728 x 90 Leaderboard

Mogherini këndell liderët kosovarë: në fundvit hiqen vizat

Delegacioni i Kosovës është shprehur tejet optimist se raporti i Komisionit Evropian do të jetë pozitiv dhe vizat do hiqen në fund të vitit pas takimit që zhvilloi të mërkurën në mëngjes me përfaqësuesen e BE-së, Frederica Mogherini, në të cilin takim përveç presidenti Hashim Thaçi,  morën pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe zv/kryeministrat Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli si dhe Dardan Gashi.

Pas takimit Haradinaj bëri deklaratën që e bën prej kohësh se liberalizimi i vizave të kryhet në fund të vitit.

Sipas tij, Komisioni Evropian jep sot vlerësimin duke vazhduar me Parlamentin Evropian më 29 gusht dhe pastaj edhe me Këshillin e Ministrave. Por ky institucion po konsiderohet nga Kryeministri Haradinaj si një sfidë.

“Komisioni sot e jep vlerësimin, parlamenti me 29 ose 30 gusht besojë, pastaj edhe këshillimi i ministrive, aty është pak më vështirë. Por jemi me shpresën që sot po e përmbyllim një temë që është shumë e rëndësishme për qytetarët e vendit e që është lëvizja e lirë. Jemi në moment të suksesit”, deklaroi Haradinaj.

Edhe kryeparlamentari Kadri Veseli u shpreh optimist për raportin e KE-së për vizat, duke thënë se Komisionieri Avramopoulos do të jap lajmin pozitiv për vizat.

“Sot do të jetë një lajm shumë i mirë për qytetarët. Avrampolus do të jap lajmin pozitiv për vizat në ora 11 e 30, ku rekomandimi do të jetë pozitiv. Është hap i parë, është historik. Ne ishim bashkarisht me Mogherinin për të treguar përkushtimin tonë për dialog dhe se jemi unik. Presim njohje nga Serbia, jemi në konsultime për paqe”, ka thënë Veseli.

Ai bëri të ditur se presidenti Thaçi është duke e vazhduar takimin me homologun e tij nga Serbia, Aleksandër Vuçiç.

I pyetur se pse nuk janë ata në takim, ai ka thënë se respektojnë protokollet shtetërore

Për takimin është deklaruar edhe zëdhënësja e Komisionit Europian për Politika Fqinjësore dhe Negociata të Zgjerimit, Maja Kociançiç, e cila ka publikuar dy fotografi në llogarinë e saj në “Twitter” bashkë me politikanët kosovar.

“Federica Mogherini takohet me Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn, Kadri Veselin dhe Behgjet Pacollin, si dhe delegacionin e EU të dialogut, por po ashtu të diskutojë perspektivën për liberalizim të vizave dhe progresit në rrugën drejt BE-së”, shkruan Koçijançiç.

Kujtojmë se faza e tretë apo përfundimtarja për liberalizimin e vizave konsiderohet të jetë në fund të vitit. /tesheshi.com/

Related posts