728 x 90 Leaderboard

Mijëra vetë protestojnë në Berlin kundër marrëveshjeve tregtare me SHBA-të dhe Kanadanë

E shtuna ka qenë një ditë proteste në Berlin. Mijëra njerëz janë mbledhur për të ngritur zërin kundër një marrëveshjeje tregtare mes SHBA-ve dhe BE-së, të quajtur Partneriteti Transatlantik i Tregtisë dhe Investimeve (TTIP).

Sipas aktivistëve të protestës, në të morën pjesë mbi 250.000 njerëz, kurse policia vendase pretendon një numër që shkon në 150.000 persona.

Mes pjesëmarrësve kishte sindikalistë, anëtarë të grupeve mjedisore, si dhe pjesëtarë të partive opozitare.

Kritikët druhen se marrëveshja do të bëhet shkak për uljen e standardeve të shëndetit, ushqimit e sigurisë së konsumatorëve, si dhe të të drejtave të krahut të punës. Vendet europiane kanë rregulla më të ngurta për ushqimet e modifikuara gjenetikisht. Gjithashtu pakënaqësi ka sjellë dhe kryerja në fshehtësi e negociatave, duke krijuar dyshime te skeptikët.

Partneriteti Transatlantik i Tregtisë dhe Investimeve synon të përmirësojë tregtinë midis SHBA-ve dhe BE-së.

Një anketim i kryer në qershor doli me përfundimin se 36 për qind e gjermanëve e shihnin TTIP-në si diçka të keqe.

Në fokusin e protestës ishte njëkohësisht dhe Marrëveshja e Gjithmbarshme Ekonomike dhe Tregtare (CETA), një marrëveshje e ngjashme tregtare që po negociohet me Kanadanë nga BE-ja. /tesheshi.com/

Related posts