Mesila Doda, aksion ligjor për futjen e Shpëtim Idrizit në parlament

Asnjë anëtar i KQZ-së nuk pranoi që të hapë një hetim administrativ për votat e qarkut Tiranë, çka do të donte të rihapte kutitë e kryeqytetit, siç kërkoi sot zyrtarisht PDIU, e cila mendon se KZAZ-ja e njësisë numër 5 ka llogaritur gabim votat e Shpëtim Idrizit, i cili për rreth 34 sosh nuk u shpall deputet.

Mesila Doda, përfaqësuesja e PDIU-sw deklaroi në komision se provat filmike të ofruara nga KQZ, pra skaneri i çdo flete votimi ishte i padallueshëm, kështu që duhet një hetim fletë për fletë.

Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri deklaroi se anëtarët nuk e shihnin të arsyeshme të hapnin një hetim por do të numëronin thjesht tabelat e 24 KZAZ-ve të Tiranës.

Mesila Doda u largua dhe deklaroi se PDIU do të kërkojë nga Kolegji Zgjedhor që të urdhërojë KQZ-në të hapë hetimin admistrativ. “Kemi prova të plota që çojnë në detyrimin për një hetim. Mandati i Tiranës është i Shpëtim Idrizit. Këtë do ta shihni. Do të ndjekim të gjitha shkallët”, tha Doda.

Nëse Kolegji vendos hetim administrativ, atëherë KQZ hap kutitë e Tiranës, por edhe masa sesa kuti do të hapen do ta vendosë Kolegji. /tesheshi.çom/