Moska pjesë e dialogut Prishtinë-Beograd? Vuçiç e kërkoi zyrtarisht

Zbulohen prapaskenat e diskutimeve të Aleksandër Vuçiç me Vladimir Putin në Moskë. Ndërsa Kosova ka kërkuar zyrtarisht që SHBA të jetë pjesë e mediacionit të dialogut Prishtinë-Beogradi, Serbia ka kërkuar që Rusia t’i bashkëngjitet formatit që organizon BE-ja.

Këtë e ka bërë të ditur portal i Kremlinit Sputnik, duke iu referuar burimeve nga presidenca ruse, si dhe pas takimit të Vuçiç me kreun e Këshillit Federal të Rusisë, Valentina Matviyenko.

“Nëse shqiptarët e Kosovës kanë kërkuar që SHBA të jetë pjesë e ndërmjetësimit, ne kërkuam zyrtarisht që në këtë format të shtohet edhe Federata Ruse”, tha Vuçiç, i cili edhe pse në të kaluarën ka shpresuar për marrëdhënie të afërta me administratën Trump, tashmë  e nxori hapur që nuk ka asnjë besim ndaj Uashingtonit.

“Mbrojtja që Rusia i ka bërë ruajtjes së sovranitetit të Serbisë është shumë i rëndësishme për ne dhe ne duam që Moska të jetë garantuese e dialogut. Ndryshe nuk kemi besim”, citon Sputnik, Vuçiçin.

Por Sputnik thekson më tej se Kremlini nuk ka dhënë asnjë koment në lidhje me kërkesën serbe për të qenë mediator në dialogun me Prishtinën.

Qarqe autoritative nga Uashingtoni kanë bërë të ditur se një mediatore e mundshme nga SHBA për dialogun Prishtinë- Beograd mund të jetë ish-Sekretarja e Shtetit, Condoleza Rice.

Nuk dihet nëse Moska do ta vendosë që të jetë mediatore në negociata, por kërkesa zyrtare e Serbisë e ka rikthyer çështjen si në kohën e vitit 1999 kur edhe Rusia kishte një mediator për Kosovën edhe SHBA.

Ata ishin ish-kryeministri rus Viktor Crnomerdin dhe ish-presidenti i Finlandës, Marti Ahtisaari. /tesheshi.com/

Related posts