Auto Dak
Auto Dak

Ministrja Gjonaj: e vërteta e “700 euro nata”, për mua që kam udhëtuar me tren

E bërë virale me akuzën se ka shpenzuar 700 euro për një natë hotel në një shërbim jashtë vendit, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka reaguar duke hedhur poshtë atë që është shkruar nga një media, ndërkohë që ka qenë vetë dikasteri i saj që ka ofruar të dhënat për interesin e vetë medias, aty ku gjendej dhe shifra 700 euro.

“Më lejoni që në këtë reagim publik timin, të shpreh para së gjithash se personalisht unë dhe stafi i Ministrisë së Drejtësisë, kemi qenë tejet transparent në respekt të të drejtës së medias për t’i ofruar informacionin e kërkuar, ashtu siç është trajtuar çdo kërkesë e çdo qytetari në respekt të transparencës për çdo veprim financiar të Ministrisë së Drejtësisë.

E deklaroj me përgjegjësi të plotë, ligjore dhe morale, se në funksionin tim nga dita e parë e punës dhe deri më sot, personalisht kam vepruar në çdo rast konform ligjit dhe në respekt të plotë të tij. Ftoj cilëndo media dhe gazetar që të investigojë gjithë punën time në funksionin e Ministres së Drejtësisë, përfshi dhe menaxhimin e burimeve financiare duke i garantuar që ashtu siç i kam vënë në dispozicion, do të vazhdoj t’i ofroj me maksimumin e transparencës çdo informacion konform ligjit”, tha Gjonaj, duke ofruar më pas versionin e saj të një të vërtete tjetër.

“Nëse media do të verifikonte dhe do të kërkonte shpjegim, do të arrinte të kuptonte që fatura me shumën e hotelit në Itali nuk është vetëm për 1 natë siç është përcjellë në mënyrë spekulative, por është fjetje për dy net. Për të shtuar, që faturat e publikuara nuk përmbajnë vetëm shpenzimet e mia, por përmbajnë shpenzimet e të gjithë delegacionit që merrte pjesë në këto aktivitete, ku në shumicën e rasteve hotelet për shkak të sigurisë për të gjitha delegacionet përcaktohen nga organizatorët apo ftuesit, që shpenzimet e fjetjes apo të biletave në shumë raste janë në varësi edhe të periudhës së kërkuar që mund të përkojë me një fluks të pronotimeve në ato vende apo për shkak të kohës së shkurtër në të cilën kanë ardhur ftesat apo axhendës së diktuar nga pala pritëse”, u shpreh Gjonaj në reagimin e saj.

Ministrja Gjonaj tha se nëse puna gazetareske do ishte profesionale, do zbulohej udhëtimi i saj me tren e jo të ketë shpenzuar 700 euro nata.

“Nëse media do të verifikonte, do të konstatonte që si ministre gjatë vizitave zyrtare jashtë vendit kam udhëtuar edhe me tren si një qytetare e zakonshme për të arritur në kohë dhe më me pak kosto për vizitat e punës.

Ashtu siç do të verifikonte që si ministre kam kryer vizitat zyrtare brenda të njëjtës ditë duke shpenzuar 0 lek për hotelin, apo raste të tjera ku shpenzimet mbulohen nga organizatorët e huaj. Askush nuk e publikoi këtë për t’ju treguar shqiptarëve të vërtetën siç është dhe jo siç duan t’ia imponojnë. Në këtë pikë, portali që mori përsipër ta bënte këtë ‘transparencë’ do duhej të publikonte dhe të analizonte edhe informacionin që i është dhënë edhe për udhëtime pune të tjera.

Nëse media do të verifikonte procedurat dhe dokumentacionin, do të konstatonte lehtësisht që procedurat për shërbimet e udhëtimit në bazë të VKM Nr. 914 datë 29.12.2014 ‘Për miratim të rregullave për prokurimin publik’, të ndryshuar, prokurohen publikisht nëpërmjet sistemit të elektronik të Agjencisë së Prokurimit Publik”, u shprej Gjonaj. /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts