Ndalimi i synetllëkut në Islandë nxit zemërim të prijësve të të tri besimeve në vend

Grupet fetare kanë dënuar një projektligj në parlamentin e Islandës që do të ndalojë rrethprerjen për arsye jo-mjekësore.

Projektligji do të vendosë një afat prej gjashtë vjet burg për cilindo që është fajtor për “heqjen e një pjese apo të gjitha organeve seksuale të fëmijës”, duke argumentuar se praktika shkel të drejtat e fëmijës.

Por udhëheqësit hebrenj dhe muslimanë, në besimet e të cilëve synetllëku është një praktikë tradicionale, kanë quajtur projektligjin një sulm ndaj lirisë fetare.

Islanda është është vendi i parë evropian që e ndalon këtë praktikë. Vendi mendohet të ketë rreth 250 qytetarë hebraikë dhe rreth 1500 muslimanë.

Pse është futur ligji?

Deputetja Silja Dögg Gunnarsdóttir e Partisë Progresive, e cila paraqiti projekt-ligjin në fillim të muajit, tha: “Ne po flasim për të drejtat e fëmijëve, jo për lirinë e besimit.” “Gjithkush ka të drejtë të besojë në atë që dëshiron, por të drejtat e fëmijëve vijnë mbi të drejtën për të besuar”.

Islanda miratoi një ligj në vitin 2005 për ndalimin e gjymtimit gjenital të femrave dhe mbështetësit e kësaj lëvizjeje e kanë krahasuar ligjin anti-rrethprerje pikërisht më atë ligj, që është kundërshtuar ashpër si diçka pa lidhje.

Ligji thotë se rrethprerja “përfshin ndërhyrje të përhershme në trupin e një fëmije që mund të shkaktojë dhimbje të forta”.

Nëse kalon leximin e parë, projektligji do të shkojë në një fazë komisioni përpara se të hyjë në fuqi.

Komunitetet hebraike nordike nxorën një deklaratë duke dënuar ndalimin e “ritit më qendror” në besimin e tyre. “Ju jeni gati për të sulmuar judaizmin në një mënyrë që shqetëson hebrenjtë anembanë botës”, thuhet në letrën e hapur.

Grupi i fushatës hebreje, Milah UK deklaroi se krahasimet me gjymtimin gjenital femëror janë të pajustifikuara, duke pasur parasysh se në rastin e rrethprerjes mashkullore nuk ka “asnjë ndikim afatgjatë të njohur negativ mbi fëmijën”.

Ndërsa imami Ahmed Seddeek në Qendrën Kulturore Islame të Islandës gjithashtu kritikoi këtë veprim. “Është pjesë e besimit tonë,” tha ai. “Kjo është diçka që prek fenë tonë dhe besoj se kjo është një kundërvënie e lirisë fetare”.

Sakaq, në përkrahje të hebrenjve dhe muslimanëve ka dalë dhe komuniteti i krishterë. Peshkopja e Rejkjavikut, Agnes M. Sigurðardóttir, paralajmëroi se qytetarët hebre dhe myslimanë mund të ndihen “jo të mirëpritur” në Islandë.

“Rreziku që lind, nëse projektligji bëhet ligj, është se Judaizmi dhe Islami do të bëhen fe të kriminalizuara”, tha ajo. “Ne duhet të shmangim të gjitha format e tilla të ekstremizmit”. /tesheshi.com/

Related posts