Nga Bujar M. HOXHA: Stinë thagmash: nga rekordet e Berishës në not te paralajmërimi ogurzi për tërmete

Diell, rërë, det… E tillë është vera, e mbizotëruar nga këto tre fjalë. Një stinë pushimesh, ku njerëzia derdhet në plazh, e paduruar për të freskuar trupin dhe mendjen pas muajsh të tërë lodhjeje, tendosjeje, përpjekjesh.

Temperaturat mund të ndryshojnë nga vit në vit, me kurbën e tyre që mund të kapë dhe nivele maksimale në këtë periudhë, siç po ngjet në këto ditë gushti, por ajo që mbetet e pandryshueshme është aftësia e pambarim e një pjese të shoqërisë për të bërë thagma e për t’ia imponuar ato pjesës tjetër.

E vetmja gjë ngushëlluese në tërë këtë histori, të përsëritshme verë pas vere, është evoluimi thagmor. Kështu, në gjysmën e parë të dekadës së dytë të shekullit të ri, me kulmimin e stinës verore, melodi e përhershme u bë thyerja e njëpasnjëshme e rekordeve në not të ish-kryeministrit.

Nga vera në verë, Berisha do ta kishte tepër të vështirë gjatë këtyre viteve të tregohej i përkorë në sjelljen në muaj pushimesh. Vetë ai do të nxiste, natyrshëm qëllimisht, një shpërthim të lajmeve mbi rekordet e qëndrimit të tij në ujë. Edhe pas humbjes së zgjedhjeve në 2013-n, pyetja do të mbetej e njëjtë, sa qesharake, po aq dhe fyese për një mendje normale njerëzore: do ta thyejë këtë herë rekordin Berisha?

Një pyetje që do të zëvendësohej dalëngadalë, pa zhurmë, nga një tjetër, po aq e panevojshme dhe po aq e shmangshme: ku do t’i kalojë pushimet Zahoja? Stafeta do të kalonte nga një kryeministër në tjetrin, por me protagonist tashmë të birin e të “gjatit”. Ende fare i vogël, Zaho ishte i pavetëdijshëm për “mirësinë” që i kishte rezervuar fati: të ishte djali i Ramës, e kësisoj të meritonte vëmendje mediatike jashtë çdo kufiri të së pranueshmes!

Gjërat kanë filluar gjithsesi të marrin kahje tjetër teksa vitet kalojnë, duke u bërë më të përtypshme, veçse duke mbetur gjithsesi në nivelin e thagmave. Vera aktuale ka rezervuar tema më interesante, si ato mbi figura kombëtare të mitizuara prej kohësh. Mustafa Nano elektrizoi dhe vuri në lëvizje një mjedis të tërë intelektual apo ndryshe me pretendimin e tij thuajse “heretik” për përkatësinë serbe të nënës së Skënderbeut. Reagim në përmasa të ngjashme do të kishte dhe ndaj nxjerrjes së një letre të Kadaresë për Enver Hoxhën, publikimi i së cilës u çmua po ashtu deri diku si herezi.

Cilësia e kundërvënies ndaj Nanos dhe publikuesit të letrës së Kadaresë do të ishte shpesh për të vuajtuar, përmbledhur në pak rreshta të një veprimtari të njohur mediatik, i cili do të shkruante fjalë për fjalë, pa u skuqur aspak: “Kadare nuk është thjeshtë një shkrimtar, por një aset kombëtar, për të cilin dekada më pas nuk do të ketë debate idiote nëse ishte me nënë greke apo baba sllav. Ai e ka pastruar edhe këtë livadh. Eshtë shqiptar!”

Ky ligjërim nis e shteron kur zjarret nisin të ndizen në çdo shpat kodre a mali. I pëlqyer nga shumë njerëz ndër mote për natyrën e tij ikonëthyese, Edi Ramës i ka mbetur pak gjë prej saj, duke ngjarë gjithnjë e më shumë me paraardhësit në gjuhën e përdorur. Ai lëvdon punën për fikjen e zjarreve, e gjen kohë të fshikullojë “krismat digjitale të atyre që duhet të japin llogari”, por nuk di t’i japë përgjigje një pyetjeje fare të thjeshtë, të ardhur lirshëm në mendje teksa pamjet filmike apo fotografike kalojnë para çdo syri vëzhgues: si nuk sheh, në tërë këtë luftë me zjarrin, një zjarrfikës me veshjen e tij të posaçme?

Ç’lë Rama pa broçkullitur e plotëson një funksionar i administratës së tij, kreu i emergjencave civile, që plas bombën e tërmeteve. Pasi i lejon vetes të flasë për çështje që edhe specialistët e fushës e kanë të vështirë t’i artikulojnë pa drojë në publik, pasi paralajmëron për tërmete të mundshme në javët apo muajt e ardhshëm, ai merr atributet e hoxhës apo priftit: “Do t’i lutemi Zotit të mos ketë pasoja…” Duke harruar kështu se detyra e tij është krejt tjetër.

Atmosfera bëhet më pesimiste kur kujton se mbarimi i gushtit është pas thuajse tre javësh. Gjer atëherë do duhet të përgatitemi për thagma të tjera verore, gjithsesi të pritshme.

Nëse protagonistët e përhershëm kanë në dorë ta frenojnë veten më së paku këto ditë e javë, publikut i mbetet vetëm të durojë si vapën dhe thagmat e tyre. Tekefundit, është mësuar të bëjë kështu…/tesheshi.com/