New York Times: Trump fshehu raportin, SHBA përfitoi 63 miliardë USD më shumë nga refugjatët

Një studim serioz në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka rrëzuar të gjithë betejën e egër të fushatës së Donald Trump përpara se të zgjidhej President mbi rolin e emigrantëve në SHBA.

Sipas këtij studimi të kryer nga Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore, Amerika ka përfituar 63 miliardë dollarë më shumë nga emigrantët në harkun e një viti.

E përditshmja prestigjoze The New York Times, që ka publikuar pjesë të këtij studimi, bën të ditur se materiali është mbajtur i fshehur dhe censuruar nga administrata Trump, pikërisht se rrëzon filozofinë e hedhur në treg.

Qeveria e Trump, në muajt e shkuar financoi një studim për të parë efektet e kostove dhe përfitimeve të refugjatëve që kanë qenë gjithsesi në numër mjaft të vogël krahasuar përshembull me Kanadanë fqinje të kryeministrit  Justin Trudeau.

Në studim thuhet se kostoja e një refugjati është 3300 dollarë, ndërkohë që për një amerikan kjo kosto është 2500.

Por në të njëjtën kohë janë eleminuar nga studimi pjesë të përfitimeve nga refugjatët.

Që nga taksat e paguara nga kompanitë që janë marrë me akomodimin e deri tek punësimet në biznesin e vogël apo të mesëm, të ardhurat nga refugjatët shkojnë në një rritje prej 63 miliardë dollarësh më shumë se dy vitet parardhëse.

Dhe sipas The New York Times, kjo pjesë e raportit është censuruar, por që është në duart e gazetës së famshme të metropolit kryesor në SHBA.

Ajo thekson se ka gjasa që këshilla për ta hequr këtë pjesë, ka ardhur nga grupi më i egër antiemigrant në stafin e Trump që drejtohet nga “skifteri” Stephen Miller.

Episodi ka ndodhur pak para vendimit që do të marrë Donald Trump mbi refugjatët për vitin e ardhshëm, që pritet të ketë një kufi prej 40 mijë persona. /tesheshi.com/