Auto Dak
Auto Dak

Ndodh andej nga Mirdita: Të jetosh mes një natyre “parajsë” e një toke “ferr”

“Duam të investojmë në fshatin tonë, por më kot pasi toka po na rrëshket”, kështu është shprehur një djalosh nga fshati Prosek në Mirditë.  Fatmir Dodaj na tregon për gjendjen e tre fshatrave të cilët sistematikisht po zhvendosen nga erozioni.

DSC_4588

“Jemi në ankth, nga kjo situatë e rrezikshme që po i kanoset banesave tona nga zhvendosjet e tokës”, shton ai.

Përgjatë aksit të ri rrugor nga qyteti i Rrëshenit për në Burrel, teksa do të shfaqet fillimisht fshati Jezull vetëm tre km nga Rrësheni, sheh se fshati thuajse është braktisur tërësisht. Inxhinieri gjeolog Gjon Deda, ish-drejtues i Bashkisë së Rrëshenit, tregon për gjendjen e vështirë që u është shfaqur fshatrave Prosek, Perlat, dhe Kthellë, madje deri në afërsi të Laç-Bruçit në Burrel, si shkak i rrëshqitjes së tokës. Sipas tij, kjo situatë mjaft alarmante nga problematika që është e shfaqur prej disa vitesh dhe nuk po gjen asnjë zgjidhje nga institucionet.

Ai sqaron se dhe rruga e re ka pësuar dëmtime si shkak i erozionit, ndërsa po rrezikon dhe objektet e rëndësishme si banesa, shkolla, madje dhe shtyllat e tensionit të lartë. Struktura e tokës është e papërshtatshme, sikundër dhe studimet e gjeologëve kanë përcaktuar zonat problematike, dhe kësisoj kërkohet investime.

Zef Prenga, i moshuari nga Proseku, përpos situatës së çarjes së shtëpive, thotë se problem tjetër për ta është mungesa e ujit të pijshmë si dhe për vaditje. Një fqinj i tij ka investuar afro 5 km linjë tubacioni për të sjellë ujin e pijshëm në shtëpinë e tij, ndonëse dhe banesa i ka pësuar shumë dëmtime nga shkarja e tokës.

DSC_4584

“Këtu tek ne sikur nuk ka shtet or miq!” – na drejtohet i moshuari, ku shton se askush nuk përkujdeset apo dhe të shqetësohet për një hall të tillë që u ka zënë. “Është gjynah dhe për bimët apo pemët që janë duke u tharë, ngaqë mungon vaditja”, qahet plaku.

Disa nga banorët kanë investuar aty si tokë produktive për agrumet dhe vreshtarinë. Punojnë tërë natën në vaditjen e vreshtit që të mos u shkojë dëm mundi pasi është investim i konsiderueshëm për të prodhuar rrushin, si e vetmi burim fitimi i këtyre banorëve të Prosekut.

Një kategori tjetër njerëzish kujdesen për blegtorinë, pasi është zonë e pasur me kullota.

Në Komunës e Kthellës jemi interesuar për t’u informuar për situatën, por asnjeri nuk ndodhej në zyra ngaqë bashkia e madhe e Rrëshenit është pjesa e këtij territori ku dhe janë shfaqur problematikat nga erozioni i papërballueshëm dhe mjaft shqetësues.

Do të largohemi nga kjo zonë që ka sjellë trishtim për banorët për të shijuar udhëtimin nëpërmjet luginave dhe maleve të bukura të zonave të Mirditës, ku do të qëndrojmë për pak çaste tek një lokal ngjitur me rrugën në afërsi të Perlatit.

DSC_4590

Ajri i pastër dhe simfonia e gjinkallave të bën të harrosh atë që ke lënë pas. Bashkë me grupin tonë ndodheshin dhe një çift shtetasish italianë që kërkonin të investonin ne këto zona të rrezikuara nga erozioni.

Eshtë Kristian Amarti dhe bashkëshortja  e tij, si dhe Zef Gjonaj  ish-mirditor që e njeh mirë këtë zonë dhe që tashmë bashkëpunon në rritjen dhe kultivimin e Paulonia-s  (siç e kemi pasqyruar dhe në një shkrim të paradisaditëve).

Misioni i tyre është të mbështesin fermerët në mbjelljen e kësej lënde drusore e cila është e leverdisshme dhe për industrinë e përpunimit të drurit, por që mbron tokën nga erozioni pasi rrënjët e pemës Paulonia depërtojnë nbë thellësin deri në tre metra.

Pranë lokalit ku po pushonim, Preng Toma ish- drejtues komune dhe i bashkisë së Rrëshenit, gjatë bashkëbisedës për problematikën e zonave do të na rrëfejë dhe ai për situatën. Ai thotë se nga 850 km3 sipërfaqe në tërë Mirditën, 1/3 e saj është e rrezikuar nga fenomeni erozion. Sipas tij, deri diku është investuar për ta ndaluar këtë të keqe, por që efekti nuk ka qenë i plotë dhe i duhur.

Pas disa konkluzioneve me grupin që është interesuar për t’u ardhur në ndihmë zonave do të përshkojmë rrugën në drejtim të qytetit të Burrelit ku na pret agronomi dibran Hajrulla Nikolli, i cili ka kultivuar në arën e tij pemën Paulonia.

Nga qyteti i Rrëshenit deri në Burrel për rreth 40 km rrugë e re asfaltuar me shijen e natyrës së bukur, por me shqetësimin e banorëve të këtyre zonave nga “gllabërimi”  që i bëhet tokës nga erozioni dhe pamundësia e shtetarëve që të mbrojnë qytetarët e vet.

Këta banorë të urtë dhe shumë punëtorë nuk duan të largohen nga pronat e tyre, por ajo që mbase “i dëbon” janë të tilla fatkeqësi natyrore si kjo e rrëshkitjeve të tokës.

Përgatiti: Ahmet Zani – tesheshi.com

 

auto pjese dak

Related posts