Nga Abdullah AL-ARIAN: Dënim me vdekje për lirinë në Egjipt

Si diçka nga një film tmerri bombastik i viteve 1940, të vdekurit po ngrihen në Egjipt dhe po terrorizojnë popullsinë. Në vendimin e tmerrshëm më të fundit të drejtësisë egjiptiane, Muhammed Mursi u deklarua fajtor me akuzat e përgatitjes së një plani për një arrati të guximshme nga burgu në vitin 2011 me ndihmën e Hamasit, dhe gjithashtu me akuzat shtesë për komplotim me agjentë të huaj kundër vendit gjatë presidencës së tij jetëshkurtër.

Por, sipas një zyrtari palestinez në Gaza, tre prej bashkëkomplotistëve të supozuar të Mursit kishte vite që kishin vdekur në kohën që Mursi kreu shkeljet për të cilat mori të shtunën dënimin me vdekje.

Në një rast të vdekjes që imiton artin, “teoria e mumjes” duket të ketë ndikuar mbi panelin e gjykatësve në një gjykatë egjiptiane, vendimet e së cilës ia dalin të arrijnë thuajse çdo ditë nivele të reja të ulëta.

Edhe një herë, një audiencë e hutuar globale vështroi tërë druajtje si një dënim me vdekje masiv u dha për mbi 100 njerëz në një gjyq që kurrë nuk i përmbushi standardet minimale të provave, apo kërkesat bazë të një procesi të rregullt.

 

Gjyqe të politizuara

Ashtu si me proceset e panumërta gjyqësore të politizuara që prekën mijëra egjiptianë që nga grushti i shtetit i korrikut të 2013-s, i cili i bëri forcat ushtarake arbitër të vetëm të pushtetit, në Egjipt ka aktualisht në punë një nocion të ndryshëm të “drejtësisë”.

Eshtë një drejtësi që kërkon shpagim ndaj të gjitha forcave të para si të përfshira në protestat masive të janarit të vitit 2011 që rrëzuan presidentin Hosni Mubarak dhe në tranzicionin e orvatur drejt një forme më përfaqësuese të qeverisjes në dy vitet që pasuan.

Në kërkesën e tij për të riafirmuar sistemin e rilindur autoritar me të cilin synon të qeverisë Egjiptin, regjimi ushtarak i Abdulfettah es-Sisit e ka parë të përshtatshme t’i japë fund çdo iluzioni se vazhdon të ketë një revolucion popullor në Egjipt, apo se ka patur një të tillë. Pavarësisht natyrës së tij në dukje arbitrare, ky proces është në fakt mjaft i menduar në zgjedhjen e objektivave dhe të egërsisë me të cilën i ndjek ato.

Çdo forcë në shoqëri me aftësinë për të ndikuar në ndjenjën popullore apo për të mobilizuar mbështetjen publike është shtënë në narrativën gjithpërfshirëse të regjimit të “luftës kundër terrorit”. Neutralizimi i kundërshtarëve të regjimit në këtë mënyrë kërkon krijimin e komploteve të gjera dhe ndërtimin e lidhjeve të paqena.

Shteti nuk harxhoi kohë në momentet e para pas grushtit të shtetit për t’i mbyllur të gjitha organet e pavarura mediatike të para si armiqësore ndaj marrjes së pushtetit nga ushtria. Në muajt që pasuan, jo vetëm që Al Jazeera u vu në shenjë për mbulimin e saj të vazhdueshëm kritik, por ku autoritetet egjiptiane arrestuan ca prej personelit të rrjetit, ata i akuzuan gazetarët në një proces gjyqësor për komplot që vinte në shenjë udhëheqësit nga Vëllazëria Muslimane.

Procedimet e gjykatës nuk treguan asgjë veç lidhjeve të rreme midis të pandehurve, por procesi gjyqësor (që vazhdon të zvarritet në gjykata) ia doli ta cungojë në mënyrë drastike aftësinë e mjeteve të informimit për të raportuar mbi shkallën e shtypjes në Egjipt, apo për t’u dhënë zë atyre që vazhdojnë të bëjnë thirrje për ndryshim revolucionar.

 

Burimet e mundshme të andrallave

Në mënyrë të ngjashme, proceset gjyqësore të Mursit kanë përfshirë aktivistë, dijetarë fetarë, dhe akademikë; të gjithë burime të mundshme andrallash për një diktaturë aspiruese.

Sondos Asemi ishte e vetmja femër, dhe një prej më të rinjve, e dënuar me vdekje në seancën gjyqësore të së shtunës. Ajo shërbeu si një prej zëdhënësve për Partinë për Liri dhe Drejtësi të Vëllazërisë Muslimane, dhe përgatiti e drejtoi faqen e saj elektronike. Puna e saj qe emblematike e momentit revolucionar të Egjiptit dhe e shpresës që ai shprehu përmes një lëvizjeje rinore elokuente dhe të pasionuar. Pjesa më e madhe e 41.000 të burgosurve politikë që zënë aktualisht qelitë e burgjeve të vendit përfaqësojnë aktivistë të rinj, të cilët regjimi ka kërkuar t’i dobësojë dhe t’i heshtë përmes kanosjes dhe dhunës.

I vënë gjithashtu në listën e të pandehurve të dënuar me vdekje ishte Jusuf Kardavi, mbase autoriteti më spikatës fetar në botën muslimane sunnite. Ndonëse jetoi për dekada në mërgim, Kardavi ka patur ndikim të jashtëzakonshëm mbi ligjërimin fetar në Egjipt, dhe u politizua gjithnjë e më tepër gjatë revoltave arabe. Ai mbajti një predikim të zjarrtë të së premtes në sheshin Tahrir pak ditë pas largimit të Mubarakut, dhe u bë një nga kritikët më të hapur të Sisit pas përmbysjes së Mursit.

Ia vlen të vihet në dukje se për të gjitha akuzat e regjimit se Vëllazëria Muslimane dhe mbështetësit e saj e përdorin në mënyrë cinike fenë për qëllimet e tyre politike, Sisi ka përdorur po ashtu dendur imazhet fetare në përligjjen e ngjitjes së tij në pushtet. Ai që atëherë e shfrytëzoi atë pushtet për të inkurajuar një interpretim të veçantë të Islamit, dhe ka synuar ta bëjë institucionin fetar të vendit më përgjegjës drejtpërdrejt para shtetit. Mbase në mënyrë të volitshme, vendimi për të zbatuar dënimin me vdekje ndaj Mursit i mbetet figurës më të lartë fetare të Egjiptit, myftiut të madh.

Gjatë shtypjes së gjerë të shoqërisë civile egjiptiane, regjimi vuri në shenjë në mënyrë specifike botën akademike, si një sferë të rëndësishme të organizimit civil dhe të mobilizimit popullor. Universitetet e Egjiptit u shfaqën si vendet kryesore të protestave kundër grushtit të shtetit pas heqjes së Mursit. Regjimi reagoi shpejt, duke u vënë roja universiteteve për herë të parë pas dekadash dhe duke kaluar ligje drakoniane që lejojnë përjashtimin e studentëve dhe fakulteteve për besimet apo aktivitetet e tyre politike.

 

Sulm mbi lirinë akademike

Simbolizimi i mëtejshëm i këtij sulmi mbi lirinë akademike ishte akuzimi nga regjimi i Emad Shahinit, një profesor tejet i kualifikuar i shkencave politike, që ka dhënë mësim në Universitetin Amerikan në Kajro dhe në Universitetin e Xhorxhtaunit.

Sido që aktualisht jeton jashtë, Shahini u deklarua fajtor dhe u dënua me vdekje në procesin gjyqësor për spiunazh. Për ata të cilët e njohin atë apo e ndjekin punën e tij, Shahini ka shfaqur në mënyrë të vazhdueshme një angazhim të palëkundur ndaj parimeve të tij dhe ndaj thellësisë intelektuale, jetike për përparimin e tyre.

Në një deklaratë të nxjerrë pas vendimit të gjykatës, ai shkroi: “Ushtria dhe agjencitë e sigurimit kanë bërë për mbi dy vite një kundërrevolucion ndaj të gjithë të bashkëshoqëruarve me revolucionin e 25 janarit, duke i luftuar aspiratat e egjiptianëve për ndërtimin e një shoqërie të lirë dhe demokratike. Agjencitë e menduara për t’i shërbyer popullit, në vend të kësaj, po e shtypin atë. Si një studiues dhe akademik i pavarur, do të vazhdoj t’i çoj lart dhe t’i mbroj vlerat demokratike, të drejtat e njeriut, e pajtimin kombëtar. Këto janë saktësisht vlerat për të cilat ka nevojë Egjipti për momentin për të përvijuar një rrugë paqësore në të ardhmen.”

Dënimet me vdekje të dhëna së fundi tregojnë qartas se regjimi kërkon të marrë jo vetëm jetët e këtyre të pandehurve, por gjithashtu lirinë e të gjithë qytetarëve të tij që kanë mendim ndryshe.

 

Abdullah Al-Arian është asistent profesor i historisë në Universitetin e Xhorxhtaunit, Shkolla e Shërbimit të Huaj në Katar, dhe autor i veprës, Answering the Call: Popular Islamic Activism in Sadat’s Egypt. 

 

Përktheu: Bujar M. Hoxha   

 

 

 

Related posts