728 x 90 Leaderboard

Nga Bajram GECAJ: Meritat e Ramushit në fuqizimin e Listës Serbe në procesin e dialogut me Serbinë!

Është plotësisht e vërtetë dhe e saktë se Lista Serbe u krijua si rezultat apo dëm anësor (collateral damage) i dialogut Kosovë-Serbi, apo, thënë më saktë, pas nënshkrimit të marrëveshjes së parë, më 19 prilli 2013, mbi normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Pakkush e ka besuar këtë në fillim. Më pastaj, në mënyrë graduale u bë e qartë se jo vetëm krijim i saj, por edhe vetë qëllimi i formimit kishin qenë pjesë përbërëse e dialogut kosovaro-serb: misioni i krijimit të saj ka qenë dhe ngelet dorëzimi i autoritetit të institucioneve paralele serbe në duart e institucioneve të Republikës së Kosovës në mënyrë të kontrolluar dhe për qëllimin e nevojat e Beogradit zyrtar. Nuk kishte fare rëndësi nëse këtë fakt e dinin dhe e kuptonin qeveritë që erdhën pas 19 prillit 2013: ato u detyruar të kuptojnë këtë realitet dhe të veprojnë e manovrojnë në suazat e tij. Që nga ajo kohë, Lista Serbe, pos interesave të tyre të ngushta individuale e grupore, kryesisht ka mbrojtur dhe avancuar qëndrimet e Beogradit zyrtar në Republikën e Kosovës, duke vepruar në vazhdimësi në bazë të dëshirave dhe urdhrave të Aleksandar Viçiq.

Ky fakt ishte vërejtur edhe në Qeverinë Mustafa, ani se ndikimi i kësaj Liste atëherë pat qenë dukshëm i kufizuar, marrë parasysh se Qeveria Mustafa nuk varej numerikisht nga Lista dhe mund të funksiononte edhe sikur ata të largoheshin tërësisht nga konstelacioni qeverisës. Kjo shpjegon pse Lista asnjëherë dhe në asnjë rast nuk tha se serbët do të largoheshin nga koalicioni qeverisës: ata e dinin fare mirë se kjo vërtetë do të shkaktonte disa telashe, posaçërisht në mbarëvajtjen e dialogut, por asnjëherë nuk do të mund të paralizonte jetën institucionale të vendit. U ngrinë e u shkrinë disa herë, mirëpo kurrë nuk arritën të shtyjnë përpara agjendën e Beogradit në dëm të interesit nacional të Kosovës. Kryeministri Mustafa, për më tepër, është i vetmi në Kosovën e pasluftës që ka shkarkuar tre ministra serb, pa shkaktuar ndonjë tronditje serioze në funksionimin e qeverisë.

Por, çfarë po ndodhë tani! Lista këtë herë u deklarua publikisht se po largohej nga koalicioni qeverisës për shkak të arrestimit të Marko Gjuriq-it, një shkelësi recidiv të ligjit dhe rregullit të brendshëm të Republikës së Kosovës. U muar vesh, tanimë është e qartë për çdokënd se arrestimi i tij u bë për efekt mediatik e me qëllim të pastër politik, asnjëherë për vënien në jetë të sundimit të rendit dhe ligjit. Kjo, posaçërisht kur merret parasysh ai “spektakël” i cili e shoqëroi këtë arrestim dhe lirimi i tij i menjëhershëm pa ndonjë konsekuencë ligjore.

Zyrtarët e Listës deklaruan publikisht, disa herë me radhë, se ishin larguar nga koalicioni qeverisës, duke rezultuar kështu që edhe deputetët e tyre të dislokohen fizikisht nga ulëset e mëparshme afër deputetëve tjerë të koalicionit. Mbijetesa e këtij koalicioni qeverisës, megjithatë, varet në tërësi nga votat e kësaj Liste, gjë që shpjegon pse Ramush Haradinaj në vazhdimësi deklaron se Lista nuk e ka lëshuar qeverinë, duke shkaktuar kështu një situatë konfuze dhe tej mase të dëmshme: Qeveria duket se insiston ti mbaj pranë, siç thotë populli, “me qykë të zorit” dhe me çdo kusht, në kundërshtim me veprimin dhe vullnetin e tyre të shfaqur publikisht.

Këtë domosdoshmëri dhe vartësi të Qeverisë Haradinaj nga kjo Listë dhe nga vota e tyre po e shfrytëzon në mënyrën më perfide Presidenti i Serbisë dhe Beogradi zyrtar. Një qeveri e dobët dhe me probleme serioze të brendshme i konvenon më së shumti atyre, pasi që nxjerr një Kosovë të paaftë të merret me çështjet vitale të marrëdhënieve në mes dy shteteve, dhe mundëson rezultate të cilat më shumë do ti konvenonin fqinjit tonë verior.

Lista Serbe mban një pozitë të dykuptimtë, siç thotë populli, “as në tokë e as në qiell”, duke shfrytëzuar të gjitha të mirat dhe privilegjet të cilat i mundëson të qenurit në qeveri, por në të njëjtën kohë duke refuzuar të luaj me rregullat demokratike të një koalicioni qeverisës. Një ministër i cili zyrtarisht nuk është pjesë e qeverisë, prapëseprapë largon funksionar të lartë qeveritarë nga posti i tyre publik dhe, njëkohësisht, ndanë buxhet për komunat me shumicë serbe në kundërshtim me parametrat paraprake buxhetore. Kjo shpjegohet vetëm me faktin se Qeveria Haradinaj është pengë e Listës Serbe.

Se kjo qeveri është e gatshme të lëshoj pe edhe në çështjet me interes nacional e shpjegon edhe vullneti i shprehur i kryeministrit Haradinaj për të përkrahur krijimin e komunës së Gorës, pa asnjë analizë paraprake. Ne kishim një intencë për një studim fizibiliteti mbi funksionimin e gjithanshëm dhe të gjithmbarshëm të komunave në kohën e pasluftës, por që me hapat e Ramushit duket sikur ka rënë përtokë. Posaçërisht dëshpërues është fakti se duket sikur rënia përtokë e kësaj intence të rëndësishme e fisnike të qeverise parapake po bëhet për shkak se ky vullnet i Ramushit për komunën e Gorës ka gjasa reale të jetë shkëmbyer për votën e deputetit nga komuniteti goran.

Kemi dëgjuar zëra, duke përfshirë edhe timin, se nuk do të kishte asgjë të keqe nëse kjo qeveri do të përmbysej edhe me votat e Listës Serbe, në veçanti nëse kjo do të bëhej pa kushtëzime, pasi që edhe ata janë deputetë të Republikës së Kosovës, të zgjedhur në zgjedhjet republikane. Çështja, besoj unë, nuk është a bën të përdoren këta deputetë për përmbysjen e qeverisë, por a do të pranonin ata ta bënin një gjë të tillë. Kjo posaçërisht pasi që Beogradit zyrtar i konvenon një qeveri e tillë, e jo qeveri e mirë e stabile e cila nuk do të kishte asnjë vartësi nga ta. Kjo madje mund të ishte edhe arsyeja kryesore pse Lista Serbe u ishte bashkuar partive tjera politike për të rrezuar Qeverinë Mustafa.

Aleksandar Vuçiq më në fund ka nxjerrë formulën se si të luaj dhe manipuloj me skenën politike kosovare, duke maksimizuar varësinë e pushtetit tonë nga vullneti i tyre. Lista Serbe, me statusin, siç thotë populli, “edhe me shehër edhe me Barilevë”, është shndërruar në një instrument të fuqishëm, i cili do të përdoret në kufijtë maksimal posaçërisht gjatë procesit të rëndësishëm të rrumbullaksimit të dialogut me Beogradin. Prandaj është e rëndësisë vitale nacionale të shkojmë në zgjedhje të hershme parlamentare, ti shtrëngojmë radhët tona, dhe në dialogun përfundimtar të hyjmë si shtet dhe shoqëri mirë e përgatitur; përndryshe, “marrëveshja ligjërisht e obligueshme” do të mund të na sjellë shumë kokëçarje dhe plot probleme të reja. /tesheshi.com/

Related posts