Meta i kërkon Ramës postin e kryeministrit: ç’po ndodh realisht në mazhorancë?

Nga Ylli Pata

Loja mes Edi Ramës dhe Ilir Metës duket se ka ardhur drejt fundit real.

Tashmë duket se PS dhe LSI po shkojnë drejt rrugëve të ndara në zgjedhjet e 2017-s, ndaj palët po kërkojnë pretekste apo alibi për të zyrtarizuar një divorc që ka ndodhur me kohë.

Tani ajo që mbetet të shihet është nëse kjo ndarje do të jetë traumatike apo jo.

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili gati sa nuk ka shprehur votën e kësaj force kundër ligjit të mbetjeve në “ritransmetimin” që do të ketë në Kuvend pas kthimit nga Presidenti Bujar Nishani.

Ndërkohë që disa ditë më parë, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani provokoi me disa deklarime që kishin në qendër kanabisin, gjë që solli edhe replika mes vetë anëtarëve të qeverisë – ai me Mimi Kodhelin e Mbrojtjes – çka është diçka e pazakontë dhe anormale.

Ndërkaq, Ilir Meta, mbrëmë ka dalë sërish me një alibi për largim apo presion, kur në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” ka kërkuar – jo aq drejtpërdrejt por mjaftueshëm për t’u kuptuar si mesazh – që forca e tij politike të ketë postin e kryeministrit në qeverinë e përbashkët me PS-në.

Siç tha Meta – deklaratë e cila ka zënë dhe faqet e gazetave këtë të martë: “LSI ka një rol të qartë në të ardhmen: ose do të jetë një forcë edhe më e rëndësishme qeverisëse ose do të jetë forca kryesore opozitare në Shqipëri”.

Kreu i Kuvendit deklaroi gjithashtu se duhet një përmirësim cilësor në punët e qeverisjes së vendit, ndërkohë që nuk la pa përmendur dhe kanabisin,  kur deklaroi se “kultivimi duhet të parandalohet që përpara se të mbillet.”

Kreu i LSI-së, i cili sapo është kthyer nga një vizitë nga Kina, “i ka rënë prej andej” për të thumbuar alatin e tij kryesor, Edi Rama.

Duke folur për protagonizmin politik, Meta citoi një fjalë të vajzës së Ten Hsiao Pin-it gjatë një bisede në Pekin që i kishte thënë se “E ardhmja e një vendi duhet të varet sa më pak nga një njeri ose nga pak njerëz. Pra e ardhmja e një vendi duhet të varet nga një sistem i konsoliduar që prodhon garanci afatgjata për shoqërinë. Besoj se kjo është një përgjigje për këdo që mendon se ardhmja e një vendi duhet të varet nga raportet personale të dy kryetarëve apo tre. Është e rëndësishme që marrëdhëniet LSI-PS në të ardhmen si dy forcat kryesore të koalicionit aktual, të jenë institucionale”.

Në lidhje me ligjin e mbetjeve, kreu i LSI-së nuk ka bërë të ditur se cila do të jetë vota e partisë së tij për dekretin e Nishanit, por theksoi se për këtë do të fliste edhe me Kryeministrin Edi Rama. /tesheshi.com/

 

Related posts