Nga Bujar M. HOXHA: Po me mbetjet morale të medias ç’do të bëhet?

Iniciativa e shumicës qeverisëse për të sjellë në parlament një ligj mbi mbetjet e mbi importin e tyre, dhe votimi më pas pro tij, kanë nxitur prej javësh një reagim shoqëror. Zëra të ngritur aty-këtu në mjetet e informimit, shkrime kritike mbi ligjin, e shpesh më tepër se kaq, dhe një shprehje e kundërshtisë nëpërmjet protestave, kanë qenë mënyrat e reagimit.

Shqetësimi është më shumë se i ligjshëm, duke parë problematikat që e shoqërojnë përditshmërinë në këtë vend, me një klasë politike më së paku të papërgjegjshme. Bëhet fjalë për një ligj që në u keqpërdortë, na kërcënon fizikisht të tërëve, si ata që e kanë miratuar atë, po ashtu dhe ne të pafajshmëve.

Deri këtu gjithçka është në rregull: reagimi shoqëror është për t’u përshëndetur!

Çka nuk përtypet është fakti se si së njëjtës shoqëri as nuk ia ndjen kur bëhet fjalë për mbetjet morale të importuara symbyllurazi prej vitesh, se si ajo nuk reagon ndaj kërcënimit të pandërprerë që i sillet rrotull moralit shoqëror!

Për ç’po flas?

Shumë e thjeshtë!

Në fundjavë, në mbrëmje, në kanalin e parë shtetëror italian transmetohej një spektakël i ndërtuar rreth figurës së një shkruesi të teksteve të këngëve italiane. Një emër i njohur, në moshë të thyer, por mjaft i gjallë e që e bënte mjaft tërheqës programin.

Edhe pse dekada kanë kaluar, spektakli nuk ndryshonte shumë nga pararendësit në vite. Pa tepri, me një gjuhë të pastër, dhe i shikueshëm që nga i vogli e gjer te më i madhi.

Në të njëjtën orë, në një prej televizioneve kombëtare shqiptare, një program i saponisur kishte të ftuar ikonëthyesen e moralit shqiptar!

Veshja, qëndrimi e gjuha e përdorur ishin në sintoni të plotë: paudhësi e pakamufluar!

Ç’mesazh jepte ky personazh? Ç’mesazh përcillte ky program? Pa më të voglin dyshim, pamjet, fjalori e veprimet ishin pështirosëse, fyese, që me plot gojën e kthenin televizionin në një djall!

Ja kontrasti: televizioni italian kishte mbetur ashtu, i pacenueshëm në kornizën e vet të së pranueshmes, kurse televizioni i këtej detit e shfaqte shkoqur derëhapjen për mbetjet morale të ofruara falas.

Çuditërisht, askush nuk e ngre zërin për mbetjet e tilla, shumë më tepër të rrezikshme, pasi i bëjnë gjëmën moralit, i bëjnë gjëmën shoqërisë. Nuk ka kufi te thana për to, pasi vazhdojmë t’i presim krahëhapur, gjersa shpërudhja të bëhet mal. E dihet ç’vjen më pas!

Në një portal të njohur informativ e analitik ka prej ditësh lajme e analiza rreth ligjit të mbetjeve. Çka zë vend aty është kundër këtij ligji. Bravo i qoftë!

Por nuk duhet shumë për ta parë bishtin prapa të dardhës. I njëjti portal që lëshon rrufe kundër mbetjeve fizike ua kushton pjesën më të madhe të hapësirës së tij mbetjeve morale.

“A… H… nuk i ka b… e bëra. Ia preku doktor….”, lexohet mes shkrimeve. Po ta vini re, më shumë ka pika se fjalë, sepse titulli është e pamundur të citohet ashtu siç është.

Ky mund të jetë titull paksa i butë, se ka të tjerë shumë më të turpshëm. Kërcitja spikat vetiu: sulmohen mbetjet fizike, e në të njëjtën kohë i jepen lexuesit me pahir mbetje morale!

A është e mundur të ketë miopi të tillë? A është e mundur të luftosh mbetjet fizike e t’u hapësh portën mbetjeve morale?

Të trishton fakti se ky portal është vetëm njëri prej atyre të shumtëve ku pretendohet të mbrohet interesi shoqëror e, në të njëjtën kohë, shpirtrat njerëzorë helmohen me mbetje morale.

Gjendja është më gri se ç’duket. Mbetjet morale e kanë bërë të tyren. Në programin televiziv të përmendur më lart, e ftuara ishte dërguar më herët në një qendër tregtare. Reagimi mes njerëzve ishte për të qarë. Edhe pse do duhej që së paku familjarët në atë mjedis ta shmangnin atë, për më e pakta veshjen banale, krejt e kundërta ndodhte. Bashkëshortë e bashkëshorte rrekeshin ta fotografonin, t’i afroheshin e ta shihnin nga afër, apo t’i dërgonin fëmijën për një puthje!

Mjaftonin ato pamje për ta kuptuar dëmin nga mbetjet morale, të ofruara mediatikisht në mënyrë krejt të qëllimshme!

Ç’do të bëhet me mbetjet morale mediatike? A ka forcë shoqëria të ngrihet kundër tyre?

Për t’i dhënë përgjigje pyetjes, me të njëjtën gri të errët, dua të sjell në vëmendje një ngjarje të një viti më parë. Ardian Vehbiu, një penë e vyer në ligjërimin publicistik, u sugjeronte disa artikujshkruesve të njohur që të mos botonin më në një gazetë të caktuar për shkak të degradimit të gjuhës, e të pranëvënies së emrit të tyre me lloj-lloj pisllëqesh.

Kundërpërgjigjja do të vinte nga një person që shkruante në atë gazetë, e që sot nuk resht së kritikuari e së kundërshtuari mbetjet fizike. Pas një fletërrufeje me gjithfarë fjalësh, pasonte një kërcënim i hapur!

Mbetjet morale e kanë bërë deri diku të tyren. Vështirë të ketë prapakthehu për to.

Sfida mbetet së paku individuale: t’ua mbyllësh derën të gjitha mbetjeve, apo për ca ta lësh hapur? /tesheshi.com/