reklama juaj ketu

Nga Bujar M. HOXHA: Lulzim Basha: erdha, pashë, fitova!

Në fund të një rrugëtimi tremujor në një çadër para kryeministrisë, Lulzim Basha ia ka dalë të turbullojë çdo mendje, të krijojë mijëra pikëpyetje për lëvizjen më të fundit të tij, të bëjë armiq shumë opinionistë e mbështetës “miq” në këto tre muaj, të fitojë zemërimin e atyre që shohin te marrëveshja ende në pelena rrezikun e dështimit të tyre.

Lulzim Basha nuk është më lulushani i përçmuar nga një tufë ziliqarësh, si brenda organizmit të tij politik, ashtu dhe në anën tjetër, në atë të pushtetit. E kanë shpërfillur, e kanë vënë në lojë, i kanë kujtuar buzëqeshjen e pandashme, i kanë përmendur përsheshin me kos, teksa po mbyten vetë në detin e bërë kos me marrëveshjen e 18 majit.

Udhëheqësi i ri i PD-së as mund ta eliminojë e as mund ta largojë hijen e Berishës, por, që nga dje, kush zgjedh ta shohë atë përsëri vetëm si kukull të doktorit, liderit historik të demokratëve, thjesht gënjen veten.

Me nismat e tij të fundit politike, që nga çadra e gjer te marrëveshja me Ramën, ai ka përtërirë rolin e një partie në agoni, siç i ka dhënë tjetër peshë vetë rolit të tij.

Nëse u hidhni një sy me kujdes tërë reagimeve pas marrëveshjes që i dha fund qëndrimit në çadër para zyrës së kryeministrit, askush nuk rreket t’i njohë një meritë Bashës. Për të vetmen arsye: se ai i ka nxjerrë të tërë zbuluar!

Askush nuk mund të thotë më se ai po u kundërvihet SHBA-së dhe Europës, askush nuk mund të thotë më se ai po e çon vendin në konflikt, në greminë, askush nuk mund të thotë më se ai po e lë PD-në jashtë zgjedhjeve dhe po i bën gjëmën, askush nuk mund të thotë më se ai dhe ata që i shkojnë pas i frikësohen vetingut si djalli temjanit.

Lulzim Basha bëri lojën e tij politike dhe fitoi!

Tre muaj të shkuar, ai ishte i destinuar të shkonte në zgjedhje si cjapi te kasapi. Tre muaj të shkuar, atë nuk e merrte askush seriozisht. Tre muaj të shkuar, pushteti ishte në kulmin e rehatisë.

Basha ia arriti në tre muaj të pështjellonte politikën shqiptare, t’i jepte vetes një rol të paparë protagonisti, dhe, në fund, ta detyronte kryeministrin arrogant t’i shtrëngonte dorën në një mënyrë aspak zyrtare, por shumë më miqësore.

Asnjë skenar nuk e kishte paraparë një marrëveshje të tillë mes Bashës dhe Ramës, madje në orët mes së mërkurës dhe së enjtes, ndërsa ata të dy ishin mbyllur në bisedime, ende ekzistonte frika e një dështimi fatal.

I parë nga kundërshtarët si një gjumash par excellence në ditët e tij si kryebashkiak i Tiranës, Basha kuptoi në qëndrimin e tij të gjatë pa mbyllur sy se vetëm një marrëveshje e tillë do mund ta forconte atë politikisht, do mund t’i hiqte hijet përndjekëse.

Marrëveshja është dhe një shuplakë për ata që e lanë në baltë, për ata që u betuan se pa opozitën nuk ka zgjedhje e njëkohësisht nuk e prishën terezinë në rrugën drejt zgjedhjeve.

Nga shkurti e këtej, Lulzim Basha ia doli ta fuste qeverisjen në krizë të plotë, për ta nxjerrë tërë vendin nga kriza me një marrëveshje të çasteve të fundit. Lëvizje që nuk e besonte askush prej atyre që e kishin parë atë gjer në atë çast nga lart poshtë.

Lulzim Basha nuk do mund të përqeshet më, as të shihet si buzëqumësht në politikë. Katër vite më parë ai merrte si një riosh drejtimin e një PD-je të shembur përdhe. Katër vite më vonë, pushteti e ka pranuar se pa “po”-në e Bashës për zgjedhjet nuk shkohej asgjëkundi! /tesheshi.com/