Mesazhi politik i protestës së pritshme të 26 majit dhe pasojat e një sezoni “çadrist” nr.2

Opozita e ka shpallur qëndrimin e saj politik tashmë për protestën e 26 majit: do të jetë masive, e ashpër dhe “surprizë”.

Pra, ashtu si vjet që në fund të protestës së 18 shkurtit, Lulzim Basha nguli çadrën tremujore, edhe të shtunën mund të dalë një vendim surprizë që parashikon natyrisht një qëndrim politik jashtëparlamentar që e kthen opozitën në protagoniste.

Rrugët janë: ose një përsëritje çadre a diçka e ngjashme, ose një protestë maratonë deri në zbatimin e kërkesave politike.

Deri tani opozita ka kërkuar largimin e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm dhe ka shumë gjasa që në fund të protestës të prodhojë një kërkesë që të shkojë tek largimi i qeverisë “Rama”.

Por mundet dhe një numër kërkesash për një pakt kombëtar me mazhorancën për të zbatuar së bashku reformën në drejtësi.

Burime diplomatike bëjnë të ditur se opozita synon pikën e tretë, pra që Lulzim Basha t’i marrë Edi Ramës në tavolinë një marrëveshje ku së bashku të shkojnë në Bruksel për të marrë “Ok” për hapjen e negociatave. Dhe ndoshta edhe një negocim të Partive Popullore Europiane për këtë siç ndodhi me misionin Mcallister në vitin 2017.

Dhe siç mësohet po nga burime diplomatike, kërkesa rezervë e Lulzim Bashës janë zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet lokale për të dhënë në këmbim “Ok” për hapjen e negociatave. Kjo e shoqëruar me një paketë të plotë marrëveshjeje, ku bazë është zgjdhja e Kryeprokurorit të ri në vjeshtën e këtij viti.

Basha shpreson se me largimin e Donald Lu-së në vjeshtë të ndryshojnë edhe gjërat nga ana e Uashingtonit. Por që të ndodhë kjo do të duhen të paktën dy vendime që vijnë si nga SHBA si nga vendet e BE-së.

I pari është verdikti që liderët e 27 vendet e BE-së do të japin për hapjen e negociatave në 10 qershor në Sofje. I dyti do të jetë natyrisht qëndrimi i administratës Trump në lidhje me ambasadorin Donald Lu.

Zyrtarisht ambasadorit Lu i mbaron mandati i shtuar në fund të gushtit. Por edhe nëse Presidenti Trump emëron ambasadorin e ri, ai nuk do të mund të vijë në Tiranë përpara vitit të ardhshëm, pasi i duhet të kalojë në senat, por edhe të kalojë një procedurë mbi 6-mujore që e kanë kaluar të gjithë ambasadorët e emëruar.

Ka dy precedentë në lidhje me diplomatët amerikanë në Tiranë: ai i vitit 1999 kur Mariza Lino mbylli mandatin, Uashingtoni solli në Shqipëri jo një ambasador por një “të ngarkuar me punë” si Robert Frowick”, i cili qëndroi deri në emërimin e të ndjerit Joseph Limpreht, fati i të cilit qe të ndërronte jetë në detyrë. Edhe pas vdekjes së ambasadorit Limpreht. SHBA solli në Tiranë një “të ngarkuar me punë” që qëndroi deri në emërimin e Marcie Ries.

Precedenti i dytë është ai Alexandër Arvizu-s. Më 20 qershor 2013, dy ditë para zgjedhjeve, një televizion pranë qeverisë së atëhershme shpalli largimin e Arvizu-s si ambasador dhe emërimin e Donald Lu-së në vend të tij.

Por deri në ardhjen e Lu-së, Uashingtoni preferoi t’i zgjasë mandatin tej limitit ambasadorit të larguar, që u duk hapur një sinjal politik që vinte si përgjigje ndaj atyre që e “larguan”.

Nëse Lu-ja do të qëndrojë në Tiranë edhe përtej shtatorit, atëherë si në rastin e Arvizu-së ky do të jetë sinjal i qartë i Uashingtonit,

Por përse zhvillohet protesta?

Duket se synimi është për t’u treguar disa vendeve europiane se qeveria e Edi Ramës nuk do të ketë qetësi brenda vendit, ndaj më mirë që të mos jepet “qesim” statusi kandidat, ose nëse do të jepet, ky vlerësim të bëhet me marrëveshje.

A do ta pranojë Europa këtë mesazh të Bashës? Varet!

Vitin e ardhshëm, kur kreu i PD-së ngriti çadrën dhe ishte gati të mos hyjë në zgjedhje, BE me dorën e Johannes Hahn, komisionerit të Zgjerimit bëri të ditur se do t’i njihte zgjedhjet edhe nëse PD-ja apo opozita do t’i bojkotonte.

Atëherë Basha bëri marrëveshje me të dërguarin e SHBA-së, Hoyt Brian Yee, i cili e futi në një zyrë të Kuvendit me Edi Ramën dhe së bashku bënë qeverinë “teknike”.

Por a ja ka falur Merkel kreut të PD-së prishjen e marrëveshjes me të dërguarin e tij Mcallister? Normalisht që jo! Dhe kjo u pa edhe në mesazhet që kancelarja ka përcjellë vazhdimisht pas “rrëzimit të tavolinës” nga kreu i PD-së.

Por opozita synon që me protestën e së shtunës të japë mesazhin që Merkel nuk duhet t’i japë “carta bianca” Edi Ramës. Dhe për ta bindur këtë nuk i mjafton thjesht një shëtitje në bulevard, por diçka më shumë.

E këtu është dilema: do të jetë një demonstrim i dhunshëm që mund të trembë BE-në si në rastin e Shkupit vjet që i dhanë mbështetje Zoran Zaevit, apo një demonstrim masiv paqësor që do t’i dërgojë një mesazh kancelarive europiane? Gjithçka do të varet nga matematika, pra nga numrat e pjesëmarrjes…/tesheshi.com/

 

Related posts