728 x 90 Leaderboard

“Mbretëria e Grave” në Kinë: rrëfim nga jetesa e popullit Mosuo në tokën misterioze

Në kodrinat në këmbë të Himalajeve qëndron liqeni Lugu, një vend perfekt si të ketë dalë nga fotografia, shtëpi e popullit Mosuo dhe porta hyrëse drejt një toke misterioze që shpesh quhet “Mbretëria e Grave”.

 Numri i popullit Mosuo shkon afërsisht në 40 mijë njerëz, dhe për shekuj ata kanë jetuar në brigjet e liqenit Lugu – që kufizon provincat e Kinës, Sichuan dhe Yunnan – si dhe në malet përreth, të grupuar në fshatra piktoreskë të mbushura me shtëpi druri.

Në 2700 metra mbi nivelin e detit dhe me qytetin më të afërt rreth gjashtë orë larg me makinë, izolimi i rajonit ka sjellë ruajtjen e zakoneve që nuk gjenden askund tjetër në të gjithë botën.

Një nga traditat kulturore më unike është zouhun “martesat e lira”. Pas ceremonisë së mbushjes së moshës së rritur, femrat Mosuo mund të zgjedhin burrat e tyre, duke pasur të drejtën të kenë aq shumë ose pak, sa ato dëshirojnë, gjatë gjithë jetës së tyre.

Gjatë këtyre “martesave”, burrat vizitojnë shtëpinë e grave me ftesë, dhe qëndrojnë natën në një “dhomë-lule” të dizenjuar si të tillë, duke u larguar me thyerjen e ditës për t’u kthyer në shtëpitë  e tyre. Çiftet nuk jetojnë së bashku, dhe për foshnjet përkujdesen ekskluzivisht në familjen e gruas, ndërsa vëllezërit dhe xhaxhallarët mundësojnë rolin e babait.

Burrat, sidoqoftë, kanë role të rëndësishëm në shoqërinë Mosuo. Tradicionalisht, ata shpesh janë larg nga fshati, duke udhëtuar në karavanë tregtarë për të shitur prodhimet lokale. Ata po ashtu, janë përgjegjës për ndërtimin e shtëpisë dhe peshkimin, sikundër edhe për therjen e bagëtive.

Më e rëndësishme, ende edhe sot, ndërsa ata nuk janë përgjegjës për vetë fëmijët e tyre, ata janë financiarisht përgjegjës për nipërit dhe mbesat që jetojnë në shtëpitë e tyre, bashkë me ta.

Edhe pse shpesh referohet si një prej shoqërive të fundit matriarkale të botës, në fakt është më e saktë të thuhet se traditat e popullit Mosuo respektojnë linjën mëmësore. Burrat mbajnë pushtetin politik në shoqërinë më të gjerë, por gratë janë kryetaret e shtëpive të tyre dhe marrin vendime për burimet familjare.

Pasuria dhe prona kalojnë përmes nënës, deri në vdekjen e tyre, duke u dhënë grave Mosuo, shumë autoritet dhe liri.

Yang Zhaxi është një muzikant i ri që u rrit në një shtëpi vërtet tradicionale Mosuo, nga nëna e tij, tezet dhe xhaxhallarët. Babai i tij biologjik ishte shumë i pranishëm gjatë fëmijërisë, sidoqoftë, dhe ai kujton udhëtimet e vazhdueshme së bashku për të mbledhur kërpudha ose dru zjarri.

Babai i tij jeton ende në të njëjtin fshat, dhe ata ruajnë një lidhje të fortë.

“Vërtet që varet nga karakteri i mashkullit. Nëse ai është zemërbutë, madje, edhe nëse martesa nuk funksionon, ai sërish do të përkujdeset për fëmijët, do t’u blejë dhurata dhe do të financojë arsimimin e tyre. Në fund të fundit, fëmijët janë të tijët edhe pse ai nuk ka përgjegjësi”, thotë Zhaxi.

Ajo që është unike për martesat Mosuo krahasuar me shumë shoqëri të tjera tradicionale është se marrëdhëniet lejohet të ndjekin kursin e tyre natyral, pasi femrat nuk janë të varura nga mashkulli për të ardhurat. Tezja e Zhaxi, Yang Congmu, është “Dabu” apo matriarkja e familjes së saj, dhe i janë dhënë çelësat e depos, një gjest simbolik që e bën atë kryetaren e shtëpisë. “Burri” i saj i parë ishte një marangoz dhe ata u takuan kur ai po ndërtonte shtëpinë e saj.

Yang Congmu thurri një rrip për të dashurin e saj shpejt pasi ata u njohën për t’i shprehur afeksionin, ashtu si ishte tradita në atë kohë. Tani, çiftet modernë kanë më shumë gjasa t’i dhurojnë njëri-tjetrit lule ose iPhone.

“Pas një farë kohe, dashuria u zbeh. Burri im nuk kishte shumë të bënte me fëmijët, ndaj edhe ndaloi së ardhuri. Në kulturën Mosuo, marrëdhëniet kanë të bëjnë vetem me afeksionin e dyanshëm. Kur ai zbehet, ne vazhdojmë përpara”, thotë Yang Congmu.

Populli Mosuo nuk njihet nga qeveria kineze si një prej 55 grupeve zyrtare etnike, pasi popullsia është relativisht e vogël. Në kartën e identitetit të Zhaxi për shembull, ai identifikohet si mongol.

Mosuo janë tradicionalisht animistë dhe besojnë në idenë e Nënës Perëndeshë. Ky sistem i lashtë fetar është përzjerë me budizëm tibetian të importuar më së fundmi, e shumë familje dërgojnë një anëtar të tyrin, burrë për t’u bërë murg.

Njerëzit Mosuo, po ashtu, kanë besime të pazakonta, të tilla si respektimi i qenve. Ekziston një mit që shumë kohë më parë, qentë e kishin jetëgjatësinë 60 vjet ndërsa njerëzit jetonin vetëm 13 vjet. Njerëzit dhe qentë ranë dakord të shkëmbenin jetëgjatësinë dhe njerëzit premtuan të tregonin respekt për qentë si këmbim.

“Gjyshi im më thoshte se shumë kohë më parë, një togë nga ushtria e Xhengis Khan kaloi përmes zonës rrugës për në një betejë dhe ra në dashuri me bukurinë e liqenit. Ata vendosën të jetojnë këtu dhe kështu lindi Mosuo”, thotë Zhaxi.

Me ndërtimin e një rruge të re dhe aeroporti aty pranë, hapur në vitin 2015, shumë e më shumë turistë po vijnë në brigjet e Lugu-s, duke sjellë besime dhe praktika të reja. Kultura Mosuo tashmë gjendet në një udhëkryq vendimtar, kapur midis modernizmit dhe traditës së lashtë.

“Fshatarët që jetojnë pranë liqenit kanë ndërtuar hotele për turistët. Disa familje që kanë banesa në vendndodhje të mirë po ashtu janë bërë shumë të pasur. Transporti dhe aspekte të tjera po ashtu janë bërë më të leverdishme dhe Mosuo po eksplorojnë botën e jashtme dhe po përjetojnë ide të reja”, thotë Zhaxi.

Pikëpamjet e popullit Mosuo për dashurinë dhe martesën po transformohen nga shtimi i kontakteve me botën e jashtme. Të rinjtë Mosuo po tërhiqen nga idealizmi prej përrallash i filmave romantikë kinezë dhe po zgjedhin gjithnjë e më shumë të martohen sipas mënyrës tradicionale kineze, me çifte që bashkëjetojnë dhe premtojnë martesë për gjithë jetën.

Vetë Zhaxi është martuar jashtë tribusë së tij, me një kineze han dhe jeton me të dhe fëmijën e tyre, duke besuar se është një mënyrë jetese “më e lehtë”. Në të njëjtën kohë, ai është ende përgjegjës për fëmijët e motrës së tij.

Përgatiti: Juli Prifti -/tesheshi.com/

Related posts