Mbyllja e fushatës zgjedhore në Kosovë: ja pse partitë kryesore zgjodhën Prishtinën, Prizrenin e Pejën

Nga Blendi Gashi

Partitë kosovare, pas një muaj fushate zgjedhore ku shpalosën programet e tyre në të gjitha qytetet, do të bëjnë mbylljen e saj një ditë para heshtjes, përjashtuar këtu NISMA-n për Kosovën që e mbylli sot (e enjte). Është interesant fakti se partitë kryesore fushatën do ta mbyllin në tre qytete të mëdha, në Prishtinë, Prizren dhe Pejë, ku edhe synojnë triumfin e madh.

VV me “mendje e zemër” në Prishtinë

Partia e parë në vend, Lëvizja Vetëvendosje do ta mbyll fushatën e saj në Prishtinë në sallën e sporteve të Pallatit të Rinisë, në ora 19:00. Kjo edhe pritej pasi që VV synim kryesor e ka mbajtjen e kryeqytetit të cilin e udhëhoqi në katër vitet e shkuara, duke drejtuar edhe për herë të parë një komunë.

Kjo përzgjedhje e partisë së Visar Ymerit nuk është e rastësishme pasi është e vetëdijshme se do të ketë sallën e stërmbushur me përkrahës që në një mënyrë dëshiron t’i tregojë kundërshtarit më të madh në këtë komunë, LDK-së së Isa Mustafës, se nuk ka gjasa ta rikthej ish-bastionin e saj.

Përveç Prishtinës, VV haptas ka deklaruar se synon të fitojë edhe dhjetë komuna.

PDK e koncentruar maksimalisht në Prizren

Partia e Kadri Veselit, e vetëdijshme se nuk ka kurrfarë gjase ta marrë timonin e kryeqytetit, ka vendosur që tubimin e fundit elektoral ta mbajë në mini-bastionin e saj, Prizrenin, të cilin e qeveris në tre mandate rresht. Kjo është komuna më e madhe që PDK synon ta fitojë, pasi është parë edhe gjatë fushatës se koncetrimi më i madh i këtij subjekti është ta mbajë pushtetin në qytetin e traditës me nuanca osmane.

Këtë herë nuk do ta ketë lehtë, për shkak të keqqeverisjes të kryetarit në largim, Ramadan Muja, i cili është duke u përballur me procese gjyqësore, por edhe për faktin se seriozisht ja rrezikojnë t’ia marrin pushtetin LDK apo Vetëvendosje.

LDK-ja me “sytë” kah Prishtina

LDK-ja e Isa Mustafës, ashtu siç e ka filluar fushatën do ta përmbyllë në Prishtinë. Tubimin përmbyllës LDK do ta ketë në ora 17:00. Kjo parti e ka zgjedhur kryeqytetin pasi me “mish e shpirt” synon ta rikthejë ish-bastionin e saj Prishtinën të cilën e qeveri për 13 vjet.

Në hapje të fushatës LDK nuk arriti ta mbush sallën, andaj mbetet të shihet nëse do ta bëj këtë të premten. Gjasat për ta rikthyer Prishtinën nuk i ka aq të mëdha gjithmonë duke pasur parasysh rritjen e Vetëvendosje-s në kryeqytet, çka është dëshmuar edhe në nacionalet e fundit.

AAK e mbyll me Pejën për ta rrëzuar LDK-në

Për dallim nga tre partitë e lartcekura, AAK-ja e Ramush Haradinajt nuk ka zgjedhur as Prishtinën e as Prizrenin për ta mbyllur fushatën, por Pejën të cilën komunë e udhëhoqi për dy mandate. Synimi më i madh i kësaj partie është ta rikthejë këtë komunë që u cilësua edhe si ish-bastion i saj, ashtu si synon ta rikthejë edhe Gjakovën.

Për ta rimarrë besimin e pejanëve nuk e ka aq lehtë, por sigurisht të premten pritet të jetë një tubim madhështor i kësaj partie duke ditur se edhe vet Ramushi vjen nga kjo trevë.

Megjithatë duhet pritur mbrëmjen e 22 tetorit për të kuptuar nëse vërtetë Peja do t’ia besojë sërish e AAK-së udhëheqjen, apo do të vazhdojë të ecë me Gazmend Muhaxherin e LDK-së.

NISMA e para mbylli fushatën

Partia e Famtir Limajt, NISMA për Kosovën e mbylli fushatën zgjedhore të enjte në mbrëmje, në Palestrën e Sporteve në Prishtinë. Sigurisht e ka bërë këtë përzgjedhje që të gjitha komunat të mblidhen në kryeqytet dhe të ketë një tubim sa më masiv. Komunën që pritet ta fitojë kjo parti është Malisheva ku edhe qeverisi katër vitet e kaluara, ndërsa ka parlajmëruar fitore edhe në Shtime.

Ndërkaq nuk dihet ende se ku do e përmbyll fushatën AKR-ja e Pacollit. Si mundësi janë Prishtina dhe Mitrovica, komunë të cilën e ka qeverisur në katër vitet e ardhshme dhe synon edhe një mandate me kandidatin e saj atje, Agim Bahtiri.

Kutjojmë se zgjedhjet e rregullta lokale do të mbahen më 22 tetor të dielën. Në garë janë 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare, 1 koalicion dhe 25 kandidatë të pavarur. Po ashtu në këto zgjedhje ka qenë edhe një numri i madh i kandidatëve për asamble, 7.080 kandidatë. /tesheshi.com/