728 x 90 Leaderboard

Meta: pse jam nostalgjik për parlamentin e viteve ‘92 – ‘96

I ftuar në “5 pyetje nga Babaramo” në A1 TV, presidenti Meta rrahu një sërë çështjesh të aktualitetit politik, në Shqipëri por dhe në Kosovë, duke nisur që me “Babalen” apo “Xhisielën”, e deri te “Teatri”, Pakti Detar me Greqinë e “Kufijtë”.

Ndër të tjera, kreu i shtetit shprehu dhe nostalgjinë për parlamentin e dikurshëm shqiptar, atë të ’92 – ’96, për të cilin tha se ishte më kualitativ se i sotmi Këtë, kur u pyet mbi ngjarjen e Fushë Krujës, me protagonist djalin e një deputeti.              

 

Duket se keni një lloj tërheqjeje nga jeta e përditshme aktive politike, që kur jeni zgjedhur kryetar i shtetit. Jeni pak në sytë e opinionit publik, i cili më shumë ju shikon herë duke ngjitur majën e Jezercës, herë duke shkuar në Tropojë e herë duke shkuar në Valbonë. Pse keni zgjedhur të mbani këtë profil, Zoti President?

Në radhë të parë unë dua të konfirmoj edhe një herë tjetër vendosmërinë time për të bërë me përgjegjshmëri maksimale detyrën e presidentit, pavarësisht nga vështirësia, ndoshta edhe e juaj si gazetarë apo si analistë apo e gjithë të tjerëve për të më parë në pozicionin e presidentit, duke pasur parasysh të kaluarën time tepër aktive edhe politike edhe partiake.

 

Përse keni zgjedhur d.m.th. keni mesazhe që daljet tuaja janë, p.sh. rasti më i fundit i fundjavës nga Tropoja?

Janë mjaft të studiuara në kuadër të disa iniciativave, të cilat unë po përpiqem që t’i konsolidoj, një prej të cilave që lidhet edhe me pyetjen tuaj është pikërisht promovimi i alpeve, promovimi i maleve, promovimi i natyrës sonë, e cila ka në vetvete pasuri dhe potenciale të jashtëzakonshme, që duhet të shfrytëzohen më mirë për promovimin e vendit, por edhe njëkohësisht për të rritur mirëqenien e këtyre zonave dhe të këtyre banorëve, madje pse jo, edhe për të rikthyer një pjesë të tyre, pasi, pa asnjë diskutim, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se nuk mund t’ua lëmë turistëve çekë zbulimin dhe promovimin e bukurive të vendit tonë. Është detyra jonë në radhë të parë, që ta bëjmë këtë gjë.

 

Po përtej promovimit, unë do të doja që biseda jonë të fokussohej kryesisht te zhvillimet më të fundit politike në vend, te debatet që zhvillohen jo vetëm në Tiranë, por edhe tek ato që zhvillohen në Prishtinë. Sot kemi një fjalim që ka mbajtur kryeministri i vendit, zoti Edi Rama me strukturat drejtuese të Ministrisë së Brendshme, ku ai, me tone tejet të ashpra kundër opozitës dhe kundër medieve gjithashtu, u shpreh për një ofensivë politiko-mediatike, e cila kërkon që të nxijë realitetin shqiptar dhe, gjithnjë sipas kryeministrit, të krijojë një perceptim se Shqipëria po dominohet nga kriminaliteti dhe kriminaliteti, gjithnjë sipas kryeministrit, është në shifra shumë më të ulëta se sa ato të 4-5 viteve më parë. Për ju si kryetar shteti, cili është perceptimi për kriminalitetin aktualisht?

Natyrisht që kriminaliteti është një fenomen, i cili ekziston në çdo shoqëri, por ka shumë rëndësi raporti i tij me shtetin dhe me funksionimin e shtetit të së drejtës. Pra, dallimi midis një vendi tërësisht demokratik apo ligjor është që krimi përpiqet të bëjë punën e tij, pra punën e krimit, por shteti gjithmonë është në goditje, është në parandalim, është në ofensivë. Pra, gjithmonë ka iniciativën dhe kjo do të thotë që siguria publike, aq më tepër siguria kombëtare nuk janë të cenueshme. Kështu që është tepër e rëndësishme të theksojmë se kjo është një betejë jo e thjeshtë dhe sigurisht që polarizimi edhe i këtij fenomeni nuk ndihmon në forcimin e institucioneve të shtetit, në forcimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe ligjzbatuese por, përkundrazi, ai në vend që të përqendrojë energjinë pozitive të të gjithëve, pra qoftë të mazhorancës, qoftë të qeverisë, qoftë të opozitës si një institucion në lokalizimin dhe goditjen serioze të krimit, për shkak të polarizimit dëmton besueshmërinë e kësaj lufte dhe në këtë mënyrë nuk ndihmojnë në forcimin e autoritetit as të shtetit as të ligjit. Është tepër e rëndësishme gjithashtu që të funksionojë shteti i së drejtës dhe është shumë e rëndësishme që të ketë reagime të shpejta, transparente, për çdo ngjarje, e cila mund të sjellë dyshime për ndikim të politikës ndaj institucioneve ligjzbatuese apo të drejtësisë dhe, njëkohësisht, për sa i takon ndikimit të politikës në këto institucione, pasi përndryshe mungesa e reagimeve të shpejta, padyshim që çon në tejzgjatje të këtyre debateve, të cilat nuk ndihmojnë qytetarët në radhë të parë. Sidoqoftë, më e rëndësishme është ajo që mendojnë qytetarët dhe për këtë, kuptohet që na duhet shumë punë për të pasur një besim edhe më të fortë tek institucionet ligjzbatuese, pasi nuk është një gjë e re që në zona të caktuara të vendit ndihet shqetësimi i qytetarëve apo i sipërmarrësve për sa i takon garancisë te funksionimi i shtetit ligjor në raport me të fortët apo me njerëzit e krimit.

 

Zoti President, që prej gati dy javësh opinioni publik shikon se si dy individë me të kaluar të dyshimtë po i bëjnë publikisht ankand kryeministrit dhe shefit të opozitës, se kush ofron më shumë për ta. Si dilet nga kjo situatë e pakëndshme?

E theksoj, është e domosdoshme të kemi një qasje më transparente nga ana e qeverisë dhe një qasje më racionale nga ana e opozitës, që do të thotë se, në rast se nga ana e qeverisë do të ketë reagime më të shpejta në rastet kur ka shqetësime, kur ka denoncime nga qytetarët, kur ka ngjarje kriminale, pra që del dikush përpara përgjegjësisë në kohën e duhur, atëherë lihet më pak hapësirë edhe për opozitën apo për opinionin dyshues sepse, në fund fare, jemi në demokraci publike për të ngritur akuza ndaj qeverisë, ndaj institucioneve apo ndaj segmenteve të caktuara. Dhe së dyti, është tepër e rëndësishme që edhe opozita të jetë racionale, që do të thotë që në nismat e saj apo në denoncimet e saj të jetë sa më e mirëfaktuar, me qëllim goditjen e këtyre fenomeneve, parandalimin e tyre dhe jo thjesht zgjedhjen e tyre si mënyrë për të dëmtuar qeverinë apo institucionet, te të cilat ajo nuk ka besim.

 

Opozita akuzon Prokurorinë se po bëhet palë në këto hetime për të cilat sapo ju pyeta. A është e besueshme Arta Marku si Prokurore e Përgjithshme, për ju?

Këto çështje që ju ngritët janë në hetim. Ne kemi kërkuar nga ana jonë sqarimet tona në drejtim edhe të Prokurorisë, edhe të institucioneve të tjera, sipas rastit, prej kohësh dhe në vazhdimësi për të krijuar një bindje më të plotë dhe një informacion më gjithëpërfshirës rreth këtyre fenomeneve apo rreth këtyre ngjarjeve. Këto janë çështje në proces dhe shpresojmë që edhe Prokuroria, edhe Policia e Shtetit, edhe institucionet e tjera të cilat janë të përfshira në hetimin e këtyre çështjeve, të mos kenë asnjë ndikim politik dhe të japin vendime të drejta dhe transparente, cilado qoftë kostoja e tyre, pavarësisht se kush mund të preket apo mund të cenohet sepse kjo, mendoj, do të rriste kredibilitetin e këtyre institucioneve dhe, së dyti, do të jepte mesazhe tepër pozitive për qytetarët, për funksionimin e shtetit ligjor dhe njëkohësisht edhe mesazhe të qarta për të gjithë ata persona politikë apo pranë politikës, të cilët dëshirojnë të kenë një pozicion të privilegjuar në raport me ligjin.

 

Kur do të ketë Shqipëria një Prokurore ose një Prokuror të Përgjithshëm të zgjedhur sipas ndryshimeve kushtetuese, jo të përkohshëm, se shumica qeverisëse na garantoi kur u votua në Parlament në dhjetor të vitit të kaluar që kjo prokurore do të ishte vetëm për 1-2 muaj, ndërkohë që po mbush muajin e dhjetë.

Kemi disa elementë të rëndësishëm të reformës në drejtësi, të zbatimit të saj dhe të krijimit të institucioneve të reja, ku mungesa e çdo institucioni me parashkime në ndryshimet kushtetuese është problematike dhe padyshim, më problematik është fakti që nuk kemi Gjykatë Kushtetuese funksionale sepse një vend që nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale, pothuajse zëre se nuk ka as Kushtetutë, në kuptimin e garancisë së zbatimit dhe të respektimit të të drejtave kushtetuese, ashtu sikurse janë edhe çështjet e tjera të krijimit të KLP-së, të krijimit të KLGj-së. Çështje tjetër akoma më emergjente në drejtim të kohës që duhej të ishte krijuar që prej dy vitesh të KED-së, Komisioni i Emërimeve në Drejtësi, e cila ka të bëjë edhe me Gjykatën Kushtetuese, ka të bëjë edhe me Inspektorin e Përgjithshëm të Drejtësisë. Por, natyrisht, shpresojmë që të ketë një ndërgjegjësim të të gjithë aktorëve të përfshirë për realizimin dhe zbatimin e kësaj reforme, për të kontribuar për një zgjidhje sa më të shpejtë, sa më transparente dhe plotësisht kushtetuese në krijimin e të gjitha këtyre institucioneve. Unë si President, mund të them që kam qenë, jam dhe mbetem gjithnjë i hapur për të përmbushur me transparencën maksimale të gjitha detyrimet e mia kushtetuese apo institucionale dhe të jap kontributin tim gjithnjë të përgjegjshëm, të drejtë dhe transparent, vetëm në interes të forcimit të shtetit ligjor dhe të pavarësisë së këtyre institucioneve në vendin tonë.

 

Nga optika e Kryetarit të Shtetit, ku është bllokuar ecja përpara e reformës në drejtësi, sepse ju thatë që jemi pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë. Gjithashtu procesi i Vetting-ut ka krijuar një …. Çfarë duhet të lëvizë, çfarë duhet të ndryshojë?

Nuk jam këtu për të bërë një skaner të përgjegjësive. Ajo që dua të them është që duhet një angazhim i përbashkët i Parlamentit si institucioni kryesor i cili edhe e ka miratuar këtë reformë, si për sa u takon ndryshimeve kushtetuese të cilat janë kryesore dhe për sa i takon legjislacionit mbështetës dhe partnerëve kryesorë ndërkombëtarë, që kanë dalë si garantë të ecurisë dhe të suksesit të kësaj reforme. Por, mendoj që kërkon një dialog tepër të sinqertë dhe të përgjegjshëm që kjo reformë të zbatohet sa më shpejt, dhe së dyti, këto institucione të reja të krijohen sa më shpejt, në mënyrë kushtetuese dhe të pakontestueshme.

 

Ju thatë që kjo reformë në drejtësi ka pasur dhe garantë, që të gjithë e dimë se janë Ambasadori i ShBA-ve dhe Ambasadorja e BE-së.

Është e vërtetë sepse për sa i takon mosbesimit të brendshëm dihet që ky mosbesim ka qenë i thellë dhe i tillë do të ishte në kuptimin e dyshimit të njërës palë se pala tjetër kërkon të kapë sistemin.

 

Ju keni konstatuar tendenca për të kapur politikisht strukturat drejtuese të drejtësisë? Për hir të së vërtetës, që nga viti 1991, megjithëse dolëm në pluralizëm, organet drejtuese të drejtësisë kanë qenë edhe në një lloj varësie politike.

Unë besoj se çdo polarizim, edhe i reformës në drejtësi, është vetëm një dëm i madh që i bëhet rikthimit të besimit të qytetarëve te drejtësia dhe tek institucionet e pavarura të saj. Dhe mendoj që kjo është një reformë që mund të jetë e suksesshme duke u zbatuar vetëm në frymën e ndryshimeve kushtetuese, të cilat kishin bazë të tyre opinionin e Venecias, një institucion i gjithëpranuar nga të gjitha forcat politike shqiptare në këto gati tri dekada dhe, së dyti, ajo që dëshiroj të theksoj është se, është një moment tepër i rëndësishëm që reforma të bazohet në dy elementë, në kushtetutshmëri dhe në transparencë për sa i takon zbatimit të saj dhe çdo hapi të saj, që të mos ketë hapësirë as për mjegull as për dyshime as për kontestime.

 

Pak më parë ju thatë se një nga shqetësimet kryesore tuajat është vakanca ose mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese.

Shqetësimi im është, pa asnjë diskutim, duke qenë President, por mendoj që nuk është vetëm shqetësimi im.

 

Por çfarë duhet bërë për të dalë nga ky impas, për të vënë në punë Gjykatën Kushtetuese?
Duhet të kemi një Komision të Emërimeve në Drejtësi funksional ndërkohë që ai që ishte mund të kishte funksionuar prej kohësh dhe, natyrisht, për të dalë nga një situatë që shpeshherë duket si një ekstraligjore, mendoj që një dialog ezaurues i harmonizimit të ndryshimeve kushtetuese me legjislacionin përkatës dhe me situatën konkrete është i domosdoshëm për të shuar çdo paragjykim dhe për të hedhur hapa të shpejtë në krijimin e këtyre institucioneve dhe funksionimin e tyre. Pra, me pak fjalë, në vlerësimin tim të deritanishëm përderisa jam marrë për kaq kohë edhe me KED-në, Komisionin e Emërimeve në Drejtësi, edhe kur isha Kryetar i Kuvendit, edhe në pozitën e Presidentit kur m’u kërkua që të ecja drejt shpalljes së garës për në KED, pasi dihet që iniciativën e parë e ka Presidenti pastaj e ka Parlamenti, kam qenë gjithmonë i hapur për të evituar këto kontestime dhe këto probleme, të cilat vijnë nga detajim shumë i imët i Kushtetutës, që më pas e ka bërë të vështirë sigurinë mbi bazën ligjore kushtetuese që do të krijoheshin këto institucione dhe kriteret për përzgjedhjen e kandidatëve, pra për një sqarim, në mënyrë që të rishikonim gjithçka, që nga praktika rezulton e vështirë apo e pamundur, në mënyrë që ne të krijonim një mjedis të pakontestueshëm nga ana ligjore dhe kushtetuese për krijimin e këtyre institucioneve.

 

A keni një koment për Vetting-un në Drejtësi? Si po shkon si proces?

Vetting-u është një proces shumë i rëndësishëm. Nuk mund të themi që reforma në drejtësi është e barabartë me Vetting. Vetting-u është një element i rëndësishëm i reformës dhe është shumë e rëndësishme që ai gjithashtu të ecë shpejt, por gjithmonë me cilësi dhe besueshmëri, larg çdo hapësire për standarde jo të njëjta apo të dyfishta në raport me individë të caktuar, por padyshim, që ai është vetëm një element i reformës në drejtësi.

 

Element tjetër, cili mund të jetë?

Elementë të tjerë janë krijimi i të gjitha këtyre institucioneve, të cilat nuk janë krijuar dhe në këtë drejtim besoj se jemi shumë më mbrapa dhe njëkohësisht jemi në kohën e duhur për t’i dhënë një start tjetër kësaj reforme dhe për të mos lejuar cenimin e besueshmërisë së saj në të ardhmen.

 

Vetting është termi që po bëhet kryefjala e ligjërimit politik, që prej gati 2-3 vitesh, madje po shtrihet edhe deri te strukturat e policisë. A mendoni se po ekzagjerohet duke futur të gjithë Policinë e Shtetit në Vetting, ndërkohë që vetë ministri i Brendshëm është subjekt i ligjit antimafia?

Unë mendoj se duke u hapur në shumë fronte ndoshta mund të biem pak në populizëm edhe mund të krijojmë presione të tepërta ndaj punonjësve të shtetit, të cilët duhet të jenë të angazhuar, t’u kërkohet llogari për të përmbushur funksionet dhe detyrat e tyre. Ne nisëm Vetting-un në Drejtësi dhe mendoj që nëse ky proces do të realizohet ashtu siç u konceptua dhe u dëshirua, si një proces i pastër, me standarde, i besueshëm dhe i suksesshëm, dhe jo vetëm kaq, por edhe institucionet e reja që do të krijohen do të rikthejnë besimin që do të jenë ndryshe nga ato në të shkuarën, mendoj që çdo Vetting tjetër do të ishte i tepërt në kuptimin e ngjashmërisë me këtë proces, pasi cilido që do të rezultonte me probleme të ligjit apo të abuzimit me detyrën, do të kishte të bënte me një drejtësi me integritet, me një drejtësi të besueshme dhe me një drejtësi ndëshkuese.

 

Ndërkohë opozita, ose më saktë Partia Demokratike ka kërkuar që edhe deputetët, edhe kryetarët e bashkive, edhe ministrat të përfshihen në Vetting, një nismë e cila ka gjetur rezistencë nga shumica qeverisëse, e cila thotë që për këtë duhet të kemi arbitër Komisionin e Venecias. Ju si besoni, duhet të ketë Vetting për klasën politike?

Unë besoj se një përgjigje të përafërt sapo e dhashë, pra, për rastin e Vetting-ut në polici. Çdo lloj Vetting-u, kudo, do të ishte i mirë, por edhe Vetting në çdo gjë do të humbte vëmendjen nga përqendrimi që duhet të kemi për sa i takon ecurisë e reformës në drejtësi, për sa i takon Vetting-ut në drejtësi, për sa i takon krijimit sipas standardeve kushtetuese dhe me integritet të institucioneve të reja të drejtësisë. Nuk do të ndihmonte asnjë proces tjetër për të qenë vërtet i besueshëm por do të krijojë një kakofoni pa fund të fjalës Vetting dhe mund të sillte një inflacion dhe një rënie të besimit në tërësi, te procesi i Vetting-ut.

 

Ju kthyet për herë të dytë ligjin e famshëm të Teatrit, që opozita e quan ligji Fusha, në bazë të emrit të kompanisë Fusha-Rama. Pra ishit i vendosur që ai ligj duhej të kthehej pas, nuk duhej të dekretohej. Në këtë rast, ju ishin kundër projektit të qeverisë apo kundër kryetarit të bashkisë?

Duhet t’ju konfirmoj që për gati një vit në detyrën e Presidentit, mund të kem kthyer jo më shumë se 3-4 raste. Kjo e Teatrit është një sepse për mua të dy rastet janë një çështje si thelb, iniciativa të qeverisë, kur kam menduar që cenohet interesi publik apo interesi i qytetarëve apo aksesi i tyre në drejtësi, sikurse ka qenë rasti i tarifave gjyqësore. Kështu që në këtë çështje të Teatrit, unë e kam ndjekur debatin sepse ka qenë një debat publik dhe tepër i nxehtë dhe jam përpjekur që të jem sa më racional në argumentet e mia. Ka pasur më shumë se sa nëntë arsye për kthimin e këtij ligji herën e parë, megjithatë unë jam përpjekur për të qenë sa më racional dhe për t’u fokusuar te nëntë më të rëndësishmet apo të paevitueshmet në trajtimin apo në reflektimin ndaj tyre. Në rastin e dytë, mendoj që kam qenë para një situate jo shumë normale, kur ishte miratuar një dekret dhe praktikisht nuk ishin kontestuar nëntë arsyet për të cilat unë e kam kthyer atë ligj dhe, ndërkohë, në të njëjtën kohë, në të njëjtin moment, është miratuar ligji i cili trajton praktikisht deri diku vetëm problemin e garës por jo problemet e tjera kushtetuese. Edhe në këtë rast, edhe në këtë element, ku dukej që Parlamenti kishte bërë një përpjekje për të reflektuar, përsëri dukej qartë nga ana kushtetuese që kishte disa kushte të pashpallura, të cilat favorizonin një apo disa subjekte të caktuara, të cilat mund të kishin marrëveshje me pronarët në atë zonë dhe cenonte apo diskrimonte të gjitha subjektet e tjera, të cilat mund të kishin idetë dhe projektet e tyre për ta zhvilluar atë zonë më në interes të publikut se sa të parët. Kështu që kjo ka qenë arsyeja për sa u takon qëndrimeve të mia ndaj qeverisë apo ndaj bashkisë. Dua t’ju siguroj se me Bashkinë e Tiranës kemi një bashkëpunim shumë të mirë sidomos për sa i takon aleancës për dhurimin e gjakut, ku kjo bashki ka luajtur një rol tepër aktiv, apo edhe për çështje të tjera dhe për sa i takon qeverisë për të gjitha çështjet e tjera, bashkëpunimi ka qenë mjaft konstruktiv, por unë me këto vendime mbetem nga Kushtetuta, nga ligji, edhe nga bindjet e mia.

 

Doja t’ju pyesja për opinionin tuaj sepse ju keni edhe një formim në fushën e ekonomisë. Duke marrë shkas nga rasti i Teatrit, ndërtimi i Teatrit të ri për të cilin qeveria thotë se nuk ka fonde por po e bën me PPP – partneritet-publik-privat, çka është kthyer në një fenomen. Një miliard euro parashikohen projektet e ardhshme që do të bëhen në këtë formë. Ju e shikoni të rrezikshme këtë formë financimi për financat publike apo është një mënyrë efikase?

Çështja e Teatrit ka shumë probleme, të cilat nuk do të doja t’i rendisja këtu, ku ndër problemet më kryesore kemi atë të trashëgimisë kulturore dhe kur dihet që Shqipëria është anëtare e shumë konventave dhe sigurisht që është një pasuri që neve na duhet ta ruajmë shumë sepse nuk kemi edhe kaq shumë pasuri pa fund. Aq më tepër edhe Tirana nuk është një qytet mijëravjeçar. Kështu që është e rëndësishme edhe për të ardhmen e kryeqytetit tonë që të jemi tepër të kujdesshëm. Pastaj kishte edhe shumë probleme të tjera kushtetuese, që nuk po hyj këtu, të cilat kanë të bëjnë me autonominë e pushtetit vendor, me garantimin e të drejtave të pronarëve të ligjshën, me pasiguritë juridike që mund të krijohen në të ardhmen, që mund të dëmtojnë edhe interesat e shtetit, edhe interesat e pronarëve realë. Dhe pra kjo, PPP-ja, nuk është kryesorja në rastin e Teatrit. Sigurisht që ky është një element i mirë kur shteti e ndërton vetë, i shikon mundësitë dhe i gjen burimet për këto çështje, por kjo prapë është një zgjidhje e qeverisë dhe është detyrë e saj që të sqarojë Parlamentin dhe opinionin publik për vendimmarrjen. Për sa i takon partneritetit-publik-privat në tërësi, besoj se është e rëndësishme që të dëgjohen edhe shqetësimet e Bankës Botërore, shqetësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, pasi ato janë institucine tepër të besueshme dhe që nuk kanë asnjë interes përveç stabilitetit të Shqipërisë dhe përmirësimit të performancës së saj makro-ekonomike.

 

Kryeministri ka thënë se do të hartojë një ligj, përmes të cilit, në fund të dhjetorit, do të mbyllë të gjitha lojërat e fatit, të gjithë industrinë e kumarit, po e quaj kështu për marrëveshje fjale. U shfajësua se nuk mundi ta bënte gjatë mandatit të parë sepse nuk kishte votat e LSI-së. Por në qoftë se e sjell tani këtë si projektligj, ju do ta dekretoni?

Së pari, për mua është e rëndësishme që gjithçka të jetë në përputhje me Kushtetutën, me ligjet në fuqi dhe në interes të publikut, ashtu sikurse mbajta qëndrimin e ditur për sa i takon një favorizimi, sipas gjykimit tonë, që iu bë këtyre aktiviteteve para pak kohësh, do të mbaj në mënyrën më të hapur dhe më transparente qëndrimin në të ardhmen. Në tërësi, dua të them që është detyrë e të gjithë neve të dekurajojmë këto lloje aktivitetesh, të cilat po ndikojnë negativisht në shoqërinë tonë, në familjet shqiptare, duke u kthyer në një burim borxhesh, divorcesh, konfliktesh, në burim të dhunës familjare ndaj grave, ndaj fëmijëve, në një shqetësim të madh social. Qeveria ka përgjegjësinë e saj dhe Parlamenti, për të gjetur rrugët më të mira në këtë drejtim, pasi unë mendoj që të gjithë ne duhet të vrasim mendjen në këtë vend, si do të zhvillojmë më shumë turizmin, bujqësinë, agroturizmin sepse nga favorizimi i këtyre varet e ardhmja ekonomike e shumicës së familjeve shqiptare në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe në mënyrë indirekte, për më tepër që potenciali ynë në drejtim të bujqësisë, turizmit dhe agroturizmit është ende në fillimet e veta dhe na duhet një punë shumë e madhe për të bërë në këtë drejtim.

 

Do të doja të riktheheshim tek ajo ngjarja në Fushë-Krujë, e cila la qartë të kuptohet se me çfarë është i mbushur Parlamenti shqiptar, me të fortë, me njerëz që pak lidhje kanë me librin, që kanë një të kaluar të dyshimtë. A mendoni se Parlamenti i 25 viteve më parë ishte shumë më tepër cilësor? Për se kemi arritur në këtë pikë?

Unë nuk kam për detyrë, në këtë pozicion që kam, që të bëj krahasimin midis kuvendeve dhe parlamenteve, aq më tepër që me Kuvendin aktual jemi në bashkëpunim, jemi të obliguar që të punojmë dhe të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin. Po sigurisht, duke qenë se jam në jetën institucionale dhe publike që në mars të vitit 1992, natyrisht që cilësia e atij Parlamenti të viteve 1992-1996 mendoj që është e jashtëzakonshme, por ndoshta nuk jam dhe realist, pasi jam nostalgjik dhe kam qenë për herë të parë dhe vetë deputet në atë kohë. Por është një gjë tepër e rëndësishme të theksojmë se në tërësi duhet përmirësuar standardi i përfaqësimit publik në çdo zyrë, në çdo institucion, në një mënyrë shumë më të përgjegjshme sepse kemi nevojë për më shumë njerëz të ditur në fusha të ndryshme dhe natyrisht që nuk kemi nevojë për njerëz që vendosin forcën apo interesin e tyre të biznesit si kontribut në vendimmarrjen politike, pasi këto lloje kontributesh cenojnë legjislacionin që miratohet dhe natyrisht cenojnë edhe besimin te funksionimi i ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë.

 

Ju si drejtues dhe si kryetar i shtetit, por edhe drejtues të tjerë të shtetit kanë marrë rreth tre muaj më parë një letër nga një nënkomisar i Fushë-Krujës, ku thoshte se ishte kërcënuar nga deputeti i Partisë Socialiste, përmendte rastin për të cilin tani flet e gjithë Shqipëria, që ishte sorollatur hetimi nga njëri komisariat në tjetrin, për të birin e një deputeti. Ju ka ardhur kjo letër dhe si e keni trajtuar? Dhe nëse po, çfarë përgjigjeje keni marrë nga institucionet?

Kjo letër ka mbërritur në tavolinën time vetëm një ose dy ditë përpara se unë të nisesha për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pra nga mesi i shtatorit. Janë kërkuar të gjitha sqarimet dhe ky është një proces që vazhdon lidhur me çështjen në fjalë. Por mendoj që çështja është delikate dhe e mprehtë sepse në rast se nuk sqarohet në mënyrë të besueshme dhe transparente, do të krijojë një dyshim të madh për të ardhmen e mënyrës së funksionimit të shtetit ligjor, të Policisë së Shtetit, të Prokurorisë dhe të raporteve të Ekzekutivit me to. Dhe, së dyti, sqarimi i saj në mënyrë të plotë dhe të besueshme do të kontribuojë në rritjen e besimit te këto institucione, por edhe në mos përsëritjen e ngjarjeve të tjera. Çfarë që do të thotë kjo? Nuk mund të jap sot asnjë vlerësim konkret, por në rast se qytetarja ka qenë e detyruar, sipas opinionit publik, të bëjë disa denoncime në institucione të ndryshme të policisë, atëherë është e rëndësishme që të bëhet një analizë përse ka ndodhur kjo gjë. Mjafton një qytetar të bëjë denoncimin në stacionin më të afërt të policisë dhe ai duhet të trajtohet me përgjegjësi, apo në rast se oficeri në fjalë ka kërkuar mbrojtje pasi është kërcënuar dhe një mbrojtje e tillë nuk i është dhënë. Edhe këtu përsëri duhet ndaluar se përse kjo gjë ka ndodhur dhe personat përgjegjës të vihen para përgjegjësisë. Dhe shumë çështje të tjera, të cilat nuk janë çështje që më takojnë mua që t’i gjykoj, sepse ato duhen marrë hap pas hapi dhe duhen sqaruar në mënyrë shteruese për interesin e publikut dhe për interesin e rritjes së besimit të publikut te policia, te prokuroria, te shteti dhe për dobësimin, për goditjen e imazhit të të fortëve, të cilët shpeshherë ndoshta dhe vetë në mënyrë arrogante dhe të papërgjegjshme marrin përsipër të demonstrojnë që kanë ndikim mbi shtetin, duke dëmtuar rëndë besimin e qytetarëve tek institucionet.

 

Polemikat në mes të majtës dhe të djathtës, mes qeverisë dhe opozitës, kanë arritur një pikë sa duket se e kanë lodhur kryeministrin, i cili kërkon të vërë nën kontroll portalet, pra mediet online, si dhe të krijojë, gjithnjë sipas tij, departamentin kundër shpifjes, pra çka nënkupton ndryshime ligjore. Këto ju do t’i kaloni, në qoftë se ju vijnë?

Nuk mund të komentoj çdo iniciativë politike, publike, që merret qoftë nga qeveria, qoftë nga opozita apo aktorë të tjerë. Është detyrë e tyre. Në rast se do të kenë iniciativa ligjore, do të shprehem gjithmonë vetëm në respekt të Kushtetutës, në respekt të ligjit dhe të konventave ndërkombëtare, ku Shqipëria është palë.

 

Ka shumë veta që thonë se kjo nismë e kryeministrit është një cenim i të drejtës themelore për t’u shprehur. E shikoni të tillë?

Nuk shohim ende ndonjë formalizim të ndonjë nisme të tillë, aq më tepër që unë mund të shprehem vetëm përmes aktit, në rast se Parlamenti do të miratonte një iniciativë të tillë.

 

Kthehemi tek ajo çështja e Marrëveshjes së Detit, ku si nga Athina, por edhe ministri ynë i Jashtëm, kanë lënë të kuptohet që atë e keni bllokuar ju. Ju jeni shprehur që duhet ndërkohë që të kemi edhe një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Përse duhet Gjykata Kushtetuese për ta certifikuar këtë marrëveshje?

Sikurse ju jeni në dijeni edhe i gjithë opinioni publik për këtë marrëveshje me Greqinë, por jo vetëm për këtë marrëveshje, për çdo marrëveshje të ngjashme, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka miratuar një vendim të veçantë, i cili në fakt është një punim shkencor, nuk është thjesht një vendim i thjeshtë, i cili ngarkon me përgjegjësi çdo institucion të vendit, në kuadrin e përgjegjësive të përbashkëta për një çështje të tillë, e cila është çështje madhore sepse ka të bëjë me kufijtë, ka të bëjë me sovranitetin, me integritetin e kështu me radhë. Por natyrisht që është shumë e rëndësishme sepse ka të bëjë me zgjidhjen e një çështjeje me një fqinj të rëndësishëm sikurse është Greqia. Në këtë drejtim, unë mund t’ju them se kam përmbushur në mënyrën jo vetëm më kushtetuese, por edhe më konstruktive, edhe institucionale, edhe shoqërore, edhe njerëzore, të gjitha detyrimet e mia, në mënyrë që kjo marrëveshje të realizohej në përputhje me Kushtetutën, me interesin tonë, por edhe me interesin e përbashkët sepse kuptohet është marrëveshje e të dyja palëve, nuk mund të jetë një marrëveshje e njëanshme dhe për këtë qëllim kam bërë të gjitha veprimet e duhura institucionale edhe informale për të dhënë një kontribut të tillë dhe mbetem ende në këto pozita. Sikurse e kam thënë edhe më përpara, prej kohësh i kam konfirmuar edhe ministrit të Jashtëm, edhe kryeministrit, që në çdo kohë që kryeministri mendon dhe është i bindur që kjo është një marrëveshje plotësisht e drejtë, e realizueshme, në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të marrë përkrahjen apo autorizimin për verifikimin dhe konkludimin e një marrëveshjeje të tillë, por natyrisht që unë e kam theksuar që është shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme, për hir të ndjeshmërisë së kësaj çështjeje dhe të vetë arsyeve për të cilat kjo marrëveshje nuk u ratifikua nga Parlamenti i kaluar, që në momentin e miratimit në Parlament të kemi funksionale Gjykatën Kushtetuese, përndryshe çdo situatë tjetër nuk mendoj se do të kontribuonte në atë qëllim që ka kjo marrëveshje, pra dhe të zgjidhim këtë çështje njëherë e mirë, por edhe të forcojmë raportet e miqësisë dhe të partneritetit me Greqinë si një vend mik.

 

A jeni njohur me detajet e marrëveshjes së re që po hartohet?

Unë kam bërë të gjitha detyrat e mia institucionale për të lehtësuar sa më shumë punën e ekipit negociator, kur në një moment të caktuar kur nga pala tjetër ka pasur një qëndrim që ka pasur një autorizim politik apo një miratim politik, atëherë unë kam menduar dhe kam vlerësuar se një qëndrimi politik apo një vullneti politik i duhet përgjigjur, kuptohet me një qëndrim më politik, të cilin mund ta ndërmarrë vetëm kryeministri si kryetar i qeverisë dhe që i ka të gjitha instrumentet për të bërë një vlerësim të gjithanshëm të marrëveshjes së mundshme, në të gjitha aspektet, dhe së dyti, duke qenë edhe lideri i mazhorancës, pasi kuptohet që një marrëveshje e tillë duhet që të kalojë në Parlament dhe kuptohet që kryeministri duhet të jetë garant i kalimit të kësaj marrëveshjeje në Parlament.

 

Në optikën tuaj, kjo marrëveshje që duket se është e përfunduar dhe tani pritet vetëm të formalizohet, është më e mirë se sa ajo që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese? Më e keqe, siç thotë opozita? Apo është e njëjta, por e riformuluar ndryshe? Ekspertët që ju keni caktuar, çfarë ju thonë?

Nuk mund të shpreh asnjë opinion të caktuar sepse nuk mund të bëj as ekspertin, as gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese. Besoj se isha mjaft i qartë. Përgjegjësia ime si President është, në të gjithë këtë proces, t’i shërbej sa më shumë ecjes në frymën e në rrugën që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese, dhe së dyti, të kërkoj të gjitha garancitë kushtetuese të jenë funksionale në momentin kur kjo marrëveshje do të kalojë në Parlament dhe në momentin kur kushdo mund të ketë një shqetësim apo një dyshim për përputhshmërinë e saj me Kushtetutën dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk mund të bëhem pjesë e debateve të njëanshme apo ndërluftuese.

 

Kjo marrëveshje rrezikon të kthehet, si çështja e ndryshimit të emrit të Maqedonisë, pra në një kazus që Greqia të vendosë veton pë anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian?

Të gjitha përpjekjet e mia kanë synuar në realizimin e një marrëveshjeje, meqenëse qeveria ka pasur vullnetin dhe e ka shprehur vullnetin për ta realizuar këtë marrëveshje sepse një rrugë tjetër që e ka sugjeruar prej kohësh opozita ka qenë vajtja në Gjykatën Ndërkombëtare me mirëkuptimin e të dyja palëve, dhe në këtë rrugë unë kam bërë të gjitha përpjekjet e mia që të mos kemi thjesht firmosjen e një marrëveshjeje, por të kemi një proces që garanton dhe konkludimin e kësaj marrëveshjeje sepse një dështim tjetër i marrëveshjes, në çdo lloj faze, nuk do të ishte pozitiv, do të ishte një kthim pas në zgjidhjen e kësaj çështjeje, por nuk do të ishte një hap para as në forcimin e marrëdhënieve tona me Greqinë.

 

Ju jeni një nga kundërshtuesit më të ashpër, më të vendosur, të asaj idesë së Presidentit të Kosovës, homologut tuaj Zotit Hashim Thaçi, i cili flet për një korrektim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Ju jeni takuar me të, pasi jeni shprehu ashpër kundër një marrëveshjeje të mundshme. Çfarë shpjegimesh ju ka dhënë?

Së pari, nuk ka pasur ndonjë shprehje të ashpër nga ana ime për këtë çështje.

 

Ju keni thënë që kjo është çështje që hap kutinë e Pandorës.

Kam thënë që në rastin më të mirë është humbje kohe, dhe në rastin më të keq rrezikon hapjen e kutisë së Pandorës. Dhe kjo nuk është diçka e rëndë po të flasim për çështjen e kufijve në Ballkan sepse dihet se nga i kanë ardhur fatkeqësitë Ballkanit historikisht, por edhe jo më shumë se para 20 e ca vitesh. Pra, në rastin aktual duhet të kemi parasysh që Presidenti Thaçi nuk ka folur asnjëherë për ndarje të Kosovës apo për shkëmbime territoriale. Ai ka ngritur çështjen e korrigjimit të kufijve, si një term i ri, i cili nënkupton, sipas tij, mundësinë e ribashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, por pa cenuar tërësinë territoriale të shtetit të Kosovës. Kështu që në këtë drejtim besoj se qëndrimi im ka qenë tërësisht i përgjegjshëm, i përmbajtur dhe koherent, me gjithë politikën që Shqipëria ka ndjekur gjatë gjithë këtyre viteve në mbështejte të pavarësisë së Kosovës, të njohjes së Kosovës, por edhe të mbështetjes së dialogut Serbi-Kosovë. Unë kam theksuar gjithmonë se ky dialog nisi për të njohur këtë realitet të ri dhe për të pajtuar këto dy realitete, pra Serbinë me shtetin e ri të Kosovës dhe jo si një mënyrë për të devijuar nga ky realitet dhe për të shkuar drejt të panohurës, që do të thotë ndryshimi i kufijve apo shkëmbime territoriale.

 

Në takimet që zhvilluar së fundi në Nju Jork, keni diskutuar me partnerët ndërkombëtarë edhe për këtë ide sepse Thaçi thotë që kjo është ideja e Shteteve të Bashkuara dhe jo ideja e tij

Mendoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë ndryshuar politikën e tyre për rajonin, pra si politikë që synon fuqizimin e stabilitetit dhe të sigurisë në këtë rajon, aq më tepër kur kemi tashmë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, kur kemi përpjekjet e tyre për të mbështetur marrëveshjen e Maqedonisë me Greqinë që do të anëtarësonte shumë shpejt edhe Maqedoninë në NATO. Shtetet e Bashkuara natyrisht që kanë mbështetur dhe mbështesin dialogun me Serbinë, por e kanë bërë të qartë që do të donin që ky dialog dhe rezultati i tij apo marrëveshja e tij të sillte një produkt të zbatueshëm, një produkt që garanton stabilitet për Kosovën, për Serbinë dhe njëkohësisht edhe për të gjithë rajonin. Dha natyrisht që kushdo mund ta interpretojë në mënyrë të ndryshme, por interpretimi që unë i bëj këtij qëndrimi është që, nuk është e vërtetë që bashkësia ndërkombëtare nuk ka asnjë vijë të kuqe për këtë çështje. Vija e kuqe është dhe mbetet stabiliteti dhe siguria e Kosovës dhe njëkohësisht edhe e të gjithë rajonit nga një marrëveshje e tillë.

 

Zoti President, për këtë çështje tre zyrtarët e lartë të shtetit që flasin në emër të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, pra ju, kryeministri dhe ministri i Jashtëm, keni mbajtur qëndrime pak të largëta nga njëri-tjetri. Ministri i Jashtëm, për hir të së vërtetës, në qëndrimet e tij publike ka qenë afër këtij qëndrimi që ju sapo shprehët. Në këtë kontekst, nuk janë zhvilluar konsultime mes jush sepse kryeministri ka lënë të kuptohet qartë që i duket shumë intriguese, shumë ndjellëse ideja e Thaçit, thotë që është një shans që mund ta humbasim dhe që mund të vijë pas 30 vitesh.

Unë besoj se në qëndrimet e mia në këtë çështje bazohem qartë edhe në programet dhe qëndrimet e qeverisë shqiptare, dhe mbi të gjitha të Kuvendit të Shqipërisë, por edhe në të gjithë politikën e ndjekur nga Shqipëria që nga shpallja e Kosovës shteti i pavarur dhe në vijimësi, e cila është një politikë kombëtare, nuk është thjesht e një pale apo e palës tjetër. Për këtë çështje kemi pasur diskutime edhe me ministrin e Jashtëm dhe kemi qenë në një koherencë. Natyrisht që në emër të qeverisë për politikën e jashtme mendoj që flet ministri i Jashtëm dhe në këtë çështje kemi qenë në sintoni të plotë.

 

A jeni dakord me politikën e jashtme ose me politikën rajonale të qeverisë sonë, e cila duket se po ndjek marrëdhëniet tejet prioritare me Ankaranë e Erdoganit, ndërkohë që me vendet e tjera të rajonit kemi një lloj tërheqjeje ose një lloj ftohjeje të marrëdhënieve?

Mund të them që Shqipëria ka në tërësi marrëdhënie të mira, të konsoliduara prej kohësh, me të gjitha vendet e rajonit dhe duhet të vazhdojë të punojë me të gjitha këto vende, pasi edhe rajoni sa vjen e zvogëlohet me këtë botë që po globalizohet.

 

Një dështim të mundshëm në Shkup, të Marrëveshjes së Prespës, e shikoni si një shtim të influencës ruse në Ballkan?

Pa dyshim që të gjithë ne mezi presim suksesin e kësaj marrëveshjeje dhe shpresojmë që kjo çështje tashmë të marrë zgjidhje në Kuvendin e Maqedonisë. Mosrealizimi i saj natyrisht që do të cenojë perspektivën euro-atlantike të Maqedonisë se nuk do të jetë një kontribut për sigurinë e të gjithë rajonit tonë dhe natyrisht që do të lërë hapësirë si në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe aq më tepër indirekte për influenca të tjera, por si shkak kryesor në çdo rast të mosrealizimit të saj do të shikoja një polarizim të skajshëm gjithashtu të jetës politike në Maqedoni dhe do të shpresoja shumë që të ketë një ndërgjegjësim, një përgjegjshmëri në ditët që vijnë dhe t’i jepet një zgjidhje. Dhe këtu përsëri faktori shqiptar mund të luajë një rol pozitiv në ndërtimin e këtyre urave

Marrë nga Shqiptarja.com

Related posts