Në Krushevë të Maqedonisë banorëve u ngrihet mendja: me “Ilindenin” në emër, kryeqytetas jemi ne!

Nga Miradie Hasani

Në Krushevë të Maqedonisë, banorëve të atyshëm iu është ngritur mendja për të qenë aty kryeqyteti i ardhshëm, nëse vendi do të marrë emrin e ti “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”, një variant i propozuar ditë më parë me bujë nga kryeministri Zaev.

Sepse është pikërisht Krusheva qyteti që lidhet me Ilindenin historik.

Dhe në gjykimin e banorëve të atyshëm, është krejt e natyrshme që nga Shkupi kryeqyteti të zhvendoset te qyteti i tyre, në rast se Ilindeni bëhet pjesë e emrit të ri.

Prej vitit 2019 qyteti i Krushevës do të jetë kryeqyteti i Maqedonisë, kurse Qeveria do të duhet të zhvendoset po në këtë qytet. Me prezantimin e propozimit të emrit, Republika e Maqedonisë së Ilindenit, qytetarët e Krushevës kanë marrë vëmendje pasi që ky vend lidhet me historinë e kryengritjes së Ilindenit.

Aty, në Krushevë, të gjitha bisedat këto ditë sillen rreth kësaj teme.

“Nëse nuk ka zgjidhje tjetër pos emrit ‘Republika e Maqedonisë së Ilindenit’, atëherë me të vërtetë Krusheva do të duhet të bëhet kryeqyteti i Maqedonisë”, thotë një qytetar.

Ivan Andrevski, ish-kryetar i Krushevës nuk sheh ndonjë problem nëse do të quhej Maqedonia e Ilindenit.

“Ata që nuk e kanë të qartë, le të shohin se në preambulën e kushtetutës së RM-së shkruan se Maqedonia bazohet në traditat e Republikës së Ilindenit”, u shpreh Andrevski.

Po cila është historia e Ilindenit?

Kryengritja e Ilindenit njihet si term prej vitit 1903 dhe është lufta kundër Perandorisë Osmane. Kongresi Revolucionar Maqedonas në Selanik, solli vendimin në atë kohë që me ardhjen e pranverës të çohen në kryengritje ndaj Perandorisë Osmane. Më vonë, në Manastir është rishikuar vendimi i Selanikut për kryengritje. Damjan Gruev, Boris Sarafov dhe Anastas Llozançev kanë vendosur që kryengritja të bëhet më 2 gusht të vitit 1903, apo në ditën e quajtur Dita e Shën Ilisë, prej edhe ku ka mbetur emri “Ilinden”. Atë kohë e para u çlirua Krusheva dhe pastaj u quajt Republika e Krushevës, dhe më pas kryengritja vazhdoi nëpër qytetet tjera të Maqedonisë.

Por nga pala greke, strumbullarja prej vitesh që Maqedonia të vuan me emrin e vet, nuk ka shprehur dakortësi me variantin e shpallur nga Zaev. Kështu që negociatat do të vijojnë sërish.

Kjo do të thotë se ëndrra e atyre banorëve të Krushevës që qyteti i tyre të jetë dhe kryeqyteti i ri maqedonas, nuk do marrë jetë. /tesheshi.com/

 

Related posts