Nga Bujar M. HOXHA: Sinorët e përdhosur të KMSH-së

Intriga e zgjedhjes së kryetarit të ri të Komunitetit Musliman të Shqipërisë mori zgjidhje në njëfarë mënyre me një emër të ri tani në krye. Nën një vëmendje maksimale mediatike, procesi nisi dhe mbaroi ashtu siç nis dhe mbaron çdo punë në Shqipëri. Duke filluar me një njoftim të vonë për zgjedhjet, për të mos u lënë mundësi pretenduesve për t’u zgjedhur për të përgatitur platformën e tyre, dhe duke përfunduar me përplasje dyersh dhe me shprehje pakënaqësish prej të mundurve.

“Ta gëzojmë kryetarin e ri!” Kjo ishte fraza më e dëgjuar vetëm pak orë pas zgjedhjeve të shumëpërfolura. Sigurisht që ajo nuk kishte urimin e sinqertë brenda, por një shprehje mërie përmes ironisë.

Aspak për t’u çuditur, procesi u ndezi gjakrat dhe ca politikanëve, të gatshëm për të futur hundët në çdo gjë, të paturp për ta vënë këmbën e tyre tërë baltë dhe në një tokë të huaj për ta. Në fund, kënaqësia ishte edhe e kalemxhinjve të gatshëm për t’u marrë me muslimanët. Megjithatë, faji nuk është i tyre; ata e kanë të brendaqenësishme të keqen. Puna është te cjapi, që shkon duke qeshur te kasapi.

Rezultati i zgjedhjeve ishte ai që pritej. Kush kishte shpresuar për një përmbysje për mirë të gjendjes, duhet të jetë zhgënjyer nga pritshmëritë e buruara prej dritëshkurtësisë së tij. KMSH-ja mbeti ajo që ishte, një ishull kukullash në duar të të tjerave kukulla. Për muslimanin e thjeshtë, KMSH-ja nuk ishte, nuk është dhe nuk do të jetë për shumë kohë zëri i tij përfaqësues, por marionetë e “deep state”-it.

Dhimbja e vërtetë për këtë farsë, për këtë rrëmbim të dhunshëm shumëvjeçar të institucionit përfaqësues të bashkësisë fetare më të madhe në vend, nuk është ky përfundim, lehtësisht i mendueshëm, por paaftësia për nxjerrjen e një figure gjithpërfshirëse, të respektuar plotësisht, imponuese fetarisht dhe moralisht, që me shumë mundësi do të humbiste në atë farë gare, ama do të fitonte në sytë e publikut me sfidimin e atyre farë kandidatëve.

Dhimbja e vërtetë është pajtimi me të keqen i një klase klerike të udhëhequr nga parimi se qengji i urtë pi në dy nëna, që hedh një votë e cila mban erë nga larg e me të cilën ka vulosur fundin e personalitetit të saj.

Lëngimi i KMSH-së është lëngimi i vetë shoqërisë shqiptare, me prodhimin e pseudoelitave që i mban vetëm makijazhi, ndërsa nën këmbë kanë honin e së shkuarës së tyre. Të pseudoelitave që nuk dinë nga vijnë e se ku shkojnë, por që e dinë mirë se çfarë duan.

Është plaga e cila sa vjen e mahiset nga zëvendësimi i dalëngadaltë i njeriut të ri të komunizmit me njeriun e ri të paskomunizmit, që në mos aq i keq, është po aq i dëmshëm.

Dëshpërimi nuk është as për atë që erdhi, as për atë që shkoi, as për fytyrëshndriturin nga brisku e as për flokëshndriturin prej xhelit. Nuk mund të ketë keqardhje për groteskët. Dëshpërimi vjen prej dështimit për daljen e një figure fetare te i cili vota të shkojë vetë, prej mirësisë së tij, prej vërtetësisë së tij, prej figurës së tij të pacenueshme, prej imponimit të tij të vetvetishëm. Nuk e kemi këtë njeri prej gati dy dekadash në atë institucion që vazhdon të mbledhë grerëza e jo bletë. Nuk do ta kemi mbase për shumë kohë.

Për turp, mbetemi i vetmi vend në Ballkan ku masha puçistësh hedhin valle me lodër! /tesheshi.com/             

 

 

 

auto pjese dak

Related posts