Nga Ali PAJAZITI: Fjalori i Sociologjisë

“Mes të vdekurve të pakënaqur është edhe përpiluesi i fjalorëve, që për njerëzimin nuk është nxënës i dijes, por skllav i saj. Çdo autor tjetër mund të aspirojë lavde, kurse leksikografi mund të shpresojë vetëm t’u shpëtojë qortimeve.” (Samuel Johnson, 1755)

 Fjala e shkruar, terminologjia, esetë, artkujt, fjalorët, librat, lekikonët dhe enciklopeditë  janë gurët kilometrikë të çdo qytetërimi, janë shpirti i kulturës dhe i vlerave të një shoqërie. Pa to as individi e as bashkësia nuk mund të jetojnë realisht, nuk mund të vetërealizohen plotësisht; nuk mund ta gjejnë veten në agorën e jetës dhe të garës mes shoqërive, në veçanti të atyre moderne, kur dija dhe dituria janë shenjat dominante të epokës së katërt. Lidhur kategorinë e  fjalorëve, poesti i mirënjohur Berk ka thënë: “Fjalorët janë kryeveprat e mia, i mbaj me vete kudo që shkoj.”

Sociologjia si disiplinë e ndihmon njeriun për të kuptuar shoqërinë njerëzore, konstruksionet sociale, praktikat dhe proceset e ndryshimit social, ndërveprimet shoqërore, me një fjalë dukuritë që ndodhin në konditat sociale. Sociologjia është përpjekje për të kuptuar, analizuar dhe interpretuar mënyrën se si funksionon sistemi shoqëror. Vepra Fjalor i sociologjisë, e autori të këtij telsti u botua në vitin 2009 dhe, që prej atij viti e këndej, koha i rezervoi një asaj një status speficik, duke e bërë pjesë të rrethit dhe “tregut” akademik shqiptar, të kurrikulave dhe syllabuseve universitare, një shoqërues të intelektualëve, referencë për opinionistët, doracak për nxënësit dhe studentët, si dhe një libër në duart e lexuesit të gjerë që synon njohuri për zhvillimet shoqërore, për shkencën e sociologjisë e më tej.

Me lexuesin e Fjalorit jemi takuar gjithandej: nëpër klasa, salla e amfiteatro, në konferenca e simpoziume, në promovime, në panairet e librit, në rrugë, në kafene, në autobus, në trojet shqiptare e në diasporë, dhe fjalët e mira të lexuesve janë kurora e një vlere që s’mund të shprehet e as të kuantifikohet lehtë. Lexuesit tanë i  kemi takuar edhe nëpër poshtëshënime, bibliografi, në detyra kursi, në teza masteri e disertacione doktoratash; në botën reale e në atë virtuale. Mes të tjerash, fletët dhe zërat e Fjalorit kanë qenë një ndihmë edhe për vetë ne, duke na hapur shtigje në shumë leksione universitare, në ligjërata të tjera formale e informale, në shumë artikuj, intervista e prononcime mediatike, në shkrimin e librave të tjerë, si dhe në krijimin e një atmosfere kreative proshkencore në familjen tonë.

Në fakt, vetë procesi shumëvjeçar i përgatitjes së tij dhe ndërveprimi me njerëzit që mblodhi kjo nismë janë një shkollë për ne, një mësonjtore e jetës, ku kemi njohur më në detaje një mori burimesh, teknikash kërkimore, metodologji e procedura leksikografike, botën hulumtuese klasike dhe atë moderne, por edhe botën e qenies humane në frymimin e saj më të natyrshëm. Kjo ndërmarrje na ka bërë vëzhgues dhe shpjegues të trendeve shoqërore ndër ne e më gjerë, me një fjalë, na ka bërë aktorë socialë.

Dhe sot, kur nuk ka mbetur asnjë kopje stok, u ndodhëm përballë nevojës së ribotimit apo botimit të dytë. Kjo u bë e mundur falë bashkëpunimit me shtëpinë botuese Logos-A, një vatër e librit cilësor. Me pak fjalë, vendosëm ta botojmë përsëri, duke plotësuar kështu këtë zbrazëti që ndihet në domenin e veprave të kësaj kategorie, si dhe duke frymuar e qeniesuar me dijembledhjen dhe kujtesën si homo socialis, homo intellectualis dhe homo educandus, për të kontribuar më shumë në zhvillimin e imagjinatës sociologjike ndër ne.

Kolegët, miqtë dhe lexuesit e të gjitha profileve për mbështetjen, sugjerimet, komentet dhe kritikat vazhdojnë të na japin një dorë të mirë në përmirësimin e kësaj vepre, për çka i falënderojmë.  

Tani kemi gati një listë të gjerë me zëra të rinj që synojmë të arrijnë numrin pesëqind, e që do të përfshihen në botimin e radhës, i ripunuar me një gamë poshtë-lart prej gjithsej dymijë zërash. Ne na takon të përpiqemi, kurse frytet i jep i Madhi. /tesheshi.com/

 

 

 

Related posts