Në Kosovë nga viti i ardhshëm “dembelët” do të paguajnë tatim për tokë, lirohen ata që e punojnë

Nga Bashkim Kastrati

Në Kosovë është raportuar në vazhdimësi se një sipërfaqe e madhe e tokave bujqësore po mbesin djerrinë. Ministria Bujqësisë në vitet e fundit ka ndarë grante dhe subvencione për fermerët në mënyrë që t’i përkrahë dhe stimulojë ata.

Por këto masa si duket nuk kanë ndikuar sa duhet që të punohet toka bujqësore. Prandaj në fund të këtij viti, pritet të finalizohet projekti për vlerësimin e tokave me qëllim të përcaktimit të vlerës së tatimit në pronë. Shkalla e tatimit në pronë do të ndryshojë varësisht nga lokacioni dhe cilësia e tokës.

Derisa përjashtime është vendosur të ketë për ata që punojnë tokat bujqësore.

Në lidhje me këtë çështje, në Ministrinë e Financave thonë se synim i projektit, është nxitja e qytetarëve që të merren me bujqësi meqë është resursi kryesor për zhvillim ekonomik.

Ky projekt është realizuar nga ana e Ministrisë së Financave në bashkëpunim me atë të Bujqësisë, ka nisur në vitin 2014. I financuar nga Qeveria suedeze, vlera e këtij projekti arrin në 1.8 milionë euro.

Por një nga sfidat e mëdha në këtë drejtim është rregullimi kadastral i tokave në Kosovë. Një numër i madh i qytetarëve nuk i kanë tokat në emër të vet. Zakonisht janë në pronësi të njerëzve të vdekur dhe kur janë ndarë ekonomitë familjare nuk i bartin tokat në emër të tyre. Rrjedhimisht kur bëhet shit-blerja e një toke ajo zakonisht nuk bartet tek blerësi i ri.

Rrjedhimisht nëse një tokë nuk punohet dhe për atë tokë duhet paguar taksë, kush duhet ta paguajë atë taksë, sepse ajo duhet me qenë defakto në pronësi të dikujt, e de juro në emër të dikujt tjetër.

Taksimi i tokës që nuk punohet e mirëseardhur

Ekonomisti Mustafë Kadriaj ka thënë për tesheshi.com se Republika e Kosovës me ketë hap do të konsolidojë edhe më shumë së funksionari si shtet, sepse çdo shtet normal e ka si tatim dhe njëherit rritet buxheti i komunave që do të kthehen në investime duke rritur infrastrukturën si në transport arsim shëndetësi e të ngjashme.

“Por njëherit është shumë sfiduese, sepse është një rrëmujë në pronat në Kosovë. Ka toka që janë shitur apo janë ndarë ekonomitë familjare, por pronari nuk ka ndryshuar. Pra për shtetin e Kosovës është sfidë e madhe sepse së pari duhet të dihet pronari i saktë dhe kjo kërkon një buxhet relativisht të lartë pasi që së pari duhet të dihet pronari i tokës që të tatohet sepse shumica e tokave janë në emër të njerëzve që kanë vdekur”, thotë Kardiaj.  

Sipas tij, me ketë bëhet një hap relativisht i madh në luftimin e korrupsionit, sepse mund të krahasohet pasuria me të hyrat e njerëzve zyrtar të shtetit që nëse preket interesi i politikanëve ata me çdo kusht do të sabotojnë dhe do të bëjnë jofunksional si shtet.

Ai thotë se në 20 vitet e fundit ka pasur një ndryshim shumë të madh në dinamiken e ndërrimit të pronareve të tokave, pra si proces është i mirëseardhur dhe e konsolidim shtetin e Kosovës por kërkon një menaxhim të mirë.

“Shpresoj të ketë një kërkesë më strikte nga Bashkimi Evropian dhe si proces të kryhet nga ndonjë shtet kredibil i BE-së sidomos vendet skandinave e kanë të rregulluar mirë pronën. Pra si tatim është i mirëseardhur vetëm kërkon një menaxhim të mirë, sepse mosmenaxhimi i mirë mund të krijojë edhe konflikte tek qytetarët sepse siç e ceka edhe pse janë shitur tokat nuk kanë kaluar të pronari i ri po ashtu lufta e fundit i ka pasojat e veta”, theksoi Kadriaj.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë gjatë vitit 2016 janë punuar vetëm 187 mijë hektarë nga 512 mijë hektarë tokë bujqësore sa ka vendi. /tesheshi.com/

Related posts