728 x 90 Leaderboard

Në pritje të Francë – Belgjikë: çfarë ndodhi në Europianin e ‘84-ës mes dy ekipeve plot yje (video)

Gjysëmfinalja e parë e Botërorit, ajo mes Francës dhe Belgjikës, është ndër të tjera dhe vijimi i një tradite të përballjes mes këtyre dy përfaqsueseve, vende fqinje me njëra-tjetrën, ku dhe politikisht, që të dyja, përfaqsojnë zemrën e Bashkimit Europian.

Dhe ndaj është rasti për t’ju kthyer paksa të kaluarës në përballjet mes tyre.

Ndër takimet më të rëndësishme mes tyre janë ato të mesviteve ’80-të, ku si Franca e si Belgjika, patën një brez yjesh. Në foton kryesore ju mund të dalloni dy prej tyre, më simbol, Mishel Platini dhe Enzo Shifo, ku vlen të veçohet fakti se këtij të fundit, ish-komentatori i njohur Skifter Këlliçi, ja shqiptonte emrin si Sklifo.

Në Botërorin e Meksikës në vitin 1986, Franca dhe Belgjika u ndeshën për vendin e tretë dhe të katërt, ku francezët fituan në shtesë me rezultatin 4-2. Po atë Botëror, Belgjika shënoi një fitore dramatike, por dhe të diskutueshme, 4-3 kundër Bashkimit Sovjetik të atëhershëm, që po ashtu kishte një brez yjesh.

Por përballja më e rëndësishme mes tyre, aty ku Platini thuhet se ka shënuar dhe kulmin e shkëlqimit të vet, ka qenë takimi në Europianin e vitit 1984, ku Franca do kurorëzohej kampion.

Në stadiumi “La Beaujoire” në Nantes, më 16 qershor 1984, në kuadër të grupit 2, Franca vihet përballë Belgjikës; pra Bats, Fernandez, Batiston, Bossis, Domergue, Tigana, Platini Genghini, Giresse, Lacombe etj., do përballeshin me Pfaff, Grün, Lambrichts, De Greef, De Wolf, Scifo, Vandereycken, Ceulemans, Vercauterebn, Claesen dhe Vandenbergh.

Që të dy ekipet e nisën “Euro 84” me fitore:  Franca me Danimarkën 1 – 0, Belgjika me Jugosllavinë 2 – 0.

Loja dhe rezultati ishin të paimagjinueshëm. Franca realizoi një 90-minutësh spektakolar, duke fituar tenistikisht 5-0.

Platini ishte simboli i fitores.

Më pas Franca nuk do ndalej derisa ngriti Kupën e Europës për herë të parë.

Në vetëdijen belge të futbollit, poshtërimi në Nantes duhet shpaguar një ditë. /tesheshi.com/

Ndiqni sekuenca nga ajo ndeshje e madhe:

Related posts