728 x 90 Leaderboard

Misteret e tuneleve të Buenos Ajres: sisteme të vjetra drenazhimi dhe vetë-mbrojtje për jezuitët

Në vitin 1985, Jorge Eckstein ndeshi rastësisht atë që do të shndërrohej në një prej vendndodhjeve më të rëndësishme arkeologjike në Buenos Ajres: një portal drejt labirintit nëntokësor.

Jorge Eckstein, banor i hershëm i lagjes historike të Buenos Ajresit, San Telmo, bleu në vitin 1985 një shtëpi të braktisur në afërsi të banesës së tij që synonte ta shndërronte në restorant.

Ndërtuar në vitin 1830, shtëpia ishte madhështore por e lënë pasdore. Ishte nga ato ndërtesa që shumë argjentinas u referohen si ‘casa chorizo’ – emër që ka të bëjë me faktin se dhomat e shtëpisë janë të rreshtuara si një varg salsiçesh, me hapje në një sërë sallonesh anësorë. Eckstein e dinte se shtëpia kishte nevojë për shumë punë: muret po binin dhe dyshemeja ishte e mbuluar me copa tullash, druri e mbeturina.

Nuk kaloi shumë pasi Eckstein nisi ta rinovojë, që ai vuri re diçka të pazakontë në lidhje me themelin e shtëpisë dhe shumë shpejt një nga oborret e brendshëm u shemb. Ai zbuloi se ishte ndeshur me atë që do të bëhej një nga vendndodhjet arkeologjike më të rëndësishme në qytet: me portalin drejt një labirinti nëntokësor.

Ideja e një bote misterioze nëntokësore prej kohësh kishte qenë subjekt i interesimit dhe imagjinatës në Buenos Ajres. “Mitet e vjetra për ekzistencën e një mizërie tunelesh poshtë qytetit ringjalleshin herë pas here”, thotë Ricardo Orsini, coordinator në qendrën e Arkeologjisë dhe palaentologjisë në qytet.

Pas zbulimit nga Eckstein të oborrit që shembej, një ekip arkeologësh nga universiteti i Buenos Ajres hetuan themelet e ndërtesës për të mësuar më shumë rreth historisë së saj. Shtëpia me 20 dhoma kishte qenë e braktisur që prej fundit të viteve 1800, kur banorët e saj u larguan nga valët vdekeprurëse të etheve të verdha që kishin përfshirë qytetin argjentinas. Në fillim të shekullit të 20-të, shtëpia shërbeu si vendstrehim me qira, por në vitet 1980 u braktis sërish.

“Vendimi për të gërrmuar shënoi një ndryshim dramatik në konceptin tonë lokal të zbulimit të së kaluarës”, thotë Eckstein, “për shkak se shfaqi jo vetëm të kaluarën që duket në sipërfaqe, por edhe të kaluarën që ekzistonte nën të gjitha ndërtesat”.

Poshtë shtëpisë, ekipi i arkeologëve zbuloi një konstrukt të pazakontë si kasafortë, që me gërrmimet e mëtejshme, doli të ishte çatia e një tuneli nëntokësor. Por ku çonte ky tunel? Dhe për }farë qëllimi?. Këto dy pyetje i drejtuan arkeologët për të eksploruar dhe zbuluar pothuajse 2 kilometa rrugëkalime nëntokësore. Kërkimet e tyre treguan se shtëpia e vjetër qëndronte në majë të një sistemi enigmatic kullimi. Dukej sikur banorët e lagjes i kishin ndërtuar tunelet rreth vitit 1780 për të ridrejtuar ujërat që shkaktonin përmbytje kur kishte shi, duke sjellë fluks uji të ndotur – përfshirë edhe jashtëqitjen e kafshëve nga fermat në periferi – në rrugët e qytetit.

Sot, shtëpia që njihet si muzeumi El Zanjón de Granados–  luan rolin e portës hyrëse drejt tuneleve të konstruktuara që po ashtu mbajnë edhe objektet e gjetura gjatë gërmimeve. Nëse hyn në tunele, nuk mendon se ato janë dnërtuar për qëllime kaq praktike. Ato janë shumë romantike dhe të çuditshme: me muret prej tulle, ndërkohë që janë restauruar dhe ndriçuar bukur.

Ndërsa zbulimi i tuneleve ishte surprizë për Eckstein, nuk përbënte lajm për disa nga banorët e moshuar të lagjes San Telmo. Disa nga banorët kujtonin kur segmente të tuneleve ishin ende të hapura: askush nuk e di se kur dhe përse ato u vulosën.

Deri vonë, njohuritë për rrugëkalimet nëntokësore të qytetit bazoheshin vetëm në kujtesën dhe fjalët e thëna nga të moshuarit.

Themeluar në vitin 1536, San Telmo është pjesa më e vjetër e vendbanimit fillestar të Buenos Ajresit dhe këtu janë të përqëndruara pjesa më e madhe e tuneleve nëntokësore. Por jot ë gjitha tunelet janë ndërtuar për qëllime të kullimit të ujërave. Më shumë se një shekull përpara se banorët e San Telmos të ridrejtonin rrjedhën e ujërave, priftërinjtë jezuitë punonin për një tjetër rrjet tunelesh.

Në fund të shekullit të 16-të, një urdhër jezuit nga Spanja u vendos në Buenos Ajres me qëllimin e përhapjes së krishtërimit në botën e re. Ata ngritën një mision që përbëhej nga një kishë, një muzeum, një bibliotekë dhe madje një farmaci – kompleks i njohur sot si Manzana de las Luces (Blloku i Iluminizmit).

Por, jezuitët nuk është se ishin të mirëpritur në shtëpinë e tyre të re – popullsitë indigjene të rajonit rezistuan fuqishëm ndaj përpjekjeve të priftërinjve për t’i konvertuar ata në krishtërim. Ndërsa konflikti zjente, jezuitët morën hapa për të garantuar sigurinë e tyre.

Duhej të ishte sekret.

Sipas kërkimeve, tunelet poshtë Manzana de las Luces ishin pjesë e një plani më të madh dhe të papërfunduar për të lidhur kishat e qytetit me njëra-tjetrën në mënyrë që të garantohej arratisja e priftërinjve dhe grigjës së tyre në rast sulmi.

“Ishte një projekt mbrojtjeje”, thonë arkeologë,  “i ngjashëm me atë që kemi parë në Lima të Perusë dhe qytete të tjera në të cilat nuk ka fortesa, mure apo shkëmbinj. Në rast sulmi, e vetmja mënyrë për të dalë jashtë qytetit ishte arratisja nëntokësore”.

Madje, edh ekspertët nuk e dinë përhapjen e saktë të rrjetit të jezuitëve. Në vitin 1767, pasi dështuan në konvertimin e popullsisë indigjene, jezuitët braktisën misionin në Buenos Ajres, duke u drejtuar më në brendësi për të ngritur misione të tjera në afërsi të kufirit me Paraguajin.  Kolonizatorët spanjollë që mbetën u ndryshuan qëllimin ndërtesave për përdorimin e tyre, duke ngritur kolegjin mbretëror të San Karlos dhe bibliotekën e parë kombëtare të Argjentinës. Gjurmët me dokumente të shkruara që jezuitët lanë pas ishin shumë të parëndësishme, pasi gjithçka duhej të ishte sekret.

Tunelet e jezuitëve mbetën të fshehura për gati 150 vjet, deri në vitin 1912, kur, gjatë rinovimit të një shkolle arkitekture që funksiononte brenda kompleksit Manzana de las Luces, dyshemeja nisi të shembej nën këmbët e punëtorëve.

Disa besojnë se tunelet kanë qenë vepër më e gjerë, por teoria vështirë të provohet. Ndërtimet kohë pas kohe, gërrmimet për metronë kanë humbur shumë nga struktura origjinale poshtë qytetit.

Misteret që rrethojnë tunelet vazhdojnë të mrekullojnë publikun dhe historitë e tuneleve të pazbuluara ende dalin në lajme herë pas here.

Arkeologjia është studimi i historisë së njerëzimit. Por pjesë e të dhënave janë edhe gjetjet njerëzore. Kur u zbuluan tunelet poshtë

El Zanjón de Granados, një i moshuar shprehu kënaqësi por jo habi. Ai tha se e kishte ditur gjithnjë për ekzistencën e tyre: ai luante brenda tyre kur ishte fëmijë. “Më në fund i gjetën”, thirri ai.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts