Miratohet në Qeveri: Kosova bëhet me strategji kombëtare për trashëgiminë kulturore

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot strategjinë kombëtare të trashëgimisë kulturore 2017-2027, si dokument themelor i politikave të Kosovës në këtë fushë në periudhë afatgjate.

Sipas ministrisë së Kulturës, kjo është strategjia e parë e Kosovës në këtë fushë që nga paslufta dhe miratimi i saj shënon një moment të rëndësishëm për politikat, bazën ligjore, institucionet, administrimin, konservimin, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së Kosovës, si pasuria më e madhe dhe si shenja themelore identitare e saj.

Në dokumentin e strategjisë adresohen aspektet themelore që në mënyrë të drejtpërdrejtë synojnë promovimin e vlerave reale kulturore dhe ekonomike të trashëgimisë kulturore të vendit, si dhe rritjen e dukshmërisë së vlerave potenciale të saj.

Dokumenti i strategjisë ka përcaktuar 5 objektiva që janë: avancimi i kornizës ligjore dhe institucionale; qasja e integruar në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, drejt zhvillimit të qëndrueshëm; përfshirja e trashëgimisë kulturore në planet zhvillimore; promovimi i trashëgimisë kulturore dhe edukimi, aftësimi dhe pjesëmarrja aktive në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

MKRS thotë se në fushën e avancimit të kornizës ligjore dhe institucionale, prioritet mbetet investimi në institucionet e trashëgimisë kulturore dhe në sistemin e mbrojtjes në përgjithësi. Avancimi i vazhdueshëm i legjislacionit për trashëgimi kulturore do të përfshijë edhe masat që garantojnë harmonizimin me ligjet tjera të Kosovës, si dhe me legjislacionin e BE-së. /tesheshi.com/