728 x 90 Leaderboard

Moto GP: Marc Marquez do të niset i pari në garën e Argjentinës

Spanjolli i Hondës doli i pari në provat zyrtare të së shtunës në Argjentinë, në pritje të garës së dytë sezonale, që do të zhvillohet sot.

Ky ishte pole position-i i tretë radhazi i Marquez-it në pistën e Termas de Rio Hondo-s. Spanjolli ia doli ta regjistrojë kohën më të mirë të një xhiroje në fillim të provave. Në fund të tyre, ai kaloi një aventurë të vogël, duke u rrëzuar, por pa pasoja në trup.

Pas tij në garën e sotme do të nisen dy pilotët e Jamahës, Rossi dhe Lorenzo. I katërti në radhë është spanjolli tjetër i Hondës, Pedrosa, me dy italianët e Dukatit, Dovizioso e Iannone, në vend të pestë e të gjashtë.

“Jam i lumtur me mënyrën si po shkon motori dhe me ritmin që kemi,” deklaroi Marquez pas provave.

I quajtur ndryshe “Doktori”, Valentino Rossi nuk ka shkëlqyer kurrë në provat zyrtare, por dje bëri një prej paraqitjeve të tij më të mira.

Ja çfarë tha ai pas provave: “Kualifikimi ishte i keq vitin e shkuar në Katar dhe këtu në Argjentinë, por garat ishin fantastike. Tani kemi arritur një kualifikim të mirë, por gara do të jetë nesër.”

Gara e parë, ajo e Katarit, e zhvilluar para dy javësh, është fituar nga Jorge Lorenzo, kampioni i botës në fuqi. /tesheshi.com/       

 

 

 

Related posts