Nga Bujar M. HOXHA: Elegji për tim atë…

Hija e tij në kujtesën time të hidhur, shpirti, qiejve shëtit,

Trupi, i shtrirë në shtratin e varrit, i perënduar…

E vështirë është të shkruash për njeriun tënd, e vështirë është ta portretizosh atë ashtu siç ishte vërtet pasi t’i kesh hedhur një grusht dhé…

Rreth një muaj pasi im atë u nda nga kjo botë, vargjet e mësipërme, të shkruara nga Mehmet Akif Ersoji, e të sjella mjeshtërisht në shqip nga i ndjeri, ma hoqën tej modestinë që për kaq kohë më kishte frenuar të hedh, këtë herë, diçka në letër.

Jetën time të vonë profesionale, arritjet, por dhe ca të meta në të, ia kam borxh tim ati. Tash ai është i pashqitshëm dhe në emrin tim, në rrugëtimin tim. Ai, Mit’hat Hoxha!

Çmimi i anonimitetit është heshtja përreth, ndryshe çmimit që duhet paguar për spikatjen. Tek shkruaj për atin tim, jam i vetëdijshëm se ca do të lumturohen me rreshtat e lexuar, ca do të rrudhin buzët, e ca akoma do të nënqeshin me qesëndi. Ani, do të shkruaj…

Imazhet e hershme fëminore ma risjellin atë në mendje ndërsa majë një biçiklete nxitonte mes diellit, shiut e borës, të mbërrinte në destinacionin e tij të përditshëm. Në punën si mësues, në një fshat disi larg qytetit provincial ku gjallonte.

Në vitet e mësimdhënies, gjuhësia do të ndërthurej me solfezhin, mandolinën, mbase pasion prej origjinës romantike amënore, përzier në netët e vona pa gjumë me kuturinë për t’i sjellë në binarë oraret shkollore të kolegëve, si një lojë shahu pa fund e me shumë kokëçarje.

Por do të bënte dhe teknikun e zërit në institucionet kulturore të kohës, siç do të kishte pasion të përmbushur dhe prodhimin e aparateve radiofonike dhe amplifikuese; një aventurë më vete.

Koha kur një rend qeverisës po ia linte vendin një tjetri do ta gjente atë mes themeluesve të degës lokale të demokratëve, me numrat e parë të RD-së të shpërndarë zhurmshëm në shtëpinë e tij në mes të Peshkopisë. I njëjti njeri do të ishte mes të parëve që do të ngrinte krye publikisht ndaj transformimit pak nga pak jo për mirë të organizmit të parë partiak opozitar. E kur? Mu në kulmin e suksesit të parë elektoral!

I përshkuar nga kontraste të forta, siç ngjet rëndom me natyrat që gjenialitetin e kanë të brendaqenësishëm, ai do të paguante çmimin që ta detyron pashmangshëm provinca, duke i hyrë një sipërmarrjeje të dështuar që në krye të herës, për ta mbajtur vrapin në Turqi, prej nga kishte një pjesëz dhe në gjakun e tij.

Stambolli, flladi i Bosforit, perëndimet e papërsëritshme të diellit, minaret pushtetplotë, gjithçka e këtij metropoli të magjishëm do t’i jepte jetë suksesit në pasionin e tij letrar. Aty ku ai kishte gjetur veten, aty ku do duhej ta kishte patur veten ngaherë…

Herë si shkrues, si autor, herë si polemizues publicistik, maja e veprimtarisë së tij do të ishte përkthimi, shqipërimi. Mijëra faqe, dhjetëra libra të sjellë – thënë pa modesti –  mjeshtërisht në shqip, si askush tjetër, nga turqishtja. Nga poezia, proza, literatura fetare, mendimi politik…

Kompleks sa më s’ka, ai herë-herë do të provonte lëvdimin, herë-herë shpërfilljen, herë-herë kujtimin, herë-herë harrimin. Po asgjë nuk do ta pengonte të qëndronte në këmbë, për të bërë më të mirën në fushën e tij të parapëlqyer. Krahas korpusit të përkthimeve me ngjyrim religjioz, mes kulmeve të punës së tij do të ishin “Mesnevia”e Rumiut, “Fletët” e Ersojit, si dhe kryevepra ideore e Ahmet Davutogllusë, “Thellësi Strategjike”.

Në të njëjtën barkë të jetës për ca mote në Adapazar e Stamboll, e patëm përjetuar keq dikur së bashku ikjen nga kjo jetë të një gazetari të njohur turk, Kenan Onukut, ashtu si shumë më vonë, në një mjedis tjetër, të Mehmet Ali Birandit. Të dy ishin pjesë e mbrëmjeve të përbashkëta në të dashurën shtëpizë në Fatih, bashkëshoqërues të çajit të pandashëm. Por kur një bashkëpunëtor i herëpashershëm i tim ati, miqësia me të cilin ishte tërë dritëhije, Muhammed Aruçi, do të ndahej po ashtu nga kjo botë, ndjeva se ora po trokiste. Humbjen këtë herë do të isha i detyruar ta përjetoja i vetëm!

Në ndihmë vjen sërish Mehmet Akif Ersoji, nga e njëjta dorë shqipëruese, mbase enkas për mua:

Në vesh, kënga e fyellit, vajtim,

Në vesh, shushurima e ujit, vajtim,

Në vesh, zhurma e erës, vajtim;

Kur ti u jep buzëqeshje qiejve,

Në vesh kujtimi yt më vjen si vajtim! /tesheshi.com/