Nga Bujar M. HOXHA: Refleksione të diele: na mungon një “Alo, bir!”

Nga ’90-ta e shekullit të shkuar e këtej kemi fituar shumëçka, lirinë, të drejtën e fjalës, pronës, besimit…

Nuk jemi më barkthatë. As jemi të detyruar të hamë bar. Përkundrazi, zhdëpemi së ngrëni, aq sa detyrohemi shpesh të kalojmë në dietë për të shmangur pangopësinë dhe rrumbullakosjen trupore.

Nuk jemi më xhepzbrazur. Dekadat e kapitalizmit alla shqiptarçe kanë krijuar shtresën e re të të pasurve. Makina luksoze, apartamente plot hapësirë në qendra të qyteteve e vila me shkëlqim verbues në periferi, udhëtime e shpenzime të shfrenuara jashtë vendit, veshje të shtrenjta… Një mani e re shqiptarësh të pasuruar nga hiçi e të kthyer në elitë.

Nuk jemi më gojëmbyllur. Flasim ç’të duam, shajmë e mallkojmë kë të duam, gënjejmë si të duam… Ngrejmë në qiell demokracinë e damkosim komunizmin, duke harruar se edhe ky i fundit pretendonte demokracinë, atë popullore.

Me pehlivanllëqe mund të fitojmë miliona, duke vjedhur, duke korruptuar, duke mashtruar, duke dendur vendin me hashash, duke bërë politikë opozitare e duke mbushur xhepin njëkohësisht me dëmshpërblime pallatesh të rrëzuara. Çelësi është pakëz pushtet, e me të ke gjetur rrugën për t’u pasuruar.

Sa më shumë nginjemi, aq më shumë zhbëhemi si qenie humane. Sa më shumë e përsosim qenien tonë së jashtmi, aq më tepër e zbrazim atë së brendshmi. Sa më shumë shkëlqejmë sipërfaqësisht, aq më tepër venitet humaniteti, njerëzia jonë. Sa më shumë buzëqeshim, aq më tepër na shtohet hipokrizia…

Duam gjithçka për vete, por nuk duam asgjë për vëllain, të afërmin, mikun, shokun. Egoja e pafre po na zapton dalëngadalë, po na bën të jepemi verbërisht pas çdo gjëje të parë si e jona e të urrejmë gjithçka të poseduar nga tjetri.

Familjes tradicionale po ia zë vendin ajo ku në krye të vendit është kafsha, qeni, macja… Djepi është thuajse i zhdukur, të porsalindurit janë gjithnjë e më tepër me pikatore. Familje të shpërbëra, pleq të braktisur…

Njerëzi e shpërfytyruar…

Shembuj të së mirës ka ende gjithsesi. Një shembull i tillë humaniteti, i denjë për t’u kopjuar, na vjen nga jo shumë larg.

“Bijtë në derë kur të jeni në nevojë!”

Një nismë, një slogan i një bashkie të vogël në një provincë të Turqisë, përmes së cilës u vihet në ndihmë të moshuarve, të pamundurve, atyre që janë sëmurë apo ulokë.

Linja telefonike “Alo, bir!”, e disponueshme në çdo orë të ditës, bën të mundur dhënien e çdo ndihme për njerëz në nevojë, të moshës së thyer apo ndryshe. Një personel i zellshëm vjen shpejt për të ushqyer, për të pastruar, për të biseduar e për të shmangur vetminë, për të lyer shtëpinë… Me dashurinë e një biri, të një bije…

Më së paku, një gjest i tillë, një akt i tillë na mungon. Lumturues për nevojtarët, mirëbërës… Jo si reklamë, se veprimtari të tilla i kemi me bollëk, por i vërtetë. Që të na e pickojë qenien, për të mos iu dorëzuar dehjes së kësaj kohe…/tesheshi.com/   

 

        

Related posts