Nga Bujar M. HOXHA: Festat dhe përmbytjet, instrumente imazhi për qeverisësit

Ngjarje të nivelit global, përgjithësisht aktet terroriste, janë rëndom të mirëpritura nga klasa politike shqiptare, si një mundësi për të hequr vëmendjen e popullatës nga përditshmëria e shumëvuajtur dhe nga paudhësitë ciklike të bashkëshoqëruara me çdo qeverisje në këto thuajse tre dekada. Ligjërimet bajate e që të hapin barkun me mediokritetin e tyre i zënë vend debatit shterpë në suaza lokale, në përpjekje për t’u shfaqur ndërkombëtarisht si zelltarë të luftës kundër së keqes!

Fenomeni përshkallëzohet me ngjarjet në nivel kombëtar, qofshin të aspektit pozitiv a negativ. Kështu ngjet me festat, të shfrytëzuara për t’i dhënë dozën e radhës të hashashit njerëzisë, lehtësisht të gënjyeshme prej dritave e flamujve me bollëk. I tillë ishte rasti i festave të fundnëntorit, thuajse si gjithmonë, të kremtuara butaforikisht, me politikanët në rivalitet për formulim shprehjesh njësoj butaforike.

Në do ta përshkruash tërë këtë situatë surreale, ku hedhësit e farës së qeverisjes së keqe kthehen papritur në bartës e përçues të patriotizmit e dëlirësisë, mjafton të citosh fjalët e presidentit aktual, thënë në kulmin e festimeve, “… Skënderbeu do të jetë gjithmonë ylli i mëngjesit dhe dielli që do të ndriçojë çdo shqiptar dhe mbarë kombin tonë në përpjekjet tona për prosperitet, për paqe, dhe për një të ardhme plotësisht evropiane…”!

Po ky njeri vetëm pak muaj më parë përdorte një gjuhë krejt tjetër në fushatën zgjedhore, ku, sigurisht, nuk kishte vend për yjet e mëngjesit dhe për diellin! Ç’ylber kapërceu presidenti i shndërruar kaq papritmas nga gojëkripur në gojëmjaltë?

Vetëdeklamimi do të vinte pikërisht në momentin më të keq të plasjes së ujërave të zeza të kanabizimit të vendit, kur institucione të tëra të shtetit janë njollosur nga skandali, e kur për një ish-ministër nuk kanë fund zbulimet e të pabërave të tij. Njerëz të tërë janë nën hetim, të tjerë janë në arrati, nga i njëjti pushtet vezët e të cilit i ngrohu presidenti për vite, e ky i fundit flet për përpjekje për prosperitet e për paqe!

Mirë që janë festat! Fundi i vitit është bujar me “gëzime” të tilla. A nuk e tregon këtë pema e ngritur mes sheshit qendror të kryeqytetit një muaj përpara? I gjori milet argaliset e vetëfotografohet rreth e qark saj pa i vajtur në mendje se shkëlqimi i mbrëmjeve është paguar prej tij vetë, grabitur orë e çast përmes taksash pa fund, pa kuptuar se pema është veç një mekanizëm mashtrimi.

Mirë që janë dhe përmbytjet! Sepse asgjë nuk ndryshon dhe në mundësitë e shfrytëzimit të tyre për t’i bërë një rifreskim imazhit, edhe pse festat janë çështje fatmirësie, e përmbytjet, e kundërta, çështje fatkeqësie.

Në terren janë të njëjtët, këtë herë jo me këpucë të lustruara, por me çizme. E afërmendsh, kështu ngjet dhe në ekran. “Shpirtkëputur” nga halli i rënë njerëzve, i sheh të bëjnë bilbilin, sido që, veç “nënës natyrë”, janë dhe ata fajtorë për gjendjen. Pamja qendrore është e tyre: kryeministri i pari, sa këtu e sa atje, i përdëllyer, në krah dhe me Mziun e Kamzës, duke falënderuar kryetarin e PD-së, duke iu hakërryer në ajër fajtorëve pa adresë për kthimin e rrugëve në det…

Me t’u venitur figura e tij, ia beh kryebashkiaku, si shumë më i zoti për gjëra të tilla, për prodhim imazhi. Ku ka si shiu i rrëmbyer, si përmbytja! O burra, ta shfrytëzojmë…

Të gjithë me mushama, po jo kështu i pari i bashkisë së kryeqytetit. Të gjithë me çadra, ai, “i shkreti”, pa të. I qullur, derë më derë me kutitë e ndihmave tek i mban vetë në duar! Makineria e propagandës e ndjek… Nuk ua qeni shkopin për këtë punë, atij, atyre.

Sa më shumë që uji përmbyt shtëpi, fusha, rrugë, aq më shumë shtohet prania e qeverisësve ngado. Jo për të punuar, por për të propaganduar. Niveli i ujit bën përpjetë, e po kështu bën dhe niveli i propagandës, gjuha e gënjeshtërt.

Përgjegjësia? Askund!

Uji merr me vete skandalet, keqqeverisjen, për t’ua lënë të kulluar imazhin njerëzve që qeverisin prej vitesh dhe që e degdisin fajin tutje.

Dhe sapo gjithçka nis e kthehet në normalitet, vijnë të tjera ngjarje të shfrytëzueshme, të tjera mundësi për të shmangur vëmendjen nga realiteti më shumë se gri. Situata riciklohet me të njëjtët protagonistë.

A nuk po vjen Viti i Ri? Ku ka më mirë! Shtyhet me të gjer nga janari…/tesheshi.com/