Nga Ali PAJAZITI: Kriza në familjen e shekullit XXI, konteksti ballkanik dhe ai shqiptar (II)

Ndikim negativ tek familja kanë edhe serialet e ndryshme që kanë krijuar një klientelë gjithë ballkanike dhe përtej, që gjejnë “kurbanë” te grupet e ndryshme moshorë që lidhen pas tyre në mënyrë marramendëse, që bëhen ndjekës të pasionuar dhe shpeshherë skemat e serialeve mundohen t’i jetësojnë në përditshmërinë e tyre, gjë që shkakton tërmete familjare, zënka, tradhti, divorce etj.

“Këto seriale afirmojnë një mënyrë sekscentriste të jetesës, një botëkuptim të cekët, një shthurje morale që kap në grepin e vetë turma të mëdha njerëzish jo vetëm tek ne por edhe në shumë vende të botës. Marrëdhëniet që mbizotërojnë në këto seriale shkaktojnë ngjalljen e një imagjinate sifilmike që i shtyn njerëzit të konstruktojnë jetën e tyre si tek x apo y filmi, shkaktojnë ‘legjitimimin’ e tradhtive, dashuriçkave etj.”

“ Tragjedia më e madhe qëndron aty se këto seriale i shikojnë të gjita grupet moshore, madje edhe fëmijët, të cilët si një qenie e dëlirë përfshihen në harkun e ndikimit të këtyre filmave degradues dhe deeticizues. Humbja e kohës duke ndjekur kreativitetin denigrues të regjisorëve ngatërrestarë fatesh shpie në falimentim zhvillimor fëminor dhe ngathtësi inteletkuale te më të rriturit.” (Pajaziti, 2016b)

Kriza familjare dhe “krisja tipologjike” e familjes është prezente edhe në Shqipëri dhe ndër shqiptarë në përgjithësi. Dikur familja shqiptare tradicionale ka qenë e zgjeruar, me shumë anëtarë që jetonin nën një kulm dhe kishin zotin dhe zonjën e shtëpisë, si qëllim jete ka pasur shtimin e antarëve të shtëpisë dhe të familjes nëpërmjet martesës, lindjes së fëmijëve, zhvillimin trupor dhe mendor të antarëve, kurse sot, ajo po katandiset. (Gjergji, 2016) Sipas një analisti, “familja shqiptare nuk është më”. Numri personave në familje ka zbritur nën katër,  kurse divorcet shënojnë rritje dyshifrore për vit. Familja shqiptare po tkurret dhe po shpërbëhet, është në depresion. “Krimi në familje është kthyer në një fenomen të frikshëm dhe kjo ndikon negativisht jo vetëm në integritetin fizik, psikologjik, ekonomik dhe social të pjesës më të ndjeshme të shoqërisë (grave, fëmijëve, të moshuarve), por edhe në stabilitetin e familjes tradicionale”. Sipas tij, defunksionalizimi i familjes ka sjellë defunksionalizimin e elementëve më të qenësishëm të jetës sociale të njeriut. (Bakiu, 20016) Në kontekstin shqiptar shënohet edhe dukuria e dominimit  mashkullor ndaj femrës. Këtë e ilustron edhe rrëfimi i Dorinës, 22 vjeçe, e divorcuar, nënë me një fëmije: “Shumica e burrave shqiptarë nuk e vlerësojnë gruan. Ata i konsiderojnë gratë si skllave që duhet të kujdesen për fëmijët, për shtëpinë, të bëjnë të gjitha punët dhe kaq.” (Baben, 25) Ndërkohë ndaj femrës ushtrohet dhunë fizike, dhunë seksuale, ajo shndërrohet në objekt trafikimi. Rritja e prostitucionit dhe trafikimit të vajzave dhe grave ka bërë që në shumë zona rurale rreth 90% të adoleshenteve të braktisin arsimin e mesëm nga frika e rrëmbimeve (Save the Children Report, 2001). Sot nuk janë të rralla rastet kur femra nga Shqipëria “tregtohen” si nuse në Serbi, Bosnjë (në pjesën serbe) e Maqedoni (Blic, 2011, Вечер, 2014, Telegraf, 2017).

Dhuna në familje, mbetet një fenomen shqetësues në Kosovë. Vetëm në vitin 2016 janë shënuar 1225 raste të dhunës. Kjo është shifra e rasteve të raportuara në Policinë e Kosovës, kurse të shumta janë edhe rastet e dhunës brendafamiljare që mbahen fshehtë – shkruan Indeksonline. Prej këtyre statistikave të Policisë, janë evidentuar 987 viktima femra dhe 259 meshkuj. Një konstatim empirik është se në rajonet ku fryma islame është më e gjallë, edhe devijimet sociale, dhuna familjare, divorcet janë më të pakta, kurse përkujdesja për të moshuarit është ‘ligj’. Kjo në veçanti vlen për shqiptarët e Maqedonisë, që njihen si pjesa më konservatore e shqiptarisë, ku martesat ende janë trend (Топузовска Латковиќ, M. et. al., 2013: 19), kurse shtëpitë e pleqve për shqiptarë nuk ekzistojnë. “Në Maqedoni funksionojnë gjithsej 25 shtëpi të pleqve, nga të cilat njëzet në Shkup, dy në Manastir dhe nga një në Negotinë, Kumanovë dhe Prilep”, ku thuajse nuk ka shqiptarë. (Portalb, 2017)

Të gjitha të dhënat dhe gjetjet kuantitative flasin për faktin se familja globalisht është në krizë, gjë që reflektohet edhe në kontekstin tonë të Maqedonisë dhe në atë shqiptar. Familja e periudhës së globalizimit shkon kah shpërbërja, në to nuk ka vend për tre breza. Procesi i shekullarizimit apo i dobësimit të ndikimit të fesë ka ndikuar në dobësimin e lidhjeve familjare. Mungesa e pleqve dhe tkurrja e familjes sjellin problemet që kanë të bëjnë me socializimin. Siç është shprehur një shkrimtar, kriza e “gjeneratës së Coca Cola-s dhe kompjuterëve” është edhe për shkak të mungesës së përallave që mësoheshin në prehërin e më të vjetërve. Sot ka tendenca që disa funksione të familjes t’i kryejnë institucionet e reja: kopshti i fëmijëve, shkolla, konvikti, shtëpia e pleqve, shtëpitë e strehimit, deri te “monstrumi social e moral” i quajtur “Big Brother”! Prej tipit tradicional të familjes, që ishte një ambient i ngrohtë njerëzor, social, etik, moral dhe edukativ, familja ka marrë pamje të një anarkie sociale, është shndërruar në arenë konfliktesh, me tendenca individualiste e pavarësi ekonomike të pjesëtarëve të saj si te bashkëshortët ashtu edhe te pjesëtarët e tjerë të familjes. (Fetahu, 2012) Nga analiza e bërë arrijmë te konluzionet dhe rekomandimet specifike në vijim:

  • Problemet familjare janë të vjetra, shënohen në çdo periudhë të historisë njerëzore, por sot me përmasa më të mëdha.
  • Shthurja thellësinore e familjes të kohës sonë, mes tjerash është pasojë e moderniz(i)mit dhe materializmit radikal.
  • Modernizmi ka prurë jetesën e pavarur paramartesore, shtyrjen e martesës dhe bum në numrin e njerëzve në moshë.
  • Mediatizimi i seksualitetit dhe serialet e ndryshme plot intriga, tradhëti bashkëshortore e dëmtojnë rëndë familjen.
  • Zbehja e ndjenjave fetare është në proporcion të zhdrejtë me shëndetin e familjes, sa më shumë që dobësohet fetaria aq më tepër cenohet familja.
  • Familja shqiptare ende ka potencial për mbijetesë të shëndoshë, duke e pasur parasysh frymën tradicionale të saj, ndonëse është lënduar shumë nga fryma e kohës. /tesheshi.com/

 

 

Related posts