Ndërron jetë “Më i madhi”, boksieri i famshëm Muhammed Ali

Muhammed Ali, prej më të famshmëve boksierë që ka njohur historia e këtij sporti, ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare.

Ai nuk ka rezistuar më tepër se dy ditë në spitalin ku u shtrua për probleme të frymëmarrjes, në Feniks, në Arizona.

I prekur prej vitesh nga sëmundja e parkinsonit, ai qe shfaqur kohët e fundit në publik i drobitur, si një paralajmërim se vdekja do ta merrte shpejt.

Muhammed Ali, i njohur më herët si Cassius Clay, do të merrte medaljen e artë në Lojërat Olimpike të Romës në vitin 1960. Për të fituar katër vite më vonë titullin e parë botëror në boks, pasi mundi Sonny Liston-in. Të paharrueshme do të mbeten duelet e tij me George Foreman-in dhe Joe Frazier-in.

“The Greatest” do të tërhiqej në vitin 1981 nga ringu i boksit, me 56 fitore në 61 takime të zhvilluara si profesionist.

Të famshëm do ta bënte Muhammed Aliun dhe refuzimi i tij për të luftuar në Vietnam. Ai do të kalonte nëpër një kalvar procesesh gjyqësore e dënimesh në vitin 1967 e më tej, ngase nuk pranoi të mobilizohej e të luftonte në Vietnam.

Legjendare mbeten fjalët e refuzimit të tre herë kampionit të botës për të luftuar në Vietnam: “Unë nuk do ta turpëroj fenë time, popullin tim, apo veten time, duke u bërë një vegël për t’i skllavëruar ata që po luftojnë për drejtësinë, lirinë dhe barazinë e tyre.” /tesheshi.com/

 

 

Related posts