MINIREPORTAZH/ Në Malbardhë, aty ku fshatarët janë qytetarë model!

Nga Ahmet Zani

Fshati Malbardhë në Kurbin, nuk është si gjithë të tjerët. E dallon atë një kishë e vjetër, e ndërtuar këtu e 700 vite më parë. Por jo vetëm kaq, ka dhe më: kisha ndodhet rrëzë kodrave, rrethuar nga gjelbërimi i një kurore pishash, por mbi të gjitha i rrethuar nga banorë me përkatësi myslimane me shumicë, të cilët, e kanë ruajtur objektin që (s)është i tyre, e kanë rikonstruktuar, e së shpejti do ndërtojnë dhe një xhami, për t`u bërë kështu model i vërtetë bashkëjetese fetare. E ndoshta për këtë arsye quhet Malbardhë, ndërkohë që nuk shquhet për ndonjë të bardhë në vështrim të përgjithshëm. Pra, ndoshta prej zemrës së këtyre banorëve.

E siç e thamë, aty shumica, afro 95 përqind e banorëve janë të besimit mysliman. Dhe për kishën e atyshme, ka patur gjithnjë një përkujdesje të veçantë, siç ka patur dhe për natyrën rreth e rrotull, ku nuk është cënuar asgjë, nuk është prerë asnjë pemë. Eshtë vetë jeta e atyshme që e reflekton këtë mirësi. Mjaft të thuhet se për çdo rast të dasmave apo dhe hidhërimet, banorët i ndajnë bashkarisht. Madje një ish-kryetar i kooperativës asokohe, ka lënë dhe një epitet për fshatin “më mirë bëhet një mort në Malbardhë, se një dasëm diku gjetkë”.

Nëse në fshat ka një ceremoni dasme, thuajse tërë fshati do ta urojnë çiftin dhe të zotin e shtëpisë, dhe kësisoj, njëri nga më të moshuarit është dhe Jakup Kapllani mbi 80 vjeçar, që nuk i mungon asnjë shtëpie për t`jua  përcjellë urimin siç e do zakoni. Por le të kthehemi tek kisha 700-vjeçare, simbol i fshatit dhe i bashkëjetesës së atyshme. Rreth pesë vite më parë, ajo u restaurua me iniciativën e banorëve, ku të gjithë kontribuuan. Por ja që kërkohet dhe ndërtimi i një xhamie, pasi fshati ka nisur ta konsiderojë si mungesë të madhe dhe faltoren për myslimanët.

Dhe është Hysen Sula, një tjetër banor malbardhas i cili ka dhuruar tokën e tij për ndërtimin e objektit fetar. Tashmë pritet fillimi i punimeve, ku banorët kanë treguar gadishmëri për të investuar, siç ndodhi dhe me kishën. Komuniteti Mysliman Shqiptar ka dhënë dakortësinë për ndërtimin e Xhamisë, e cila ndodhet pak në distancë me kishën e fshatit. Për ta përjetuar këtë atmosferë të rrallë bashkëjetese fetare, vitin e kaluar aty ishte dhe ambasadori Arvizu, të cilit i la mbresa të thella, si fshati e si banorët.

Gjërat do shkonin më mirë sikur drejt Malbardhës të kishte dhe një rrugë normale. Dhe ja, ka dalë dikush si në rastin e objekteve të kultit, që të investojë dhe për rrugën. Eshtë pikërisht një emigrant nga Miloti, që ka vendosur të bëjë “shtetin”, e ta ndreq sadopak rrugën me shpenzimet e tij. Si për ta bërë Malbardhën një fshat të rrallë mirësie!  /tesheshi.com/