MEDIA/ Bisedë me kolegun Arben Muka të Dojçe Vele-s: cili do jetë fati “radios” shqiptare?

Bisedoi: Ermir Hoxha  

Dr. Arben Muka, kolegu ynë gazetar, korrespondent prej vitesh i radios Dojçe Vele, si dhe autor i shumë teksteve studimore të fushës, e ka patur ndër vite me zell të madh dhe vëzhgimin nga afër të ecurisë së radiove shqiptare. Sepse, pati një 15-vjeçar ku vërtet sinjali radiofonik shpërtheu vrullshëm në eter, por që duket sikur zëri i tyre është mekur, edhe nga rivaliteti i ashpër i figurës (televizoni), por sidomos dhe interneti apo media online. A do mbijetojë “radioja”, një dilemë sa globale aq dhe lokale, që vlen pra dhe për Shqipërinë? Në një bisedë me të, meqë mban dhe postin e Drejtorit të Programeve në AMA, ai na sqaron disa aspekte të kësaj sfide mediatike…     benmuka1               

Ju i keni kushtuar një libër radiove shqiptare. pas një boom-i të viteve 2000, a mund të thuhet se “radioja” shqiptare ka nisur të zbrapset, pra mos jetë më aq e preferuar ndër media, por dhe të mos investohet në të?

“Radio, simbioza me internetin” është botimi im i fundit në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Medias në Tiranë, që ka dalë në pranverë të këtij viti dhe fokusohet në një analizë të tregut shqiptar të audiotransmetimeve. Duke iu përgjigjur drejtpërdrejt pyetjes, pohoj paraprakisht se radio ashtu sikundër e gjithë media që nga fundi i mijëvjeçarit të kaluar është në transformim. Nga mbartja në të famshmin shirit magnetik, që trajtohej nga vetë gazetarët ose stafi mbështetës në mënyrë mekanike për prerje, ngjitje ose riregjistrim tek aplikacionet e panumërta, falë nivelit të lartë të depërtimit të kompjuterave dhe instalimit të soft-eve të avancuara dhe në ambientet e punës së gazetarëve të radios. Lënda e regjistruar shfaqet në ekran dhe manipulimi deri në detaj arrihet thjesht nga komandat në tastierë. Era digjitale ka influencuar fuqishëm jo vetëm në mënyrën e realizimit të produktit audio, por dhe në natyrën dhe parametrat e transmetimit, duke shtuar ofertën e numrit të kanaleve programore, duke siguruar cilësi më të mirë të zërit, duke reduktuar ndjeshmëritë ndaj ndërhyrjeve nga faktorë të jashtëm, si dhe duke pasuruar informacionin, jo vetëm në versionin zanor, por dhe atë numerik. Kjo prirje globale e tregut radiofonik sigurisht që ka tiparet e veta dhe për infrastrukturën shqiptare. Jo kudo nga pronarët dhe menaxherët janë ndjerë “zilet” e alarmit për nevojën për ndryshim. Në disa stacione ka pritmëri të pajustifkuar mendoj, për t’u bërë pjesë e adoptimit të performances duke shtuar shërbimet online, ose atë që e quajmë realizim të produktit dual on air & online. Ndërkohë që një pjesë e tregut është e sinkronizuar me dinamikën e asaj që ndodh në vende  të tjera. Sipas pikëpamjes time tregu i transmetimeve radiofonike mbetet ende atraktiv, që nëse di të përshtatesh me kushtet dhe kërkesat e reja të audiencës, patjetër gjendesh në hapësirën e duhur për një investim të shëndetshëm në të gjithë kuptimet e këtij cilësimi.

 

Aktualisht, si janë treguesit e dëgjueshmërisë së radios sot nga shqiptarët, nëse keni ndonjë evidencë qoftë dhe si perceptim i përgjithshëm?

Për fat të keq të dhënat janë të pakta dhe ajo që ka më shumë rëndësi është se këto të dhëna janë të pabesueshme për aktorët e tregut, qofshin transmetuesit apo grupet e interesit-agjencitë e reklamave e blerësit kryesorë të kohës. Pse? Kjo lidhet me shumë faktorë brenda dhe jashtë radios, të cilat i kam përmendur në botimin tim të fundit. Kështu Shqipëria është ndër vendet e pakta të rruzullit që nuk qarkullon tregues të matjes se audiencës. Lajm i mirë është se për transmetimet numerike dhe ofertën online matja e audiencës është e arritshme nga aplikimet e programeve kollaj të praktikueshme, qoftë për dëgjueshmërinë në përgjithësi, qoftë për fasha orare të caktuara. Për të mos e lënë pa përgjigje pjesën e fundit të kësaj pyetje, them se nga monitorimi në tregun shqiptar të radios, mbetet ende “bastion” dëgjimi në makina gjatë udhëtimit. Një studim i para tre viteve në 5 qarqet kryesore të vendit dha një tregues interesant: nga ata që dëgjojnë radion në makinë, rreth 40 % e tyre përdorin burime të personalizuara audio, dmth cd, mp3 a kasetë. Që do të thotë se drejtuesit e automjeteve priren drejt “radios” së tyre.

 

Ndërkohë, duket sikur ka një rendje të përgjithshme drejt komercialitetit të radios. Ato e kanë humbur profilin dhe ndodh që dhe ajo klasikja, Radio Tirana, në kohë të caktuara ditore të mos dallohet si radio shtetërore me një profil të caktuar. A është një gjë e mirë kjo?

Duke qëndruar tek argumenti që përmenda më sipër për preferencat e drejtuesve shqiptarë të automjeteve, se rreth 40 % e tyre duan të dëgjojnë më shumë cd, mp3 a kasetë, kjo do të thotë se është shumë e vështirë për një radio të mbijetojë pa program, d.m.th vetëm me muzikë e ndonjë edicion lajmesh të shkurtëra. Pranorët dhe menaxherët duhet ta kapin sinjalin se formati “play-list” nuk ecën si të themi 5 a dhjetë vjet më parë. Pasi sot këtë gjë mund ta bëjë vetë dëgjuesi. Pa përmendur këtu podcast-in që është shenjë që tregon dobësimin e monopolit të redaksive profesioniste për të bërë radio. Radio është dhe biznes, se në fund të fundit është një aktivitet që duhet të rregullojë balancat e shpenzimeve dhe të ardhura, për të siguruar një ecuri normale në transmetim. Por koncepti i komercializimit të përmbajtjeve që emeton një radio është risk për redaksinë. Zgjidhjet janë tek produkti që realizon, sa prej tij është e vetë redaksisë, sa është e huazuar. Pastaj vimë tek kualiteti i produktit: sa dhe si përmbushen kërkesat e audiencës.  Dua ta ripërsëris se një aspekt me peshë janë dhe shërbimet online që ofron redaksia. Tek produkti mbështet profilizimi. Nëse ju merrni si shembull Radio Tiranën, që është stacion publik, sigurisht që ky subjekt ka veçori në mënyrën se si menaxhohet apo për produktin që emeton. Radio Tirana duhet të jetë larg tiparit komercial, sepse këtë e sanksion dhe ligji 97/2013 për transmetimet audio e audiovizive në Republikën e Shqipërisë që e përshkruan transmetuesin public pa qëllim fitimi. Kjo kushtëzon larmi tematike-që do të thotë të përmbushë kërkesat për të gjitha shtresimet e audiences- pavarësi në linjën editoriale, si dhe pavarvsi në menaxhimin ekonomik e financiar të institucionit.

 

A mund të thuhet se radioja është një media e rrezikuar ashtu siç është gazetaria e versionit print?

Cilido biznes që nuk përshtatet me kohën është destinuar të dështojë. Duke ju kthyer edhe një herë arsyetimit të mëparshëm, nëse pronarët dhe menaxherët nuk kuptojnë se është koha e konvergjencës, nuk kuptojnë se zhvillimi teknik dhe teknologjik kërkon mendësi tjetër në të bërit radio, hezitojnë e friken nga modifikimi i performancës, atëherë rreziku mbetet te dera. Ju e keni parasysh autorin francez Eric Scherer kur thotë se digjitalizimi, personalizimi, mobiliteti, ndërlidhja e përhershme me internetin dhe, në këtë mënyrë, me pjesën tjetër të botës janë karakteristikat e reja të mënyrës sonë për t’u  informuar sot në çdo moment, në shtëpi, në transporte dhe në punë.

 

A mund të thuhet dhe kjo tjetra se radioja do ketë fatin e biçikletës: sado të avancojë lloji i transportit njerëzor, dyrrotëshi kurrë nuk do zhduket?

Pyetjet dilemike, nganjëherë dhe retorike, janë në modë në diskutimet mbi ardhmërinë e afërt dhe të largët të medias. Në këtë kuadër edhe kur flitet për radion nesër. Në pikëpamjen time radio do të modifikohet, përshtatet me sjelljet e audiencës, por duke mbetur një ofertë unike në laryshinë e spektrit mediatik. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts