728 x 90 Leaderboard

Muxhahidinët, “katundarët Tiranës” që janë kthyer në dashurinë më të re të Donald Trump

Rabija është një 50-vjeçare e lodhur nga dertet e shumta, por plot dëshirë për jetë.

Sapo është kthyer me shoqen e saj nga një qendër tregtare në rrugën nacionale Tiranë-Durrës dhe tani po gatuan në ish-Universitetin Vitrina ku ndodhet pjesa më e madhe e iranianëve të mbërrritur në Shqipëri prej Kampit të Lirisë në Irak, ku i sollën pas një marrëveshje mes qeverisë së SHBA dhe asaj të Shqipërisë.

Ajo tregon se ndihet shumë mirë në Shqipëri dhe flet me dashuri për njerëzit që takon dhe e respektojnë.

“Shqiptarët na duan dhe na ndihmojnë, u jemi mirënjohës”, thotë ajo për tesheshi.com.

Gratë e kalojnë kryesisht kohën duke shëtitur në qendrat tregtare që ndodhën në autostradë, kurse burrat kryesisht luajnë futboll në fushat rreth e rrrotull; e bëjnë edhe me banorët e Kasharit dhe Yrshekut, me të cilët janë miq tashmë.

Sharjar Qiomanish është një inxhinier informatike, por bën edhe pjesën e Public Relations në zyrën qendrore të Organizatës së Rezistencës së Iranit.

Ai thotë për tesheshi.com se nuk ka shumë kohë të luajë futboll me shokët, pasi bashkë me Faridin, një fizikan që merret me pasqyrën e shtypit, i duhet të ndjekë propagandën që bëhet kundër tyre.

“Ambasadori i Iranit ka dhënë një intervistë tek Albanian Daily News ku na sulmon fort. Me pa të drejtë, por gjithsesi ai bën punën e vet sepse është njeriu i regjimit. Por na vjen keq se askush nuk kërkon edhe mendimin tonë që jemi subjekt i akuzave”, thotë Sharia duke sjellë një pirg me dokumente ku përshkruhen të gjitha masakrat ndaj eksponentëve të organizatës së tyre dhe familjeve.

Farid është një mesoburrë i veshur me kostum të hekurosur dhe duket se përbën një figurë politike të muxhahidinëve, por që nuk pëlqen të tregojë pozitën e tij.

Ai ka dëshirë që gazetarët nga Shqipëria të dëgjojnë sadopak historitë e tyre.

“Ne jetojmë këtu prej dy vjetësh. Mediat shqiptare do të ishte mirë që kur flasin për ne të vijnë e të marrim mendimet tona, të tregojmë historitë tona pasi propaganda nuk është informacion”, thotë ai, duke listuar një numër partalesh që kanë shkruar kundër tyre.

Sahara është një mësuese anglishteje që përkthen materiale, por që do të donte të fillonte punë në Shqipëri, pasi ata jetojnë më të ardhura të vogla.

Organizata u jep një pagesë të vogël që nuk i del për të bërë një jetë të denjë për të qenë e tillë.

“Ne vetëm mbijetojmë. Do të ishte mirë që të fillojmë punë dhe njerëzit tanë të kenë mundësi të vazhdojnë jetën, pasi nuk bëhet fjalë për sot dhe për nesër”, thotë Hasani, një mekanik që ka punuar dikur në një uzinë shumë të rëndësishme makinash në Iran.

Pse, sa pritni të jetoni këtu në Shqipëri?!

“Ndoshta gjithë jetën”, thotë ai duke shtuar se rikthimi i tyre në shtëpi do të bëhet vetëm kur të demokratizohet Irani dhe kur të mos ketë më dënime me vdekje ndaj tyre.

Por Faridi nuk dëshiron të shpërqëndrohet; ai vijon e flet për luftën e propagandës së Teheranit, por kur ftohet të flasë për politikë i ndriçojnë sytë.

“Administrata Trump ka një qasje shumë të fortë ndaj regjimit iranian dhe besojmë se do të ketë presion më të madh. Kjo situatë është një shpresë për ne. Por mendoj se edhe politikës shqiptare do t’i bëjë mirë, pasi ne jemi një urë lidhje e mirë për të bashkëpunuar më ngushtë Uashingtoni e Tirana”, thotë ai.

Pra ti Farid mendon se Trump mund të bashkëpunojë më mirë me qeverinë “Rama” pikërisht duke pasur për bazë se këtu jetojnë 2 mijë iranianë opozitarë?

Faridi përgjigjet menjëherë: “Natyrisht, natyrisht. Ne kemi një bashkëpunim të mirë me të gjithë politikën shqiptare, si nga qeveria ashtu edhe nga opozita. Dhe mendoj se kjo do të jetë një gjë e mirë në marrrëdhëniet mes Uashingtonit e Tiranës. Ne u bënë shkak që Sekretari i DASH, John Kerry të vizitojë Tiranën dhe mendoj se kjo linjë do të vazhdojë”.

Nga oxhaku i kuzhinës del një tym i madh, pasi gratë po gatuajnë darkën.

Në fshatin Bërxull, është shtuar prej dy vjetësh një komunitet i ri banorësh që dalë ngadalë po integrohen si “katundarë Tirane” dhe po përshtaten me rregullat e jetës aty. Përveç se ata nuk kanë as tokë, as lopë e as nuk sheshin qumësht në kryeqytet. Janë si të thuash “fshatar pa tokë”. Pas disa vjetësh fëmijët e tyre do të kenë fituar qytetarinë si “tironsa”, por natyrisht pa harruar se nga vijnë.

“Na thonë terroristë, por ne jemi të gjithë viktima të një terrori ku na kanë zhdukur të gjithë familjet. Jetojmë me kujtimet që na dalin në gjumin që nuk e bëjmë kurrë. Thjeshtë marrim frymë”, thotë Sahara që po derdh lëkurat e patateve në kazanin qëndror të kampit.

Shpresa e tyre më e madhe duket se është drejtësia për vuajtjen e tyre sesa për jetët që shtyhen me vështirësi nga kujtimet e një dhune të tmerrshme…/tesheshi.com/

Related posts