728 x 90 Leaderboard

Nga Albina FERKO-NANAJ: Dy janë fjalët më vrasëse në botë: është vajzë!

Sipas përllogaritjeve që nga viti 1990 në Shqipëri janë vrarë 33 000 fetuse bebesh vetëm për arsyen e thjeshtë se ishin vajza. Aborti selektiv ka bërë kërrdinë ndër ne dhe ka prishur ekuilibrat shoqëror, por mbi të gjitha ka forcuar çdo ditë e më shumë stigmën se të lindësh femër qenka krim. Është krim për atë që e sjell në jetë e krim shumë i rëndë edhe për vet të lindurën që sapo i vjen shpirti në mitrën e nënës damkoset me vulën e fajit. Aborti selektiv është tipar i shoqërive të prapambetura patriarkale që anatemojnë çdo vlerë e tipar femëror.

Këto shoqëri e shohin femrën si fatkeqësi, si gjëmë të madhe që bie mbi familjen e mbi të gjithë. Edukimi dhe investimi tek vajzat shihet si një mund i çuar dëm, që as nuk vlen të ndërmerret, ndaj shpesh shqiptarët i bien shkurt duke i vrarë foshnjat e tyre ende të palindura. Ky është tregues i barbarisë dhe primitivizmit që për fat të keq njësoj siç merr jetët e vogëlusheve të palindura, ashtu njësoj me të njëjtin makabritet merr jetët e dhjetra grave e vajzave çdo vit për arsye nga më banalet.

Gjithë kjo sjellje shpërfytytuese buron prej ndjenjave pronësore që burrat kanë ndaj grave, ndaj bijave, ndaj motrave dhe ndaj nënave madje.

Aborti në vetvete është një krim ndaj qenieve më të pafajshme e më të pambrojtura, që ne humanoidëve normal na lind detyrimi t’i mbrojmë e t’iu garantojmë një të ardhme të begatë. Por duke kaluar përmasat e një krimi sa moral aq edhe ligjor, aborti i bebeve femra është një spastrim me baza gjinore. Duke i prerë të drejtën e jetës një fetusi të palindur ne i tregojmë ëngjëjve të palindur brutalitetin tonë dhe njëkohësisht iu tregojmë të gjitha grave dhe vajzave të gjalla se nuk janë të denja për të gëzuar të drejtën e jetës, lirisë apo nderit. Çdo frymëmarrje e tyre në këtë botë varet nga burrat dhe për këtë duhet t’iu jenë mirënjohëse atyre.

Në këto vitë të gjata tranzicioni, pozita e gruas në shoqërinë shqiptare ende lë shumë për të dëshiruar dhe të jemi të sinqertë nuk është ndonjë fat apo privilegj të lindësh femër në këtë vend, përkundrazi. Sot e ndër vite gratë bëjnë punët më të rënda, paguhen më keq, janë të robëruara ekonomikisht e nuk mund të vendosin të lira për të ardhmen e tyre. Sot e ndër vite gruaja dhunohet e përdhoset nga kush të mundet që nga familjarët më të afërt e deri tek punëdhënësit apo kalimtarët në rrugë që i japin vetes të drejtë ta shohin shtrembër vetëm pse është femër. Kontributi i grave në familje shihet si i padobishëm, i kotë apo edhe inferior, kur në fakt statistikat tregojnë se gratë kalojnë më shumë orë duke i shërbyer fëmijëve, bashkëshortëve apo duke bërë punë shtëpie edhe pse janë më të arsimuara dhe të afta se meshkujt përsëri bëjnë punët më të rëndomta që paguhen shumë më pak, ose aspak.

Po njësoj e papranueshme është trajtimi i grave dhe vajzave si objekte zbukurimi e aq më tepër si objekte seksi. Shpesh figurat fëmërore i përdorin gjerësisht për të shitur e për të fituar vëmendje, fenomen që ndodh kryesisht në media dhe shoëbiz. Vajzat paraqiten si kukulla silikoni të modeluara në seri, mendjelehta e koketa, sipërfaqësore e aspak të zgjuara. Në gojët e tyre vendosen idiotësi e absurditete që e steriotipizojnë edhe më shumë gjininë femërore si të paaftë për të udhëhequr procese të ndërlikuara me ndikim në shoqëri. E gjitha kjo retorikë përcillet si emancipim dhe liri e femrës, por në vetvete i shërben axhendës patriarkale për ta mbajtur gruan të nënshtruar. Nëse gruaja rifiton pozitat dinjitoze që i takojnë, sigurisht që bëhet problem që cënon status quonë tashmë të vendosur të elitave kryesisht misogjene.

Sigurisht që tregues të tillë janë deprimues për një shoqëri që aspiron një të ardhme më të mirë të ndërtuar mbi bazën e vlerave dhe meritokracisë, por vlen të theksojmë se përkundër këtyre 33 000 jetëve të marra ka edhe shumë jetë të tjera që i kanë shpëtuar kosës së selektimit gjinor e që i kanë dhënë ngjyra të tashmes e premtojnë shumë për të ardhmen e vendit tonë. Nëse djemtë mbajnë e trashëgojnë mbiemrin, vajzat mbajnë e trashëgojnë të jetën. E ardhmja nuk mund të jetë e plotë dhe e begatë pa gjysmën e shoqërisë, pa vajzat dhe ato duhet të jenë jo vetëm të ditura e të edukuara, por edhe të kenë rol kyç në proceset shoqërore.

Gruaja ngërthen në qenien e saj forcën, intelektin, mëshirën, vullnetin, vendosmërinë për të lënë gjurmë në shoqëri, po aq sa një burrë. Forca e një kombi qëndron pikërisht në duart që përkundin djepin e mëkojnë me dashuri e dije jetën e re. E ardhmja e një vendi kushtëzohet pashmangshmërisht nga pozita e gruas në atë shoqëri, nëse ajo është e nëpërkëmbur, edhe e ardhmja nuk premton gjë tjetër. Të gjithë siç jemi duhet të ndërgjegjësohemi se gjninia nuk na bën as superior e as inferior, por janë vlerat tona që duhet të na përcaktojnë vendin në shoqëri. Sot se nëser është vonë! Sot t’iu themi ndal abuzimeve, shtrembërimeve që kërcënojnë vitalitetin dhe qëndrueshmërinë tonë si komb. Nëse numri i martesave bie, nëse numri i divorceve rritet, nëse numri lindjeve ulet, nëse djemtë emigrojnë dhe vajzat i vrasim, çfarë të ardhme po i ofrojmë si shoqëri këtij vendi? Mos i vrisni vajzat. Mos i vrisni gratë. Mos i vrisni foshnjat! /tesheshi.com/

Related posts