728 x 90 Leaderboard

Nga David Von Drehle*: Recesioni Trump po vjen

Mund të ketë qenë lëvizja më kontraverse e Donald Trump si president. Gjatë pushimeve në Mar-a-Lago në Florida, ai thirri takime për të nisur planifikimin e fushatës së rizgjedhjes së tij.

Nisur nga rrëfimet e ndezura në librin e ri nga shkrimtari me gjasa i besueshëm, Michael Wolff – për tmerrin e Trump kur fitoi në vitin 2016 apo lotët e zemërimit të gruas së tij për perspektivën e të qënit Zonja e Parë, apo orët e vetmuara në shtrat me një cheeseburger, duke kontrolluar televizionet – mund të habitesh e të vrasësh mendjen përse Trump do të donte një mandat të dytë.

Të rrallë janë presidentët që nuk e duan një mandat të dytë, pavarësisht presioneve dhe izolimit që sjell detyra. Rizgjedhja është rikonformimi përfundimtar, barazvlera politike e momentit të Oskarit të Sally Field në vitin 1984: “Herën e parë nuk e ndjeva, por këtë herë po e ndjej dhe nuk mund ta mohoj se ju më pëlqeni mua. Ju më pëlqeni!”.

Pavarësisht provave për të kundërtën, Trump dëshiron që të pëlqehet. Kështu që nuk kam dyshime se ai po shqyrton planet për 2020-ën, edhe pse tepër demokratë, disa rivalë republikanë dhe ndoshta këshilltari special, Robert S. Mueller kanë plane të tjera në mendje. Kur ai të skedulojë seancën e radhës, një çështje e caktuar duhet të jetë në axhendë: koha e recesionit Trump.

Po, recesioni. Unë e di se ky është një nga ato momentet kur njerëzit imagjinojnë se janë anuluar ligjet e ekonomisë. Tregu i aksioneve garon pa fund lart. Shënimet në dyqane që kërkojnë të punësojnë njerëz janë të shumta. Ekonomitë rreth e qark botës ndodhen në një periudhë të rrallë të rritjes simultane, dhe reduktimi i taksave ka lehtësuar bordet e koorporatave nga Portlandi i Meinit tek Portlendi Ore.

Por, një kthim për poshtë shtrihet diku përpara, qoftë një recesion, një përplasje apo larg qoftë, një falimentim. Një pjesë e duhur e energjisë së cikleve ekonomike vjen nga dobësimi i secilës valë që përhapet.

Historia sugjeron se recesioni i radhës nuk është shumë larg. Zgjerimi aktual, edhe pse relativisht i dobët, ka qenë bindës që prej qershorit 2009, duke e bërë këtë cikël të tretin më të gjatë në histori. Gjallëruar nga reduktimi i taksave, Shtetet e Bashkuara janë në rrugën e duhur për të regjistruar 107 muaj pa recesion në prill, duke kaluar bumin e viteve 1960 për nga kohëzgjatja. Kjo lë në krye për t’u mposhtur vetëm bumin prej një dekade, 120-mujor në vitin 1990 – kur fundi i luftës së Ftohtë u përputh me rritjen e internetit për të krijuar periudhën e artë për ekonominë amerikane.

Me fjalë të tjera, vetëm kur të nisë nxehja për zgjedhjet e vitit 2020, në pranverë të vitit 2019, ekonomia (nëse ende nuk është në recesion) do të thyejë rekordin dhe do të nisë të testojë kufij të reja të ciklit. Nuk është e vështirë të imagjinosh rrathët që do të përhapë një rënie e ekonomisë. Demokratët do të fitojnë kontrollin e Kongresit dhe do të nisin një krizë të nxjerrjes para Drejtësisë së presidentit. Hetimi i Mueller mund të ndërmarrë një rrjedhë të papërshtatshme. Rezerva Federale mund të rrisë nivelin e interesave më shpejt sesa ekonomia mund t’i tresë ato. Ose e kundërta: Fed mund të lëvizë aq ngadalë saqë inflacioni të marrë zjarr. Fllucka e borxheve të Kinës mund të plasë. Koreja e Veriut mund të shpërthejë. Ose një rrezik vërtet real, që i druhen kaq shumë këshilltarët ekonomikë të vetë Trump: presidenti mund të zbatojë kërcënimet e tij për luftë tregtare.

Siç thotë shprehja, duhet vetëm një majë gjilpëre për të shfryrë një balonë.

Trump mund të pyesë Xhorxh Bushin sesi është kur recesioni të arrin në kohë rizgjedhjeje. Presidenti hero i operacionit Stuhia e Shkretëtirës, niveli i miratimit të të cilit për pak kohë arriti në 89 për qind (edhe videot me këlyshë nuk janë aq popullore) humbi 60 pikë në vetëm 18 muaj. Recesioni i butë i vitit 1990 u shndërrua në një vrasës të vendeve të punës, dhe edhe pse shumica e treguesve ekonomikë ishin të hareshëm në ditën e zgjedhjeve të vitit 1992, dëmi ishte bërë. Me ndihmën e H. Ross Perot, Bill Clinton e bëri Bushin president me vetëm një mandat.

Duke shtyrë të pashmangshmen, reduktimi i taksave nga Trump mund të dëshmohet të jetë një thikë me dy presa. Recesioni që mund të arrijë në vitin 2018 dhe që mund të kalojë si një stuhi vere me gjasa do të kthehet sërish pas disa vjetësh. Nëse ai shfaqet në mes të fushatës së rizgjedhjes së Trump, presidenti do të bëjë mirë të ketë kujdes, për shkak se demokratët që nga koha e Xhon Kenedit i kanë marrë fitoret e tyre kur presidentët republikanë përplasen me zotimet e tyre të fund-mandatit.

Ndoshta Trump duhet të kishte ndjekur shembullin e Ronald Reganit, duke pranuar recesionin herët në mandatin e parë dhe duke besuar se rimëkëmbja do të vinte në kohë për ta shtyrë atë drejt rizgjedhjes. Ky opcion ka marrë fund tashmë. Pasi ka rigjallëruar ekonominë me reduktimin e taksave, Trump ose duhet të gjejë një mënyrë për të marrë përfitimet- të detyrojë Rezervën Federale për një rritje të shpejtë të interesave, të trazojë botën me këshillat e këqija për luftëra tregtare ose të kryqëzojë gishtat dhe të vazhdojë përpara.

Parashikimi im është që ai do të hapë të gjitha kantinat e zgjidhjeve të tij dhe do të shtrydhë çdo pikë që mund t’i zënë duart, në një përpjekje të dëshpëruar për të mbajtur partinë në këmbë deri në vitin 2020.

Çfarë një ditë-pas ka gjasa të jetë!

*David Von Drehle është gazetar që prej vitit 1991 për të përditshmen amerikane “The Washington Post”. Tashmë ai është analist politik i gazetës. Artikulli u publikua në këtë gazetë.

Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts