Mirëpritet hapja e zyrës së prodhuesve vendorë në Qeverinë e Kosovës

Nga Bashkim Kastrati

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas marrjes së mandatit është zotuar se do të ketë përkrahjen e prodhuesve vendorë, duke ju krijuar atyre lehtësira në procesin prodhues, por njëkohësisht ka kërkuar edhe cilësi të mirë të prodhimeve vendore, në mënyrë që ato të jenë të preferuara nga qytetarët e Kosovës, por edhe të jenë konkurruese me produktet që prodhohet në vendet tjera.

Me këtë qëllim, Haradinaj dhe kryetari i Klubit të Prodhuesve Vendor, Astrit Shabani, kanë nënshkruar një memorandum, përmes së cilit në Zyrën e Kryeministrit do të hapet Zyra e Prodhuesve.

Kjo marrëveshje u nënshkrua në kuadër të konferencës “Prodhimet vendore në supermarkete, sfidë dhe mundësi” e organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës.

Sipas kryeministrit Haradinaj, kjo zyrë nuk do të ketë kosto buxhetore, por do të nxjerrë propozime që lidhen me përmirësimin e pozitës së prodhuesve dhe se një gjë e tillë është e rëndësishme dhe e domosdoshme për prodhuesit.

Ai ka thënë se qëllimi i Qeverisë së Kosovës është që mos të ndalet në gjetjen e instrumenteve në mënyrë që prodhuesit e vendit të jenë në një situatë të barabartë me prodhuesit e rajonit dhe më gjerë.

“Kam bërë edhe një hap përpara. Ju keni kërkuar një zyrë prodhuese në kryeministri. Qeveria e vendit i ka akredituar si pjesë të kryeministrisë një pjesë të eksperteve të prodhuesve dhe janë pa kosto financiare për publikun.  Ndërsa jo vetëm kaq, këta e ndihmojnë publikun pasi kjo zyrë nxjerr propozime për rritjen e pozitës së prodhuesve”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka deklaruar se prodhimet vendore meritojnë vend të respektuar në plasimin e tyre në treg. Ai shtoi se ato duhet të trajtohen të barabartë me prodhimet tjera nëpër superparkete në vend.

“E di që jemi nën presion sepse prodhimi vjen një periudhë të caktuar kohore. E dimë se jemi keq, Kosova importon aq shumë, pra jemi të interesuar që në proces e sipër të jemi më ju. Sa i përket plasusëve apo rrjeteve të supermarketeve, në gjithë botën ka rregulla jo të shkruara, por ka marrëdhënie që vlejnë. Fuqinë blerëse nuk e krijojmë duke rritur shkëmbimet e brendshme”, ka deklaruar Haradinaj.

Këtë veprim të kryeministrit Haradinaj e kanë mirëpritur përfaqësuesit e prodhuesve të Kosovës. Ata konsiderojnë ky është një hap i rëndësishëm dhe tregon se qeveria Haradinaj ka prioritet përkrahjen e prodhuesve dhe eliminimin e shumë pengesave me të cilat përballën ata.

 “Lajmi i mirë është që kërkesat tona u realizuan por edhe më mirë është që do të kemi edhe shumë kërkesa tjera. Klubi beson se në kemi kapacitete të mjaftueshme për të bërë zëvendësimin e importit sidomos në industrinë e ushqimit të drurit etj”, ka thënë kryetari i Klubit të Prodhuesve Vendor, Astrit Shabani.

Përfaqësuesit e prodhuesve në vazhdimësi ndër vite kanë kërkuar përkrahje më të madhe nga Qeveria e Kosovës, por nuk kanë gjetur përkrahje aq sa duhet. Në fillim të këtij viti ata kanë bërë dhjetë kërkesa tek Qeveria e Kosovës. Ndër dhjetë kërkesat e tyre është zgjerimi i listës së mallrave për lirim nga tarifat doganore, trajtimi i humbjeve nga derivatet, një kërkesë tjetër është për shfrytëzimin e ujërave për pagesën retroaktive.

Po ashtu kërkesë tjetër ishte që të ulet çmimi i lartë i energjisë elektrike dhe eliminimi i reduktimeve të energjisë elektrike, si dhe heqja e akcizës për disa produkte të lëngjeve. Klubi i Prodhuesve ka kërkuar edhe krijimin e lehtësirave për bizneset pasi që sipas tyre në këtë mënyrë krijohet edhe mundësia për rritje të numrit të punëtorëve.

 

Haradinaj t’i obligojë institucionet të furnizohet me produkte vendore

Vendimi i Haradinajt për hapjen e zyrës për prodhuesit vendor në kuadër të Zyrës së Kryeministrit është pritur mirë edhe nga njohësish e fushës së ekonomisë dhe përfaqësuesit e bizneseve.

Ekonomisti Lulzim Beqiri ka thënë për tesheshi.com se një mbështetje e prodhuesve nga Zyra e Kryeministrit është sinjal pozitiv drejt bashkëpunimit dhe përkrahjes për prodhuesit vendor. Beqiri ka edhe një propozim konkret, ai thotë se Haradinaj duhet të marrë vendim që institucionet qeveritare të furnizohet me produkte vendore për nevojat e tyre si institucione

“Mendoj se një iniciativë e tillë është hapi i parë i Qeverisë së Kryeministrit Ramush Haradinaj drejt mbështetjes së prodhuesve vendor, me hapjen e Zyrës pranë Kryeministrit do të ketë mundësi më të madhe të adresimit të problemeve. Qeveria do të duhej t’i obligonte ministritë dhe agjencitë në kuadër të Qeverisë t’i konsumojnë produktet vendore sidomos ujin dhe produktet që Kosova i prodhon”, thotë Beqiri. /tesheshi.com/