728 x 90 Leaderboard

Meta-Basha, takimi që betonon aleancën e re politike në vend

Nga Ylli Pata

Ilir Meta dhe Lulzim Basha janë bërë sërish një lobim i përbashkët politik për të ndërhyrë në ndryshimin e ligjeve që do të zbatojnë reformën në drejtësi.

Lulzim Basha ka shkuar në zyrën e Ilir Metës në Kuvend bashkë me ekspertin e opozitës, Oerd Bylykbashi dhe kanë folur për të ndryshuar ligjin organik thelbësor të zbatimit të reformës që është ligji për prokurorinë speciale, përkatësisht organi që do të arrestojë zyrtarët.

Dhe siç ndodhi herën e parë, kreu i LSI-së dhe ai i PD-së kanë qenë dakord që të nisin punën për të miratuar ligjin që bën vettingun apo vlerësimin e gjyqtarëve.

Në fakt, vetëm LSI e PD rezistonin që ta shtynin vettingun ndërkohë që mazhoranca kërkoi të miratohet.

Siç duket ata do të duhet të kërkojnë sërish “pazar” siç bënë me miratimin e reformës, ku arritën që t’i detyrojnë ndërkombëtarët që të tërhiqen në disa pika.

Zyra e Metës bën të ditur se:

“Kreu i Kuvendit u konsultua për mënyrën e miratimit sa më të shpejtë dhe me konsensus të Ligjit për Vettingun.

Në takim u dakortësua në parim nevoja për miratimin me përparësi, brenda muajit gusht të Ligjit për Vettingun, si dhe mbi kalendarin e shqyrtimit të këtij ligji sipas procedurave kushtetuese parlamentare, duke filluar nga dita e nesërme me mbledhjen zyrtare të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi”.

Në deklaratë thuhet se Meta ka marrë mbështetjen e Bashës dhe se “opozita do të marrë pjesë aktive dhe konstruktive në Komisionin e Posaçëm, duke filluar me prezantimin e komenteve të saj për Ligjin e Vettingut në mbledhjen e ditës së nesërme.

Kryetari i Partisë Demokratike shprehu gatishmërinë për të avancuar edhe me ligjet e tjera, sapo anëtarët dhe ekspertët e opozitës të njihen me draftet më të fundit të përgatitura nga Komisioni i Posaçëm, veçanërisht Ligji për Prokurorinë Speciale dhe Ligji për Organet e Qeverisjes së Gjyqësorit

Tashmë është e qartë se politikisht kemi një grup të ri në Kuvend i cili është kthyer në aleancë që ka të njëjtin qëndrim për thelbin e asaj që duhet të ndodhë në drejtësinë dhe politikën shqiptare.

Një qëndrim që është kryekëput i kundërt me aleatin zyrtar në qeverisje siç është Partia Socialiste.

Nëse në ndryshimet kushtetuese, si Meta ashtu edhe Basha nuk arritën të ndryshojnë thelbin e reformës, ata kërkojnë ta bëjnë në ligjet që e vënë zbatim.

Njëri nga ata është ai i prokurorisë speciale. Por a do t’ja arrijnë?! Numrat në Kuvend po ndryshojnë ditë pas dite…

/tesheshi.com/

 

Related posts