728 x 90 Leaderboard

Mefshtësia e gjykatësve kosovarë: ja sa lëndë civile presin në sirtarë që nga paslufta

Nga Blendi Gashi

Gjykatat kosovare vazhdojnë të ballafaqohen me numër të konsiderueshëm të lëndëve të vjetra që vazhdojnë të mbesin ende të pazgjidhura.

Si rezultat, qytetarët detyrohen të presin periudha të gjata për të iu shqyrtuar e finalizuar lënda, pasi ka lëndë në pritje që nga viti 1999.

Gjykatat Themelore (ish-Komunalet) në vitin 2016 kanë pasur gjithësejt në punë 831.847 lëndë, Gjykata e Apelit 21.912 lëndë, kurse Gjykata Supreme (përfshirë Dhoma e posacme) 25.280 lëndë.

Në këtë shkrim trajtohet konkretisht gjendja e lëndëve civile që janë pranuar në periudhën 1999-2016  dhe që figurojnë ende të pazgjidhura në tre Gjyakta Themelore, në atë të Prishtinës, të Pejës dhe Gjilanit, duke ju referuar raportit të Auditit, ndërsa gjykata të tilla në Kosovë gjithësjet janë shtatë.

Numri i lëndëve civile të trajtuara në gjykatat themelore sipas Auditit në vitin 2015 ishte rreth 60,000 lëndë, dhe ky numër është pothuajse i njëjtë edhe në vitin 2016.

Gjykata e Prishtinës më e ngarkuara

Gjykata Themelore e Prishtinës vazhdon të jetë e ngarkuar më së shumti me lëndë të natyrës civile. Numri i lëndëve të vjetra nuk është i vogël, e sidomos lëndët e vitit 2008 që ende janë të pazgjidhura përfaqësojnë 4.5% të totalit të lëndëve.

Nga viti 2009 e tutje ka një trend në rritje të lëndëve që vazhdojnë të jenë të pazgjidhura. Po ashtu, shqetësues është fakti që ka lëndë të pazgjidhura të periudhës 1999-2007. Periudha që aktualisht posedon numrin më të madh të lëndëve të pazgjidhura është 2012 – 2016. Në total numri lëndëve të pazgjidhura gjatë këtyre viteve, është 15,392, që i bie se një gjyqtarë ka në shqyrtim rreth 900 lëndë civile të pazgjidhura të periudhës 1999-2016, pasi kjo gjykatë ka 17 gjyqtarë që merret me këto lëndë, për dallim nga ajo e Pejës e Gjilanit që kanë vetëm nga gjashtë gjyqtarë.

Në vitin 2015 nga 3361 lëndë civile sa ka pranuar kjo gjykatë, rreth 88% e tyre vazhdojnë të jenë të pazgjidhura, ndërkat në vitin 2016 nga 3403 lëndë civile, rreth 97% janë ende të pazgjidhura.

Gjykata e Pejës më pak e ngarkuar me lëndë civile

Gjykata Themelore e Pejës është dukshëm më pak e ngarkuar me lëndë civile në krahasim me atë të Prishtinës, pasi të pazgjidhura janë rreth 1855 lëndë.

Periudha 1999-2011 përfaqëson rreth 1% të totalit të lëndëve civile që janë ende të pazgjidhura. Në këtë aspekt, duket që gjykata e Pejës ka një situatë dukshëm më të mirë lidhur me përqindjen e lëndëve të vjetra që kanë statusin si të pazgjidhura.

Megjithatë edhe në këtë gjykatë trendi i lëndëve të pazgjidhura të vitit 2012 e tutje është në rritje, por sidomos në ato lëndë që janë pranuar në vitin 2014, 2015 dhe 2016.

Në vitin 2015 nga 1263 lëndë civile sa janë pranuar, rreth 53% e tyre vazhdojnë të jenë të pazgjidhura, ndërkaq në vitin 2016 nga 1250 lëndë civile sa janë pranuar, rreth 69% janë ende të pazgjidhura

Aktualisht një gjyqtarë në Pejë ka në shqyrtim rreth 310 lëndë civile të pazgjidhura të periudhës 1999-2016.

Gjykata e Gjilanit më shumë lëndë të vjetra të pazgjidhura

Edhe Gjykata Themelore e Gjilan po ashtu është më pak e ngarkuar se ajo e Prishtinës, mirëpo nëse e krahasohet me të Pejës posedon rreth 55% më shumë lëndë civile të pazgjidhura të periudhës 1999-2016, pra  ende të pazgjidhura janë rreth 2868 lëndë.

Periudha 1999-2011 përfaqëson rreth 9% të totalit të lëndëve civile që janë ende të pazgjidhura.

Rreth 91% e lëndëve civile të pazgjidhura i takojnë periudhës 2012-2016, si dhe ky trend ngjashëm me dy gjykatat tjera, është në rritje. Nëse merret totali i lëndëve të pazgjidhura të këtyre viteve dhe e përpjesëtohet me numrin aktual të gjyqtarëve që merren me lëndë civile në këtë gjykatë e që gjithësjet janë gjashtë, del që aktualisht një gjyqtarë ka në shqyrtim rreth 480 lëndë civile të pazgjidhura të periudhës 1999-2016.

Në vitin 2015 nga 874 lëndë civile sa janë pranuar, rreth 75% e tyre vazhdojnë të jenë të pazgjidhura, ndërkaq në vitin 2016 nga 979 lëndë civile sa janë pranuar rreth 72% janë ende të pazgjidhura. /tesheshi.com/

Related posts