Mospajtimet Veseli – Haradinaj: a do jetë Fatmir Limaj “çelësi” për kalimin e Demarkacionit?

Nga Blendi Gashi

Java e ardhshme do të jetë përcaktuese sa i përket ratifikimit apo jo të Demarkacionit me Malin e Zi, marrëveshje kjo që vitet e fundit trazoi jo pak skenën politike.

Do jetë Kryesia e Kuvendit që do vendos të hënën se kur do e procedojë për seancë ku më pas do jenë deputetët që do ta thonë fjalën e tyre.

Ndërsa në qeverinë “Mustafa” partnerët e koalicionit ishin bashkë për ratifikim të marrëveshjes por që u pengua nga opozita, partnerët e qeverisë “Haradinaj” kanë mospajtime.

Në njërën anë është PDK-ja e Kadri Veselit që përkrahë votimin e marrëveshjes, në anën tjetër është AAK-ja e kryeministrit Ramush Haradinajt që vazhdon të këmbëngulë të paktën deklarativisht se nuk duhet kaluar.

Dhe qëndrimin kundër hiç më larg se sot e rikonfirmoi Haradinaj i cili pranoi dallimet brenda koalicionit qeverisës.

Tani gjendja nuk ka ndryshuar, diçka të re nuk ka, për shkak se jemi të ndarë në Kuvend. Versioni i tashëm nuk e ka shumicën, megjithatë kjo nuk e pengon kryesinë të procedoj më tutje. Derisa nuk është në seancë plenare duhet të punojmë për një zgjidhje, mirëpo për një zgjidhje që e ruan substancën, të drejtën e Kosovës”, tha Haradinaj.

Dhe për të tejkaluar këto dallime mes qeverisë partneri tjetër i qeverisë, Fatmir Limaj i NISMA-s, ka ditë që ka marrë një rol të rëndësishëm në përpjekjen për zhbllokimin e situatës së krijuar me marrëveshjen për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi.

Sipas burimeve të portalit tesheshi.com Limaj këtë javë ka takuar me ministrin e Punëve të Jashtëm të Malit të Zi, Serdan Darmanoviq, të enjten, në zyrën e këtij të fundit në Podgoricë.

Takimin në fjalë nuk e ka mohuar as këshilltarja e Limajt, Valdete Bajrami.

Ajo çka mund të them është se as nuk e pohoj as mohoj këtë (takimin), por zv.kryeministri Limaj me kohë do t’iu përgjigjet interesimit tuaj për këtë çështje”, ka thënë Bajrami për tesheshi.com.

Sipas burimeve tona, ideja e Limajt, është që Kuvend ta ratifikojë marrëveshjen me Malin e Zi, përderisa autoritetet e Podgoricës duhet të zotohen se janë të hapur për të diskutuar më pas gabimet eventuale në këtë proces.

Do jetë dita e mërkurë kur do kuptohet nëse kjo ide e Limajt do të pranohet nga pala malazeze, por vet pritja e kreut të NISMA-s në Podgoricë dhe vizita e kryeministrit malazez më 6 shkurt në Kosovë janë sinjale se do ketë një marrëveshjeje qoftë edhe e përkohëshme mes palëve.

Pra Limaj, si një prej faktorëve tejet të rëndësishme në qeveri, sipas të gjitha gjasave do jetë çelësi i zgjidhjes së marrëveshjes së shumëpërfolur të Demarkacionit dhe do luajë rol vendimtar që të bindë Haradinajn që deputetët e AAK-së të japin votën pro ratifikimit të marrëveshjes deri në një vendim të ri, pra diskutimin e gabimeve eventuale.

Haradinaj vështirë se mund t’i thotë jo Limajt, kjo pasi i konvenon për të mbetur në pushtet, sepse mosratifikimi i Demarkacionit ja siguron fatin e Mustafës, dhe në anën tjetër votën pro nga partia e tij mund ta arsyetojë duke thënë se nuk është marrëveshje finale por që do rinegociohet në të ardhmen.

Andaj, java e ardhshme me të drejtë mund të quhet jo vetëm si java e “(mos) përmbylljes së Demarkacionit” por edhe java e “përcaktimi i rënies apo jo të Ramushit nga karriga e shumëdëshiruar e pushtetit”. Sigurisht zgjidhja do jetë e vet Haradinajt. /tesheshi.com/

 

Related posts