua edhe prej klerit fetar shqiptar të asaj kohe. Në një epokë ku shteti duhej të drejtohej prej elitës së tij më të mirë – sipas Sami Frashërit, – prioritet nuk mund të kishte feja, por përfaqësia, merita, zotësia dhe integriteti. E duke qenë se kjo gjë kërkonte një fazë tranzitore, atëherë “shqiptaria” përbënte konceptin më legjitim dhe atë më përfaqësuesin, prej tërë koncepteve të tjera të përdorura në atë kohë e më pas. Duke qenë se vetëdija e të qenurit shqiptar tek populli ynë mbeti e paprekur dhe e pacënuar në shekuj, dhe si dallim prej grekëve, serbo-malazezëve apo bullgarëve, atëherë ajo u kthye në qendrën e rëndesës së identitetit kombëtar. Kjo dhe për faktin (siç tregohet prej kronikanëve apo udhëtarëve të asaj kohe që vizituan trevat shqiptare), se nëse do e pyesje një shqiptar se çfarë ishte, ai nuk do të thoshte asnjëherë musliman, katolik a ortodoks, por do të përgjigjej se “jam shqiptar”, e më pas do të thoshte përkatësinë fetare.

Duke qenë se armiku kryesor për shqiptarët nuk kishte qenë asnjëherë “shqiptari katolik”, “shqiptari musliman”, a “shqiptari ortodoks”, por greku, serbi e malazezi, automatikisht në vetëdijen popullore, proceset historike kishin krijuar e vënë parësor dallimin e përkatësisë etnike mbi atë fetare, gjë e cila u zhvillua duke renditur të parin rrezikun më të madh, atë që vinte prej popujve fqinjë, e më pas identifikimin brenda përbrenda, që ishte mbi baza fetare ose krahinore. Se në cilin moment dallimi etnik u bë më i rëndësishëm se ai fetar, është vështirë të thuhet, por mund të supozohet se aty nga vitet 1820-1830 kur tek serbët e grekët filluan lëvizjet nacionaliste dhe ata formuan mbretëritë e tyre, mund të jetë krijuar edhe koncepti i shqiptarisë ndër shqiptarët, pak a shumë ashtu siç e kuptojmë dhe ne sot. Më herët do ishte e pamundur, pasi dihet fare mirë se si Ali Pashë Tepelena ashtu dhe Mahmud Pashë Bushatlliu (e pasardhësit e tij, Ibrahimi e Mustafai), nuk e shikonin shqiptarinë si një nocion shtetformues më vete. Pra, shqiptaria ishte element dallues për ata, por nuk përbënte aspak elementin e vetëm shtetformues të pashallëqeve të tyre. Të dy pashallëqet synonin që të arrinin një autonomi të plotë prej Portës së Lartë, me një shtrirje gjeografike sa më të madhe e duke përfshirë brenda tyre popullsi shqiptare, vllehe ose greke në rastin e parë, ndërkaq në rastin e dytë, popullsi shqiptare e malazeze. Koncepti i një autonomie vetëm për popullsinë shqiptare, jo vetëm që nuk mund të realizohej brenda nocionit të drejtimit të një pashallëku, por kërkonte që të shkohej më tej, në një shtetformim qoftë principatë apo mbretëri, gjë e cila u pa se ishte e pamundur për të dy pashallëqet.

Që identiteti ynë kombëtar, ashtu si dhe vendet fqinjë me ne, është i lidhur me fenë, kjo s’do mend të kuptohet e as të jetë përjashtim. Ka qenë një luftë shumë e gjatë e rilindasve dhe shumë patriotëve që ta lidhnin identitetin kombëtar me fenë. Kjo për arsye se në një popull ku dy besime monoteiste (Krishtërimi dhe Islami) zënë një vend të rëndësishëm, nuk mund të ndërtohet një identitet kombëtar duke e shkëputur fenë prej nocioneve komb dhe shtetformim. Por nëse për rilindasit feja ishte sa e rëndësishme për arritjen e pavarësisë dhe mbruajtjen e kombit shqiptar, po aq ishte dhe e rrezikshme kur ajo i largohej këtij nocioni. Rreziku qendronte se nuk mund të kishte një identitet kombëtar pa pjesëmarrjen e fesë, dhe nuk duhet të kishte religjon të mënjanuar tërësisht nga ky identitet, i cili pa të do të mbetej gjysmak. Ndarja e fesë prej identitetit kombëtar, në vetëdijen e rilindasve, do shpinte në rritjen e ndikimeve të vendeve fqinje në punët e brendshme të shtetit shqiptar, sepse do t’i linte hapësirë që të shtrinin ndikimin e tyre brenda komuniteteve fetare. Për këtë arsye deviza se “feja e shqiptarit është shqiptaria” dhe “fe e atdhe janë binjak” morrën hov dhe u kthyen në shtresën kryesore të ndërtimit të shtetit shqiptar para dhe pas vitit 1912.

Këtu në fakt duhet bërë një sqarim, i cili është shumë i rëndësishëm mbi të kuptuarit e rolit të fesë në identitetin kombëtar shqiptar. Ajo nuk ishte pjesa e vetme integrale e këtij identiteti, pasi ky identitet që kahera u formua si i “baraslarguar” prej secilit religjion. Ai pranonte rëndësinë jetike të bashkëjetesës fetare, por nuk mund ta kthente fenë në një bërthamë rreth së cilës të ngriheshin themelet e kombit. Pra, rilindasit e kishin të qartë rëndësinë e fesë dhe për këtë arsye, ata përpunuan edhe më tej konceptin e shqiptarisë, si një ekuivalencë terminologjike mbi të cilën do të mbartej edhe ndikimi fetar duke mos e shkëputur atë prej identitetit kombëtar. Ishte shumë e rëndësishme që shqiptaria të kishte sa përmbajtje fetare por dhe po aq gjithpërfshirëse ku të përfshiheshin traditat, zakonet, kanunet dhe mendësia e popullit shqiptar, bashkë me divergjencat apo krahinarizmat ekzistuese. Vetëm përmes shqiptarisë, mund të krijohej një kornizë ku religjionet mund të qëndronin të pacenuara, të paprekura dhe kontribuese në shtetformim, por ato nuk mund të ishin themeli i identitetit kombëtar secila më vete; në të kundërt të trija së bashku përbënin kurmin e shqiptarisë.

Ndaj kur flitet për shqiptarinë, pra për popullin, feja shihej si e pranishme kudo në jetën e tij. E për këtë arsye feja e shqiptarit ishte shqiptaria (bashkëjetësa e të tre besimeve). Ky përpunim që i’u bë identitetit shqiptar ishte shumë i rëndësishëm. Në këtë koncept, shqiptaria u pa si përfaqësuese e të tri besimeve në shtetformim dhe ekzistencën e popullti shqiptar. Stratifikimi i një koncepti mbi një tjetër solli qetësi dhe maturi në Rilindjen Kombëtare, si dhe i siguroi komuniteteve fetare barazinë e merituar, në një epokë ku muslimanët shiheshin si të braktisur, të kristianët si zotër të fateve të popullit shqiptar tashmë me orientim drejt Evropës dhe ortodoksët si shumicë ballkanike.

Ndarja e posteve ministrore të qeverisë së parë të Ismail Qemalit duke ruajtur ekuilibrat fetarë; fetvaja e dhënë prej dijetarëve muslimanë për mbajtjen e flamurit me shqiponjë; organizimi i kongresit për shkëputjen e komunitetit musliman shqiptar prej Shejhul Islamit në Stamboll; ngritja e Këshillit të Nalt të shtetit shqiptar duke i përzgjedhur katër anëtarët sipar përkatësive fetare (një musliman, një katolik, një ortodoks e një bektashi); lufta e shtetit shqiptar për mëvetësinë e komuniteteve fetare prej qendrave të tyre jashtë vendit gjatë viteve ’20-30, tregojnë se identiteti kombëtar shqiptar, asnjëherë nuk e pa fenë si të përjashtuar prej tij, por e bashkëngjiti me të, brenda “shqiptarizmës”, duke mos i krijuar hapësira elementeve destabilizues që ta përdornin atë kundër interesave të shtetit e popullit shqiptar.

Plasaritja ose goditja e identitetit tonë kombëtar, pavarsisht rasteve sporadike, nuk dëshmon vetëm rrënim vlerash, por dëshmon pabarazi. Ajo thyen barazinë e krijuar në një moment të brishtë historik, ku feja gjatë shek. XX u përball me laicizmin e ateizimin, ndërsa nacionalizmi shqiptar me shkëputjen e territoreve të njëpasnjëshme prej Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Barazia e krijuar në fillim të shek. XX për të dy religjonet, Islamin dhe Krishtërimin, ishte garancia e plotë e ekzistencës në paqe të brendshme mes popullit shqiptar, në të kundërt shumica muslimane do ishte e padrejtë ndaj pakicës tjetër jomuslimane, ndërkaq që Evropa kristiane do ishte e pamëshirshme përballë shtetit shqiptar të saposhpallur më 1912. Ky ekuilibër (i quajtur “shqiptarizëm”) i formuar që para vitit 1912 si dhe i përvijuar në vitet më pas, deri në 1944, pësoi goditjen e tij më të madhe me ardhjen e komunizmit, i cili e anashkaloi për shumë kohë shqiptarizmin duke e renditur veten përkrah lëvizjeve revolucionare proletare në botë, e duke i hequr çdo lloj identiteti.

Lipset që shteti shqiptar, si dhe komunitetet fetare, të luajnë një rol shumë herë më të matur, përballë një popullsie të cilës komunizmi i goditi konceptin e barazisë reale të vlerave, besimin në Zot, si dhe ekuilibrin e brishtë të shqiptarisë, brenda të cilit u mbruajt ekzistenca dhe bashkëjetesa e tri besimeve. Për një kohë shumë të gjatë, konceptit të shqiptarisë ju zhvesh bashkëjetesa e besimeve, duke e kthyer atë drejt një besimi të ri, atë ndaj Partisë. Ky mutacion 23-vjeçar (1967-1990) i prodhuar edhe më herët, forcoi ideologjikisht patriotizmin proletar, goditi nacionalizmin dhe religjionin; si dhe mbijeton sot në disa forma të paforma në shoqërinë shqiptare, ku herë shfaqet si laicizëm e herë si globalizëm, i cili në emër të globalizmit thërret në braktisjen e çdo “mbeturine” të vjetër fetare e kulturore, dhe në emër të laicizmit shfaqet si ateizëm, baza e të cilit nuk qëndron te baraslargësia por mosprania e elementit fetar në tërësi.

Ndaj koncepti i shqiptarisë nuk duhet parë vetëm si përfaqësues i laicizmit stoik, por edhe si një ombrellë nën të cilën bashkëjetojnë të tri besimet. Ashtu si në të kundërt, rrënimi i “shqiptarisë” në kurriz të dallimeve fetare, veç sa do t’i hapë portën zhdërvjelltësisë së fqinjëve që mezi presin këtë mundësi të artë. /tesheshi.com/

 

Related posts