Momir Bulatoviç: ja pse Putin duhet të merrte “Nobeli”-n në Ekonomi

Një propozim i pazakontë ka ardhur në faqet online të Sputnik-ut në gjuhën serbe.

Momir Mulatoviç, ish-president i Malit të Zi dhe një nga aleatët më të afërt të Slobodan Milosheviçit, e  i cili është analist i rregullt i portalit të Kremlinit, thekson në një analizë të tij se njeriu më i përshtatshëm për të marrë çmimin “Nobel” në Ekonomi, nuk është kërkush tjetër vetëm se “Cari” modern i Rusisë së sotme, Presidenti Vladimir Putin.

Dhe këtë propozim, Bulatoviç rreket ta argumentojë edhe me dijet e tij jo vetëm si politikan, por edhe si ekonomist i laureuar.

Në rreshtat e Sputnik-ut, ish-presidenti i Malit të Zi thekson se çmimi “Nobel” për Ekonomi është kryesisht një sponsorizim i Bankës Qendrore të Suedisë dhe ata që e fitojnë nuk janë gjeni të vërtetë.

“Tetëdhjetë për qind e fituesve janë amerikanë, dhe vetëm shtatë për qind nuk janë nga Perëndimi. Në mesin e tyre ka vetëm një grua. Ata që fitojnë çmimin “Nobel” nuk kanë sjellë asgjë relevante në ekonominë botërore”, thekson Bulatoviç, duke iu referuar një libri të dy historianëve amerikanë me titullin “Faktori Nobel”.


Dhe më pas shkon tek përfundimi i tij, sipas të cilit “fituesi i merituar i çmimit “Nobel” për Ekonomi duhet të ishte Vladimir Putin, Presidenti i Federatës Ruse.

Dhe më pas, Bulatoviç rendit argumentet.

“Rusia nga imponimi i egër dhe kopjimi i kapitalizmit neoliberal deri në vitin 1999 ishte në prag të rrënimit ekonomik dhe total të shtetit. Në historinë ekonomike nuk ka asnjë shembull i një shterimi të ngjashëm, si dhe plaçkitjes së një vendi, ku nuk kishte pasur as luftë e as katastrofë natyrore, siç ishte rasti me Rusinë para Presidentit Putin.

Në këto rrethana e gjeti vendin ai, i cili nisi zbatimin e një politike kombëtare ekonomike, e cila në një kohë tepër të shkurtër solli rifitimin e fuqisë të ekonomisë ruse, ushqeu besimin e qytetarëve për vendin e tyre dhe rivendosi reputacionin e padiskutueshëm të Rusisë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Të gjitha parametrat objektivë ekonomikë nga e kaluara dhe koha e tashme, e vërtetojnë këtë pretendim. Rritja e standardeve të popullsisë, rikuperimi demografik, zhvillimi i shpejtë në të gjitha, sidomos në fusha të teknologjisë së lartë, janë të matshme nga rezultatet e këtyre politikave”.

Më pas, në analizën e tij, Bulatovic thekson se Rusia është sot një vend i rimëkëmbur dhe që u bën ballë sfidave ekonomike, duke luftuar varfërinë dhe duke indeksuar kufirin mes të pasurve dhe të varfërve.

Bulatoviç e mbyll shkrimin e tij me një akuzë ndaj Komitetit të çmimit “Nobel” që sipas tij shikon vetëm të mbështesë njerëzit që indikohen nga Banka Qendrore e Suedisë dhe jo nga karakteri shkencor.

Po kush na qenka ky shkencëtar? Putini, i cili është shkolluar për të drejtë ndërkombëtare, ndërkohë që gradën Kandidat Shkencash, gradë që ekziston sipas sistemit rus dhe është ekuivalente me atë që ka kryer magjistraturën, e ka mbrojtur për Ekonomi, përkatësisht për Tregti Ndërkombëtare. /tesheshi.com/