Auto Dak
Auto Dak

Nga Artan HOXHA? Flamujt anglezë pushtojnë Shkrelin (viti 2002)

Në korrik të 18 viteve më parë, një skandal do përfshinte qeverinë shqiptare, atë që drejtohet nga Ilir Meta si kryeministër, pasi në një aksion anti-drogë në veriun e vendit, forcat e rendit do ngatëronin kanabisin me kërpin industrial. Ministër i linjës ishte Spartak Poçi.

Gazetari Artan Hoxha që e investigoi rastin, atëherë pjesë e stafit të gazetës Shekulli, më e lexuara për kohën, raportoi kështu një vit më vonë, si parantezë për një reportazh në Shkrel, aty ku u konsumua gafa e madhe e shtetit nën drejtimin e Ilir Metës, njeriut që sot është president.

Raportimi:

“Skandali i kërpit të Shkrelit nisi në mesin e verës së vitit të kaluar (2001), kur mbi 100 forca policie u lëshuan me kosa e zjarr në duar mbi të mbjellat e fermerëve të fshatrave Dedaj, Reç e Zagore. Operacioni i policisë u cilësua si më i madhi i zhvilluar ndonjëherë kundër bimëve narkotike jo vetëm në Shqipëri por dhe Europë.

Gjithë pompozitet, Ministria e Rendit deklaroi në media se nga datat 12 deri në 18 korrik, forcat e policisë së anti-drogës, të mbështetura nga policia e Koplikut dhe e Shkodrës, arritën të asgjësonin plot 524.900 rrënjë kanabis sativa, i njohur ndryshe në gjuhën popullore si hashash.

Gjatë operacionit i arrestuan dhe katër shtetas, ndërkohë që kryetari i komunës së Shkrelit, Martin Pëllumbi, u shpall në kërkim dhe qëndroi i fshehur për 6 javë me radhë. Por shumë shpejt situata precepiton nga një sukses i policisë në luftën kundër drogës, në dështimin më të madh të saj, pasi gabimisht kishte shkatërruar të mbjellat e fermerëve të varfër të Shkrelit, të cilët ishin duke vënë në zbatim një projekt të financuar nga një fondacion me reputacion në Britaninë e Madhe.

Fillimisht ishte publikimi i skandalit në gazetën Shekulli dhe më pas ndërhyrja në ambasadën angleze në Tiranë, që e detyruan Ministrinë e Rendit të lironte të arrestuarit dhe të pranonte gafën”.

Më më pas, gazetari Hoxha i kushton këtë këtë reportazh fshatit të damkosur:

Flamujt anglezë pushtojnë Shkrelin

Sapo lë qytetin e vogël të Koplikut, tej në horizont të shfaqet krahina e Shkrelit. Jemi duke u kthyer në këtë zonë të Veriut  një vit pasi aty, policia shqiptare shkaktoi një skandal banal, duke shkatërruar mbi 500 mijë bimë të kërpit industrial në vend të bimëve narkotike. Në pamje të parë pothuajse nuk ka ndryshuar asgjë. Të shfaqet sërish po ajo pamje, me një fushë sa të ha syri të lënë djerrë, ku nuk duket qoftë dhe një pëllëmbë tokë e punuar. Tej në horizont qëndrojnë të njëjtat male të thepisura, ngjyrë gri.

I vetmi ndryshim është fakti se këtë radhë, vera përvëluese  ende nuk ka hyrë dhe sfondin e përzhitur të një viti më parë e ka mbuluar një gjëlbërim i harlisur. Në rrugën automobilistike nga Kopliku në Dedaj, që është qendra e komunës së Shkrelit, janë shtuar dhe 2-3 km asfalt. Por gjithsesi, më shumë se gjysma e rrugës vazhdon të jetë i shtruar me të njëjtin kalldrëm me gurë të bardhë, gjë që nuk e kanë bërë shqiptarët por ushtarët austro-hungarezë qysh nga Lufta e Parë Botërore. Sapo i afrohemi qendrës së komunës, shohim gjithandej flamuj karakteristikë të Britanisë, ndërsa sipër degëve të një rrapi shekullor valëvitet një beze e bardhë ku është shkruar me të kuqe: “Mirëseerdhe miku i Shkrelit, Xhorxh Skot”.

Në qendër të Dedajt ndodhen tre lokale, të cilat janë të mbushura plot me njerëz. Dedaj ka veshur nurin e një dite feste, ku gjithandej, flamujt britanikë janë shoqëruar me flamuj kombëtarë shqiptarë. Fëmijët e shkollës por dhe më të rriturit, mbajnë në duar flamuj të vegjël britanikë, a thua se aty është e vetmja shpresë për ndryshimin e jetës së tyre. Sapo zbresim nga makina takojmë kryetarin e komunës, Martin Pëllumbi dhe disa banorë të tjerë të fshatit,të cilët një vit më parë na kanë shoqëruar në parcelat e mbjella me kërp që ishin shkatërruar nga policia. Mësuesi veteran, 77-vjeçari Ndoc Dedaj, thotë se ka ndryshuar mendje për gazetat qysh kur një vit më parë ato hodhën dritë mbi të vërtetën e aksionit antidrogë të policisë në Shkrel. Agronomi Brahim Maleci, ish-i arrestuar nga policia si kultivues i bimëve narkotike, shprehet se “mediave dhe ambasadës britanike u jemi mirënjohës, pasi përndryshe do ishim kalbur burgjeve, jo vetëm si trafikantë droge por dhe si bashkëpunëtorë të rrezikshëm anglo-amerikanë për Shkrelin”. Maleci është gjithashtu dhe sekretari i shoqatës së fermërëve të Shkrelit dhe thotë se “tokën e kemi gati për mbjelljet e reja të kërpit, por jemi në pritje të farës nga Anglia”.

Ndërsa kryetari i komunës Martin Pëllumbi deklaron se e “vetmja shpresë për të përmisuar sadopak jetesën në këtë skaj të Shqipërisë, është ndihma e ofruar nga britanikët, pasi nga shteti shqiptar na vijnë vetëm 13 milion lekë të vjetra në muaj, të cilat duhet t’jua pjesëtoj 700 familjeve të varfra të komunës”.

Shkreli është një nga komunat më të mëdah në veri të vendit, e përbërë nga 15 fshatra dhe 7 mijë banorë. Sipërfaqja e punueshme e tokës është jashtëzakonisht e vogël, ndërkohë që krahu i punës mungon, pasi mbi 2 mijë burra janë larguar në emigracion, sidomos në Angli dhe Amerikë. Ndryshe nga zonat e tjera në veri të vendit, banorët e Shkrelit nuk i kanë braktisur kullat apo shtëpitë e tyre, pavarësisht se djemtë kanë emigruar. Pëllumbi thotë se “mosbraktisja e vendlindjes është një veçori karakteristike në këtë zonë. Në Shkrel askush nuk është larguar drejt qyteteve të mëdha të vendit. Kush e ka marrë inisiativën për t’u larguar, ka shkuar deri në Angli e Amerikë. Janë ata djem që punojnë në emigracion, të cilët sigurojnë mbijetesën e banorëve të Shkrelit”.

Një tjetër dallim spikatës është dhe fakti se në zonën e Shkrelit nuk ka asnjë hakmarrje apo vrasje viteve të fundit, edhe këtë banorët ia dedikojnë bashkëpunimit reciprok.

Agronomi Maleci thotë se “po të ishte në dorë të shtetit a politikës, ne do të kishim pësuar fatin e vëllezërve tanë të veriut të Shqipërisë, si në Tropojë apo Shkodër”. Ndërsa mësuesi veteran Ndoc Dedaj, shton se “shteti një vit më parë deshi të na vinte një damkë që s’e meritonim, të na bënte trafikantë droge, por shyqyr Zotit shashka u plasi ndër duar e u nxiu turinjtë atyre e jo malësorëve të varfër të Shkrelit”.

Edhe në Shkrel shpresa vdes e fundit. Ndryshimet në jetën e malësorëve të Shkrelit, edhe pse janë aq të padukshme, mbajnë gjallë shpresat e tyre për ditë më të mira. Fshatarët flasin me mirënjohje për një prift katolik nga Shkodra që ka pajtuar një mësues anglishteje nga Kopliku, i cili vjen dy ditë në javë në Dedaj dhe u mëson gjuhë të huajn fëmijëve të vegjël.

Në Shkrel nuk hyjnë valët e asnjë televizioni shqiptar, qoftë privat apo publik. Kanali i vetëm shtetëror shfaqet ndonjëherë më të rrallë, por repiditori i tij buzë kufirit me Malin e Zi, më parë prishet sesa ndreqet. “Lajmet i ndjekim me antenë satelitore”, thotë Qamil Memçaj, kryeplaku i fshatit Reç. “Për dritat hoqëm të zitë e ullirit gjatë dimrit, por ka rreth një muaj që kemi patur edhe pse është rritur vlera e faturës aforfe”, thotë Martin Pëllumbi. Një kryefamiljari në Shkrel i duhet të paguajë 15 mijë lekë të vjetra në muaj për energjinë elektrike, pothuaj gjysma e përkrahjes sociale që merr nga shteti. “Megjithë varfërinë e madhe që ka zona, ne si komunë vendosëm që ta paguanim energjinë gjatë këtij muaji dhe shteti arriti të arkëtonte paratë nga të gjitha familjet e Shkrelit”. Ndërsa për ujë as qëbëhet fjalë. Në dy çesmat e vetme popullore të fshatit, gratë qëndrojnë me orë të tëra në radhë për të mbushur ujë. Gjithsesi, një vit pas skandalit të kërpit, malësorët e Shkrelit janë po aq të vendosur për ta kultivuar bimën industriale që mund të ndryshojë jetesën e tyre.

Shkruar më 10 maj 2002 – /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts