Mijëra vetë në funeralin e palestinezit me këmbë të këputura vrarë nga forcat izraelite

Ibrahim Abu Thuraja, i cili u vra të premten në përleshjet me ushtarët izraelit përgjatë kufirit me Gazën, është bërë simbol i protestave palestineze kundër njohjes së Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit nga ana e presidentit Trump, shkruan portali izraelit Haaretz.

Abu Thuraja, 29 vjeç, humbi të dy këmbët në një sulm ajror izraelit në vitin 2008. I martuar dhe baba i tre fëmijëve, ai jetonte në kampin e refugjatëve A-Shati në Rripin e Gazës, ku punonte në një lavazh pas aksidentit ku humbi të dy këmbët e tij, që ia pamundësoi atij të kryente punën e mëparshme si peshkatar.

Miqtë e tij thanë se pavarësisht aftësive të tij të kufizuara, ai insistoi në vazhdimësi të merrte pjesë në protesta pranë zonës kufitare, ashtu siç bëri edhe këtë fundjavë, kur doli për të protestuar ndaj njoftimit të Trump-it.

Të premten, Abu Thuraya dhe dhjetëra palestinezë të rinj u mblodhën pranë zonës kufitare në lindje të lagjes Shujaiyeh të qytetit të Gazës, ku një gazetar e filmoi atë duke valëzuar një flamur palestinez dhe duke brohoritur në drejtim të ushtarëve: “Kjo është toka jonë dhe ne nuk do të dorëzohemi para aktit të Trump-it; ne do të vazhdojmë të protestojmë. Ne jemi pjesëtarë të kombit palestinez, një kombi heronjsh”.

Dëshmitarët okularë thanë se ai ishte ulur në karrocën e tij me rrota dhe valëviste flamurin e tij, kur një plumb i gjallë e goditi atë në kokë, duke e vrarë në vend. Mijëra njerëz morën pjesë në funeralin e tij në A-Shati të shtunën, duke përfshirë kreun e krahut politik të Hamasit në Gaza, Ismail Haniyeh.

Në funeral, të pranishmit thirrën për hakmarrje dhe akuzuan ushtarët izraelitë, të cilët e qëlluan atë pavarësisht faktit se Abu Thuraja ishte me aftësi të kufizuara. Gjatë fundjavës, krahas Abu Thuraya u vranë edhe dy palestinezë të tjerë; 23-vjeçari Yasser Sukar, gjithashtu në Gaza, dhe 29-vjeçari Mustafa Basel nga Bregu Perëndimor. /tesheshi.com/

 

Related posts